E Diel, 1 Nëntor 2026

Derdimenët që shohin pallavra me rikonfigurime kufinjsh

Ata që i mbajnë mend lodrat e Serbisë që i bënte për të penguar pavarësinë e Kosovës, e dinë që ky derdimeni politik, në qoftë se e lejon Amerika, këtë "bashkim" mund ta bëjë fare kollaj dhe më parë se pavarësinë. Sepse, një "bashkim historik" të këtillë, me ca bjeshkë dhe nja dy-tre qyteza pranë kufirit me Shqipërinë e ofronte vetë Serbia në këmbim për pavarësinë

Një prononcim "patriotik" i këtoditshëm i kryetarit të Kuvendit të Republikës së Kosovës na stepi akull mendjen, se dha një fakt se ca nga lidershipi kosovar pavarësinë e kanë marrë me shaka dhe rrokull ditëve hedhin ca gurë shakaje si "replikime" ndaj Serbisë, e cila di edhe di si t'ua trazojë cave shakatë për të bërë mandej më lehtazi punën e saj. Prononcimi i kryetarit-ish që, nëse Serbisë i shkon fjala edhe më tej në Kombet e Bashkuara për të prishur pavarësinë e Kosovës, mund të ngjajë që vetë kosovarët ta prishin atë para Serbisë, e ta "trembin" botën e Serbinë me bashkimin me Shqipërinë! Një
prononcim i këtillë, për njerëzit që mendohen mirë politikisht, vjen me thënë se një derdimen politik i kallëpit të vet hedh një gur dhe njëmijë të mençur nuk do të mund ta tundin vendit. Një njeri që është zgjedhur të tregojë se kosovarët janë zotër të vendit dhe me pavarësinë janë edhe zotër të politikës, sa ka nisur të dëshmojë pavarësinë, mund të
kthejë mendje e të bëjë gjoja "bashkim" historik! Dhe ata që i mbajnë mend lodrat e Serbisë që i bënte për të penguar pavarësinë e Kosovës, e dinë që ky derdimeni politik, në qoftë se e lejon Amerika, këtë "bashkim" mund ta bëjë fare kollaj dhe më parë se pavarësinë. Sepse, një "bashkim historik" të këtillë, me ca bjeshkë dhe nja dy-tre qyteza pranë kufirit me Shqipërinë e ofronte vetë Serbia në këmbim për pavarësinë. Edhe mendja e këtij derdimeni, si mund të ngjajnë punët, nuk shkon apo ka shumë gjasa që të mos shkojë përtej kësaj oferte serbe. Sepse, kuptimi politik i "mendjes që mund të ndryshojë" për të bërë "bashkimin historik" i cave nga lidershipi kosovar, përçudnon vullnetin politik të popullit të Kosovës për pavarësinë dhe banalizon e shfytyron ndjenjën shtetformuese të këtij populli. Se nga gojë e një "të pari" në kryeinstitucionin të pavarësisë, sikundër është kuvendi i Kosovës, dëshmohet një fakt politik se vetë lidershipi i saj Kosovën nuk e ndjen si një tërësi territoriale të pacenueshme, të paprekshme, e aq më tepër vetë ky e ndjen si me akull atë copëz territori sikundër është Mitrovica veriore, si një territor të huaj dhe rri akull në mëndje edhe nëse atë e shkëpusin, se ua "shpengon" këmbët që këta mandej të bëjnë "bashkimin" me ato copëza qytezash dhe bjeshkësh rreth Shqipërisë…?! Kjo për arsye se, kur "shpengon" Serbinë të bëjë tutje hapa në mohimin e pavarësisë gjer në prishjen e saj, ajo njëherësh shpengohet që të hedhë edhe hapin tjetër që vjen pas kësaj - të shtyjë kufirin e copëzimit të Kosovës edhe këndej Ibrit, gjer në Graçanicë dhe vetë do jetë e para që shqiptarëve do t'ua urojë "bashkimin" e dëshiruar kësisoj, sikundër që edhe thoshte më parë kur e bënte atë ofertën e njohur të saj. Prononcimi i derdimenit politik që kish kuptimin e "ndryshimit të mendjes", tash ka gjasa reale që ta bëjë Serbinë edhe më këmbëngulëse që ta provokojë me të madhe ndër shqiptarë këtë "ndryshim mendjeje", si çdo provokim që e ka bërë gjer më tashi, nga se mori një fakt mbi luhatshmërinë vetëposhtëruese ndaj pavarësisë dhe ndaj shtetit të tyre të cave nga lidershipi i Kosovës dhe mund ta hedhë në tryezë këtë kartë fare kollaj edhe në Kombet e Bashkuara. Tashti, po ta vrasim mendjen më hollë, del më e qartë puna se pse Serbia del fituese, hap pas hapi, në këmbëngulësinë e saj, në përpjekjet për të prishur pavarësinë e Kosovës. Me shtrirjen e EULEX-it sipas planit të saj dhe me sponzorizim të Kombeve të Bashkuara, që