E Diel, 1 Nëntor 2026

Fokus/ Ndarja e Kosovës do të sjellë rikonfigurim kufinjsh, Bullgari shfaq e para pretendimet ndaj Serbisë

Ndarja eventuale e Veriut të Mitrovicës do të shkaktojë krizë të thellë në mbarë rajonin, por edhe më gjerë. Imune e ndarjes nuk do të jetë as Maqedonia, as Bosnja e as vet Serbia, thonë disa ekspertë vendas duke e komentuar planin gjashtëpikësh të Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, Ban Ki Mun. Në rast se Këshilli i Sigurimit të OKB-së i lejon që Serbia të përkujdeset për qytetarët e saj jashtë territorit të Serbisë, atëherë edhe Shqipëria duhet të kërkojë që t'i mbrojë shqiptarët kudo që janë. "Gjashtëpikëshi është një projekt i dëmshëm për Kosovën dhe për sovranitetin e saj si shtet dhe për tërësinë territoriale të saj, e cila do ta pengon zhvillimin e mëtutjeshëm të Kosovës si shtet shumetnik. I mundshëm është efekti domino, i cili në Maqedoni do të ketë reflekset e veta. Në rast se vjen deri te ndarja e Veriut të Mitrovicës, nuk do të mbetet vetëm këtu çështja e rikonfigurimit territorial të shteteve. Padyshim që kjo do të ketë reagim zinxhirorë, në rend të parë në Bosnjë, Maqedoni, Mal të Zi dhe në vet Serbinë", ka thënë Naser Zyberi. Edhe profesori në Universitetin e Evropës Juglindore, Jeton Shasivari, thotë se ndarja eventuale e Kosovës do të shtyjë në një krizë të thellë tërë rajonin, por edhe më gjerë. "Vet gjashtëpikëshi i Këshillit të Sigurimit bie ndesh me tre pikat e Grupit të Kontaktit, me të cilat në garantohet sovraniteti territorial i Kosovës. Në rast se vjen te ndarja e Kosovës, atëherë do të kemi ndryshim radikal të politikës së jashtme të Shqipërisë. Prej atij momenti shteti shqiptarë do ta ndryshojë politikën e jashtme sa i përket shqiptarëve që jetojnë në shtetet tjera. OKB-ja mbi bazë të të njëjtave parime që i lejoi Serbisë që të rikthehet në Kosovë, mbi bazën e të njëjtave parime duhet t'ia mundësojë edhe Shqipërisë përkujdesjen e saj jashtë shtetit shqiptarë", ka thënë profesori Shasivari. Sipas tij, standardet e dyfishtë të cilat i promovon KS krijojnë hapësira që në të ardhmen në Ballkan të kemi ndryshim të kufijve. Shasivari shpreh kritika edhe ndaj diplomacisë kosovare. Sipas tij, diplomacia kosovare nuk është treguar shumë e suksesshme në tentimin e saj që të bindin OKB-në se një plan i tillë do të jetë i dëmshëm edhe për vet bashkësinë ndërkombëtare. "Gjashtëpikëshi e manifeston edhe dobësinë e diplomacisë kosovare, konkretisht të Presidentit dhe Kryeministrit të Kosovës, të cilët në fillim nuk iu qasën me seriozitet këtij problemi. Kreu shtetëror në fillim kishte qëndrim, pastaj ka mesi filluan të distancohen dhe kur e gjithë puna ishte gati u distancuan tërësisht nga dy pikat të cilat janë të papranueshme për Kosovën", ka thënë Shasivari, sipas të cilit për këtë përgjegjësi politike duhet të mbajnë Kryeministri dhe Presidenti i Kosovës. Po kështu, edhe të gjitha partitë politike shqiptare në Maqedoni janë distancuar nga gjashtë pikat e OKB-së. Për nënkryetarin e BDI-së, Rafiz Haliti, deklarata e kryetarit të Parlamentit të Kosovës, Jakup Krasniqi, se shqiptarët duhet t'i hapin letrat e bashkimit janë qëllimmira pasi situate në Kosovë është shumë e ndjeshme. "Deklaratat e krerëve të Kosovës duhet të merren si preventivë, pasi gjashtë pikat e OKB-së bien ndesh me Grupin e Kontaktit. Shpresoj se institucionet e Kosovës do të koordinohen me EULEX-in dhe se nuk do të mund të realizohen planet për ndarjen e Kosovës", ka thënë Haliti.
Bullgaria kërkon Strumicën/Një parti e ekstremit të djathtë në Bullgari i kërkoi Maqedonisë t'i kthejë Bullgarisë territoret e përvetësuara gjatë Luftës së Parë Botërore. Dimitar Stoyanov, lideri i partisë Ataka dhe euro-parlamentar në Bruksel deklaroi se Maqedonia duhet t'i kthejë vendit të tij Strumicën, ndërsa Serbia duhet t'i kthejë asaj Dimitrovgrad dhe Bosilegrad, që ndodhen në lindje të vendit. Këto qytete, siç ka thënë Stoyanov, iu hoqën Bullgarisë sipas një traktati që përcaktoi kufijtë e Ballkanit menjëherë pas Luftës së Dytë Botërore. "Dihet mirë se Strumica dhe vendi për rreth saj i ka takuar dhe është pjesë e Bullgarisë. Kjo pjesë iu hoq Bullgarisë sipas një traktati që përcaktoi kufijtë e Ballkanit menjëherë pas Luftës së Dytë Botërore. Edhe Serbia duhet ta kthejë Dimitrovgradin dhe Bosilegradin, që janë pjesë e territorit tonë. Kufijtë patjetër të rishikohen", ka thënë para gazetarëve bullgar, lideri i ATAKA-s, Dimitar Dtoyanov. Ndërkohë, askush nga zyrtarët e Qeverisë në Shkup nuk ka dashur të komentojë deklaratat e Stoyanovit, i cili konsiderohet si nacionalist bullgar dhe që asnjëherë nuk ka pranuar identitetin e maqedonasve. Ndryshe, këto "deklarata të nxehta" të liderëve bullgarë më parë janë theksuar edhe për historinë e Maqedonisë, e cila sipas zyrtarëve të lartë bullgarë, është pjesë e Bullgarisë dhe se maqedonasit janë pjesë e popullit bullgar. Me këtë rast, shumica e festave dhe përvjetorëve të patriotëve maqedonas, manifestohen edhe në Bullgari.
...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›