Derbi i Dinamove në Ballkan, nëse shqiptarët kualifikohen
Parë në një logjikë optimiste, mund të themi se ekzistojnë shanse që të jetë projektuar një derb ballkanik i “Dinamove” në turin e tretë eliminator të Champions League. Edhe pse janë luajtur vetëm ndeshjet e para të turit të dytë të kompeticionit më prestigjioz për klube në Kontinentin e Vjetër, dje në Nion të Zvicrës është hedhur shorti për turin pasardhës. Shorti ka prodhuar një sfidë mes fituesit dy çifteve, Sheriff Tiraspol-Dinamo e Tiranës dhe Dinamo e Zagrebit-NK Koper. Skuadra e njohur kroate është thuajse e kualifikuar, pasi ndeshjen e parë ndaj sllovenëve e ka fituar 5-1 dhe është e vështirë që t’i rrezikohet bileta në ndeshjen e kthimit. Por që të kompletohet derbi ballkanik i “Dinamove”, duhet që kampionët e Shqipërisë, të cilët humbën 3-1 ndaj moldavëve të Sherrif në ndeshjen e parë, të fitojnë minimumi 2-0. Një përballje Dinamo e Tiranës-Dinamo e Zgrebit do të ishte një ndeshje speciale për Emiliano Vila, i cili do të luante ndaj skuadrës që ka ende në pronësi kartonin e durrsakut. Dje u hodh dhe shorti për turin e tretë të Europa League. Fituesi i çiftit Utreht-Tirana do të ndeshet me zviceranët e Lucernës, ndërsa i kualifikuari i Besa-Olimpiakos me fituesin e çiftit Makabi Tel-Aviv (ISR)–FK Mogren (MNE). Por shanset që Tirana dhe Besa të kualifikohen për në turin e tretë thuajse nuk ekzistojnë fare, pasi të dyja ekipet i kanë humbur dy ndeshjet e para me rezultate të thella, përkatësisht 4-0 dhe 0-5.
#