E Shtunë, 31 Tetor 2026

Derbi, vendimi, Partizani-Tirana do luhet në “Qemal Stafa”

TIRANE-Kupa e Shqipërisë zhvillon nesër turin e saj të parë, ku vëmendja e të gjithëve është te derbi Partizani-Tirana. Ndeshja që i mungon prej 3 vitesh futbollit shqiptar nuk ka rëndësinë e dikurshme për shkak të nivelit të të kuqve, por tifozeria dhe lojtarët e ndjejnë jo pak vlerën e saj.

E megjithatë, derbi deri mbrëmë vonë derbi nuk kishte ende një stadium, por një takim mes palëve ka zgjidhur gjithçka dhe ndeshja e Kupës do të luhet në “Qemal Stafa”. Të kuqtë kërkonin që ajo të zhvillohej në “Selman Stërmasi”, për shkak se aty luajnë gjithë kohës, ndërsa edhe FSHF nuk ishte dakord për stadiumin kombëtar, pasi i druhej faktit që mund të prishej fusha për ndeshjet e kombëtares. Gjithsesi, përplasja mori fund dhe derbi luhet në “Qemal Stafa”.

Rikthehet derbi i zjarrtë, tifozët nisin organizimet
Ndeshja e nesërme mes Partizanit dhe Tiranës ka rikthyer ethet e derbit të madh të Shqipërisë në kryeqytet. Tifozët prej disa ditësh kanë nisur organizimin, teksa grupimet kryesore në të dy krahët pritet të jenë protagonistet e vërteta të sfidës. Në fakt, duke parë disnivelin mes dy ekipeve, është e vështirë që në fushë Partizani të bëjë diçka, por është e sigurt se në tribuna, tifozët e këtij ekipi do të jenë më të shumtë në numër.

Partizani-Tirana është padyshim derbi më i rëndësishëm i kampionatit, por ai mungon që prej vitit 2009, kur të kuqtë ranë një kategori më poshtë dhe më pas në të dytën. Kjo ndikoi direkt edhe në bukurinë e kampionatit, duke parë tifozët e shumtë që ka Partizani anembanë Shqipërisë.

(d.b/a.latifi/BalkanWeb)

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›