Starova kryqëzon mbrojtjen: Goleada? Gabuam shumë prapa
Tirana rikthehet kokulur në shtëpi. Ajo humbje e thellë 4-0 në përballjen e së enjtes në mbrëmje me holandezët e Utrehtin në stadiumin e “Galdenvaard”, e vlefshme për turin e dytë të Europa League, i ka lënë pa fjalë të gjithë. Tirana jo vetëm që nuk ka mundur të dalë në lojën e saj, por ka vuajtur shumë, duke iu dashur t’i nënshtrohet mënyrës së lojës së kundërshtarit, i cili për të thënë të vërtetën ka qenë i papërmbajtshëm. I vetmi që tenton të thotë diçka është vetë trajneri i Tiranës, Sulejman Starova. Edhe tekniku bardheblu i bashkohet zhgënjimit të të gjithë shqiptarëve, të cilët prisnin më shumë nga 24 herë kampionët e Shqipërisë, sidomos pas asaj paraqitjeje mbresëlënëse në turin e parë, ku mundën të siguronin kualifikimin falë një fitoreje 0-1 me lojë bindëse në shtëpinë e hungarezëve Zalaegerszegi Torna Egylet (ZTE). Trajneri i kryeqytetasve e justifikon këtë humbje si një rezultat logjik të përballjes së dy shkollave shumë të ndryshme të futbollit, asaj holandeze e cila ka shkruara faqe të tëra të historisë së futbollit europian dhe ndërkombëtar, dhe asaj shqiptare, e cila shpesh, në ndeshjet e Kupave të Europës ngjan me një “filozofi pa filozofi”. “U përballën dy shkolla të ndryshme, që do të thotë se u përball futbolli holandez me atë shqiptar dhe rezultati ishte diferenca mes dy vendeve në futboll”, ka nënvizuar Starova. Skuadra ishte inekzistente në fushë ndaj Utrehtit. Holandezët i morën që në minutat e para frenat e lojës në dorë, për të mos i lëshuar ato deri në vërshëllimën triherëshe të gjyqtarit që sinjalizoi fundin e ndeshjes. Pësimi i golit të parë pas vetëm 8 minutash lojë u pasua nga dy gola të tjerë në minutat 27 dhe 30. Por u vu re se edhe pse në dizavantazh, Tirana nuk mundi të reagonte thuajse për asnjë moment Utrehtin, i cili shënoi edhe një gol të katërt në 45 minutat e dyta, por mund të kishte realizuar edhe më shumë. Starova mund ta kishte parashikuar një humbje ndaj holandezëve në transfertë, por jo në këto shifra të thella. Për këtë ai kryqëzon repartin difensiv të bardhebluve, i cili nuk tregoi impenjimin dhe përqendrimin e duhur në mbulimin e kundërshtarëve, që thuajse në çdo moment që i afroheshin portës, krijonin raste për gol. “Kam rezerva për mbrojtjen, thekson trajneri. Kam shumë rezerva, sepse me pak më shumë kujdes mund ta kishim evituar atë humbje të thellë”. Një turpërim i tillë si protagonist Starova nuk do t’ia kishte uruar vetes, por ja që gjithçka tashmë është ezauruar. Ndaj atij nuk i mbetet gjë tjetër veçse të tregohet i ndershëm. “Gjithsesi e pranoj, se ata ishin shumë lart dhe shumë larg nesh. Tirana me këtë gjendje që ishte nuk mund ta shmangte dot humbjen, por mund të kishte shmangur të paktën atë goleadë”. Atë goleadë e cila ka venitur edhe shpresën më të vogël të tifozit më të zjarrtë të bardhebluve për një kualifikimi të mundshëm. Një gjë e tillë duket një mision i pamundur. 90-minutëshi i ndeshjes së kthimit në Tiranë duket se vlen vetëm për të zyrtarizuar kualifikimin e holandezëve. Gjithsesi, drejtuesit e lartë të klubit kanë paralajmëruar se tani skuadrën e Tiranës e pret një “gjyq” për këtë humbje të dhimbshme.
#