erdhi si rezultat i meftësisë, të derdimenllëkut politik të kësaj klase politike kosovare dhe luhatshmërisë së saj ndaj pavarësisë, Serbia ia nguli një thikë të mprehtë Kosovës dhe tashti, me të dëgjuar këtë prononcim, bën gati dorën për të ngulur thikën tjetër. Ajo, me mendjen që e ushqen dhe që pret gafa e gurë shakaje të radhës nga lidershipi kosovar, do provojë të bëjë prapë tutje në këtë drejtim të kobshëm për fatin e pavarësisë së Kosovës. Ka pasur gjer më tashi edhe "rrëshqitje me dashje" të tjera të lidershipit kosovar që i kanë dhënë dorë të shpenguar Serbisë që të këtillët "gurë shakaje" shqiptarëve t'i kthejë në mundësi për dobi të saj edhe para pavarësisë. Kjo për arsye se, projektit të saj për mposhtjen e Kosovës, lidershipi kosovar nuk i është përgjigjur me kundërprojekt të themeltë, sikundër e ka bërë Hamit Kokalari me "Kosova, zemra e shqiptarizmit", që është një kundërpërgjigje historike projektit serb të Garashaninit dhe mitit të rrejshëm serb mbi Kosovën si "djep i serbizmit", po i përgjigjet me ca deklarata të flashkëta, memece dhe me këngë të Shkurte Fejzës "Jo, nuk ndahet Mitrovica, o heeej..!!!
Tash, pas pavarësisë, nëse shqiptarët nuk duan ta turpërojnë veten historikisht dhe përfundimisht para Evropës, as një gisht nuk duhet të tërhiqen prej saj, se kombinimet e tjera, kushedi sa të "këndshme" për veshët shqiptare të jenë, e rrëzojnë këtë fat historik përjetë. Më parë, para pavarësisë, Serbia, ata që dinë historinë e saj, ata që kanë lexuar Cvijiqin e saj, e dinë që kjo ka mundur të vihet në qoshe, të vihet për muri me vetë dokumentet e saj, në të cilat vetë ajo pranon se si e ka bërë kolonizimin dhe serbizimin e Kosovës këtu e njëqind vjet më parë dhe si nuk e kemi penguar ne me vendosmëri, apo edhe me dallavere të poshtra ndaj fatit të vendit tonë, dhe ata politikanë Kosove që drejton fatet e Kosovës tashti, le të marrin ngenë dhe le të lexojnë veprën e akademik Rexhep Qosjes mbi kolonizimin serb të Kosovës, i cili ka bërë një punë historikisht më shqiptare që duhej të vihej në dobi të mendjeve politike, se deklaratat boshe, se gurët e shakave që rrëkëllejnë ca derdimenë të politikës së saj. Aty pra, në projektet antishqiptare serbe është dashur të gjendet thembra e Akilit për të mposhtur Serbinë në planin e saj për shkatërrimin e pavarësisë. Se aty do ta gjejnë politikanët kosovarë faktin se Mitrovica e veriut është për Serbinë vetëm një zorrë qorre, bile e kalbur, për interesat e saj, që s'vlen aq sa vlen Presheva e Bujanoci, nyja e udhëve të saj që degëzohet për në Lindje dhe për në pjesët e tjera të Ballkanit, dmth porta kryesore e Serbisë për dalje në këto anë. Posipas Cvijiqit, Presheva dhe Shkupi, për interesat serbe, janë më të rëndësishëm se vetë Nishi, sikundër thotë që edhe Ferizaj, ku përdegëzohen udhët e mëdha nëpër hapësirën shqiptare është më i rëndësishëm se Prishtina, prandaj duhet mbajtur në duart serbe..!!! Nga kjo, dhe shumë të tjera të pathëna me këtë rast, del se Serbia do vihej në qoshe, para pavarësisë, po që i vihej shtegu shqiptar në Preshevën, poqe se zihej porta e saj e madhe, e jo tash me "ikjen" shqiptare në "bashkim historik" me ca copëza qytetesh dhe bjeshkësh…!! Po, asohere, para pavarësisë dhe tashti, prapë bëhet një pyetje, pse lihet në elipsë të shurdhër ky fakt për të ngushtuar Serbinë kështu, pse rrinë si të vdekshëm politikanët kosovarë për të trazuar Serbinë kështu dhe pse rrinë edhe vetë politikanët shqiptarë të anëve të Preshevës dhe Bujanocit, që janë sa serbët në Kosovë, në mos ca më tepër, dhe nuk e trazuan këtë opsion, ose - ç'po ndodh me ta, dhe a është rastësi që ndodh kështu me ta..?! Le ta bëjmë këtë pyetje më dendur, sa për të mos pasur kohë që të merremi me "gurët e shakasë" që rrëkëllejnë ca derdimenë politikë dhe që mund të mbarojnë hidhur për fatet e Kosovës..!!!
...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›