E Diel, 1 Nëntor 2026

Izraeli po armatos Azerbajxhanin

Zyrtarët izraelitë të mbrojtjes kanë konfirmuar marrëveshjen për t’i shitur armë Azerbajxhanit, në vlerë prej 1.6 miliardë dollarë.

Burimet e njëjta kanë thënë se kjo marrëveshje ka funksionuar për disa kohë dhe nuk është përgjigje ndaj programit bërthamor të Iranit apo përpjekjeve të agjentëve iranianë për të vrarë diplomatë izraelitë në Indi, Tajlandë, Gjeorgji dhe Azerbajxhan.

Lajmi vjen në kohën kur tendosjet mbi programin bërthamor të Iranit janë rritur në nivele kritike. Ekipi i Agjencisë Ndërkombëtare për Energji Bërthamore, pasi ka vizituar Iranin ditë më parë, ka thënë se ai ka përshpejtuar punën për pasurimin e uraniumit dhe se ka shqetësime serioze për “dimensionet e mundshme ushtarake” të programit të tij bërthamor.

Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, tha se do t’i ngrejë këto shqetësime në takimin me presidentin amerikan, Barack Obama, që pritet të ndodhë gjatë kësaj jave në Washington.

Irani këmbëngul se programi i tij ka qëllime paqësore, por Perëndimi ka vendosur një sërë sanksionesh kundër tij, nga frika se synon krijimin e armëve bërthamore.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›