E Shtunë, 31 Tetor 2026

Europa dhe justifikimet për Kremlinin

Për pjesën më të madhe të kohës pas vitit 1945, ishte e kuptueshme që partitë e qendrës së djathtë në Europë të shfaqeshin. "armiqësore" ndaj Rusisë. Sharl dë Gol e "frikësoi" Francën, duke thënë se Ushtria e Kuqe ishte gati të sulmonte në distancën mes dy fazave të Turit të Francës nga kufijtë francezë. Konrad Adenauer, kancelari i parë i Gjermanisë Perëndimore refuzoi të njihte çdo shtet që fliste me satelitin e Rusisë në lindje të Murit të Berlinit. Margaret Theçër e Britanisë, e përdori shprehjen "perandoria e djallit" për Rusinë, ndërsa Helmut Kol i Gjermanisë, u përball me demonstratat e mëdha kundër raketave amerikane që kishin për qëllim të parandalonin sulmet bërthamore sovjetike. Në kontrast me këtë, e majta europiane harxhoi kaq shumë kohë duke gjetur justifikime për gjithçka që donte Kremlini. Sot ka një përmbysje të çuditshme të të gjithë kësaj. Përkrahësit më të mëdhenj të kryeministrit Vladimir Putin dhe presidentit Dimitri Medvedev, ndërsa ata formësojnë regjimin e ri autokrat dhe përpiqen të ndryshojnë kufijtë e Europës me forcë, janë liderët e qendrës së djathtë. Silvio Berluskoni bëri humor me Barak Obamën për "nxirjen e tij nga dielli", por ai ka vetëm buzëqeshje për Putinin. Angela Merkel e Gjermanisë shkoi në Tbilisi, ndërsa tanket ruse hynin në enklavat e Osetisë së Jugut dhe Abkazisë dhe u duk se shfaqi solidaritet me gjeorgjianët, duke thënë se ata do të anëtarësoheshin në NATO. Kur u kthye në Berlin, ajo tha se nuk donte të thoshte pikërisht këtë. Kthesa më kurioze është ajo e presidentit francez, Nikolas Sarkozi. Gjatë fushatës presidenciale ai denoncoi heshtjen për 200 mijë viktimat në Çeçeni nga rusët dhe premtoi se do të ftonte armikun më të madh të Putinit, Geri Kasparov, në pallatin Elize. Sot, Sarkozi ka vendosur të jetë miku më i mirë i Rusisë. Sarkozi i tha Medvedevit në samit BE-Rusi në Nisë, se problemi më i madh ishte vendimi i polakëve dhe çekëve për të pranuar një propozim amerikan për të vendosur raketat në territorin e tyre. Kjo nxiti një reagim të ashpër nga ana e Polonisë dhe Republikës Çeke, që thanë se ato janë vende sovrane dhe se do të vendosnin vetëm për politikën e jashtme dhe aleancat ushtarake. Sarkozi e ka harruar Europën Lindore me prirjen e tij pro Kremlinit. Të tjera qeveri konservatore gjejnë shfajësime për Kremlinin. Politikanët italianë thonë se varësia energjetike nga Rusia e detyron atë të flasë miqësisht me Rusinë. Berluskoni ka kundërshtuar projektin Nabucco, që sjell naftën nga Kaspiku duke anashkaluar territoret e kontrolluara nga Rusia. Tashmë ai ka nënshkruar projektin energjetik të quajtur "South Stream" me Kremlinin, që e lë Italinë në mëshirën e politikave energjetike të Rusisë. Në Britani, politika e jashtme konservatore e ambasadorëve të kthyer ka gjetur mjaft justifikime për pushtimin e Gjeorgjisë nga Rusia. Organizatat "Human Rights Watch" dhe "Amnesty International" e kanë kritikuar mungesën e zbatimit të ligjit dhe lirisë së shtypit në Rusi. David Miliband, sekretari i Jashtëm i laburistëve britanikë foli në Kiev për zakonin e Rusisë për të trajtuar fqinjët si vasalë apo armiq. Carl Bildt, ministri i Jashtëm liberal i Suedisë dhe një prej zyrtarëve më me eksperiencë të politikës së jashtme të Europës, ka përdorur një gjuhë më të butë. Në Francë, gazeta e majtë "Liberation" është treguar kritike ndaj ekspansionit rus. Që të jemi të qartë, edhe një pjesë e madhe e së majtës europiane, përfshi këtu socialdemokratët e Gjermanisë, e kanë më të lehtë të kritikojnë frikën e gjeorgjianëve dhe ukrainasve sesa të flasin kundër Rusisë. Mbetet fakti se miqtë më të mirë të Rusisë gjenden në partitë konservatore që qeverisin në Europë. Ky përbën një problem për administratën e Obamës. Pas vitit 1945, amerikanët kishin besim te konservatorët e Europës për të mbështetur një lojë të qartë kundër Rusisë sovjetike. Tashmë që Uashingtoni i kërkon mbështetje Europës dhe pyet se çfarë qëndrimi do të marrë ndaj Rusisë, e djathta evropiane e Sarkozisë, Merkeliot dhe Berluskonit, do të preferonte të mos përgjigjej, dhe e majta nuk ka asnjë mendim për këtë. Sërish do të jetë detyra dhe përgjegjësia e Uashingtonit të vendosë vetë dhe pa një qëndrim të bashkuar dhe të qartë europian, se si duhet t'i përgjigjet bota demokratike Rusisë së sotme.

Autori është ish-ministri britanik për Europën
...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›