E Shtunë, 31 Tetor 2026

Derbi i Ballkanit ne Zagreb

Kroacia pret Serbinë. Dy fqinjët rivalë ndeshen sonte në Zagreb, për eleminatoret e botërorit dhe tensioni e frika janë të pranishme.
Historia mes dy vendeve e bën përballjen shumë më të vështirë dhe tifozët vendas e kanë treguar të gjithë mbështetjen e tyre duke pushtuar kryeqytetin e vendit.
Plot 5 000 tifozët ndoqën stërvitjen e fundit të Kroacisë, e cila kryeson grupin A, me 10 pikë pas 4 ndeshjeve, po aq sa edhe Belgjika. Serbët kanë vetëm 4 pikë në 4 ndeshje.
Frika për incidente është e lartë, edhe pse tifozë serbë të shumtë në Zagreb nuk do të ketë.
Tifozët serbë krijuan probleme së fundmi në ndeshjen e ekipit të tyre të 21-vjeçarëve ndaj Anglisë.
Ministria e brendshme e Serbisë njofton se nuk ka grupe të organizuar tifozësh që të kenë shkuar në Kroaci.
Skuadra vendase është favorite, ndonëse në një derbi nuk dihet kurrë se çfarë mund të ndodhë. Për të dhënë një shenjë paqësimi, presidenti kroat Josipoviç do ta ndjekë ndeshjen në shoqërinë e ish-presidentit serb, Boris Tadiç.
Kroatët ishin në finalet e kampionatit europian të vitit të kaluar, turne në të cilin Serbia nuk u kualifikua.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›