E Diel, 1 Nëntor 2026

Refuzoi Shqipërinë, por Mavraj mban flamurin kuqezi

Mbrojtësi “Nuk më intereson si më quajnë, zemra ime është kuqezi”

Katër muaj më parë refuzoi të përfaqësohej në arenën ndërkombëtare me fanellën e Shqipërisë. Në fakt, trajneri Josip Kuzhe shpresonte se do ta kishte në dispozicion për sfidën e 3 marsit me Irlandën e Veriut (të fituar 1-0 në “Qemal Stafa”), por Mërgim Mavraj lajmëroi në federatë se do të priste një ftesë nga Gjermania. Kjo bëri që ai të shndërrohej në “tradhtar” në sytë e opinionit dhe tifozëve, ndërsa ndaj 22-vjeçarit nuk kanë munguar as fyerjet. Por, mbrojtësi i Bokumit ka treguar se ndihet shqiptar. Këtë e tregon flamuri kuqezi, të cilin e ka marrë me vete në fazën përgatitore të skuadrës, duke e varur mbi kokën e krevatit në dhomën e hotelit ku Bokumi është akomoduar. “Flamurin kuqezi e kam vënë në krye të dhomës. Gjithmonë e marr me vete dhe e vendos në dhomën e hotelit gjatë përgatitjeve. Flamurin me shqiponjën dykrenore e kam edhe në shtëpinë time”, ka deklaruar Mavraj për kosovaren “Express”. Ai ka folur edhe për të ardhmen, duke bërë të ditur se nuk do ta rinovojë kontratën me Bokumin, që skadon në vitin 2011. “Aktualisht jam i mendimit që nuk do ta vazhdoj kontratën me klubin”, theksoi mbrojtësi që u transferua te Bokumi në vitin 2007 nga Darmshtadt 98.

#

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›