Kuzhe sfidoi oktapodin Pol, gjeti dështimet e Italisë dhe Brazilit
Gjatë Kupës së Botës 2010, por edhe tashmë që ka kaluar një javë nga mbyllja e aktivitetit në Afrikën e Jugut, mediat ndërkombëtare i kanë rezervuar një hapësirë të konsiderueshme oktapodit Pol. Kafsha ujore e akuariumit të Oberhauzenit në Gjermani, u cilësua si “orakulli”, për shkak se nuk gaboi në parashikimin e asnjë prej fitueseve të tetë ndeshjeve, për të cilat u vendos në provë. Por, në një distancë prej mijëra kilometrash, në Zagreb të Kroacisë, protagonist është bërë edhe trajneri Josip Kuzhe. Drejtuesi i stolit të Kombëtares shqiptare u shndërrua në personazhin e preferuar të mediave kroate për të bërë analiza teknike dhe parashikime për skuadrat e botërorit. 57-vjeçari i njohur ndryshe edhe si “profesori”, ka arritur të gjejë që përpara startit të evenimentit madhor se Italia nuk do të arrinte të kalonte as fazën e grupeve. Fjalët e tij ngritën mjaft diskutime, edhe sepse dukej e pamundur që kampionët e botës në fuqi të bënin një paraqitje kaq të dobët: megjithatë, “axurrët” e Lipit zhgënjyen, duke u renditur në vendin e fundit në grup, me vetëm 2 pikë të grumbulluara. Kuzhe bëri edhe një tjetër parashikim që fillimisht nuk u prit mirë. Përpara ndeshjes çerekfinale ndërmjet Holandës dhe Brazilit, ai deklaronte se skuadra e Dungës do të dështonte përballë formacionit “portokalli” të Van Marvijk. Të gjithë u habitën nga “guximi” i ekspertit kroat, i cili është një njeri që e njeh mirë futbollin. Megjithatë, edhe në këtë rast realiteti përkoi me mendimin e trajnerit të Shqipërisë.
Rreth parashikimeve të sakta, Josip Kuzhe ka deklaruar: “E kam të qartë që mund të shfaqem paksa arrogant, por nuk më intereson: nëse do të më kishin pyetur në datat e ndeshjeve, do të jepja parashikime më të detajuara”. Ai shtoi: “I guximshëm për dështimin e Brazilit? Mora si të mirëqenë faktin se çdo skuadër që kërkon rezultate duhet të luajë fort. Një bazë vlerësimi ishin rezultatet e mëparshme dhe në botëror Holanda u paraqit si më e fortë se Brazili. Edhe pse Dunga është një trajner që kujdeset për organizimin, forcën dhe disiplinën, ‘seleçao’ nuk kishte më sulmin si armën më të fortë: ata shfaqën probleme në taktikat ofensive”.
#