E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Dërgohet për gjykim dosja hetimore për 9-të anëtarët e grupit kriminal të Laert Haxhiut

TIRANË, 11 Nëntor /ATSH/ Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) ka përfunduar hetimet paraprake dhe ka paraqitur në Gjykatën e Posaçme për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar kërkesën për dërgimin për gjykim të procedimit penal Nr.227/1 të vitit 2023 ndaj nëntë të pandehurve, të cilët akuzohen për pjesëmarrje në një grup të strukturuar kriminal dhe kryerjen e disa veprave penale.

Në krye të këtij grupi qëndron Laert Haxhiu, i cili akuzohet për drejtimin dhe organizimin e veprimeve kriminale, ndërsa pjesëtarë të tjerë janë Artan (Marjus) Tafani, Lulzim Spahija (Arapi), Ligor Romacka, Bledar Berberi, dhe Erisiano Abedini. Ky grup kriminal akuzohet për një sërë krimesh, përfshirë:

Ky grup i strukturuar kriminal akuzohet se ka kryer veprat penale si më poshtë:

  1. “Shkatërrim i pronës me eksploziv” në dëm të shtetasit Arian Aliço, ngjarje e ndodhur më datë 05.04.2021 në  Lushnjë;
  2. “shkatërrimi i pronës me eksploziv” në dëm të shtetasve, Besnik Çoku dhe Erion Çoku, ngjarje e ndodhur më datë 29.05.2021, ora 02:15, lagjia “Gafurr Muço”, pallati Nr.4, Lushnjë;
  3. “vrasje me paramendim”, e kryer për interes, me viktimë Çajup Selimi, ngjarje e ndodhur më datë 01.06.2021, ora 21.15, në Tepelenë;
  4. “vrasje me paramendim” e ndodhur më datë 02.06.2021, me viktimë Fridman Xhaferraj, trupi i të cilit u gjet i pajetë më datë 13.06.2021, tek rezervuari i Gjançit, në Korçë;
  5. “vrasje me paramendim”, e kryer për interes, me viktimë Alban Semaku (Elton Mermali), ngjarje e ndodhur në lagjen Çezme, Peqin, më datë 17.10.2021;
  6. “vrasje për gjakmarrje” me viktimë Albi (Dijonist) Bashaliu, ngjarje e ndodhur në Gjoçaj, Peqin, më datë 27.12.2021;
  7. “vjedhje me armë” e automjetit të Gëzim Çepele, më datë 27.01.2022, në autostradën Tiranë-Elbasan, pranë karburant-bar-restorant Palmanova,Tiranë;
  8. “vrasje me paramendim” e mbetur në tentativë, në dëm të Kujtim Meta, e kryer për interes, e ndodhur më datë 20.04.2022, në Lushnje;
  9. “shkatërrim i pronës me eksploziv” në dëm të Bashkim Rajku e Rigels Rajku (Noizy),  ngjarje e ndodhur më datë 08.06.2022, në Durrës;
  10. “shkatërrim i pronës me eksploziv” në dëm të Bujar Turku, ngjarje e ndodhur më datë 01.11.2022, në  Lushnje;
  11. “shkatërrim i pronës me eksploziv” sërish në dëm të Bujar Turku/Resmije Turku, ngjarje e ndodhur më datë 31.12.2022, në  Lushnje;
  12. “vjedhje me armë” e automjetit në pronësi të Marjus Zejneli, e ndodhur më datë 22.02.2023, në Sallmone, Shijak (Durrës);
  13. “sigurim i kushteve dhe mjeteve materiale për të kryer vrasje” të Genci Hidës në Lushnjë, në periudhën prill-maj 2023;
  14. “mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit” në mjedise të hapura për publikun;
  15. “mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit’’në sasi të mëdha;

Krahas pjesëtarëve të grupit kriminal të përshkruar më sipër, hetimi ka provuar përfshirjen në kryerjen e krimeve edhe të të pandehurve si më poshtë:

I pandehuri Bujar Abedini, akuzohet për veprën penale “përkrahja e autorit të krimit”, e ndodhur më datë 01.06.2021, rreth orës 21:15, në lagjen “15 Shtatori”, Tepelenë, ku mbeti i vrarë me armë zjarri Çajup Selimi;

I pandehuri Mariglen Topuzi, akuzohet si bashkëpunëtor në vrasjen e kryer në dëm të Fridman Xhaferraj, më datë 02.06.2021, trupi i të cilit u gjet më pas (datë 13.06.2021) tek rezervuari i Gjançit;

I pandehuri Idriz Manej akuzohet për veprën penale “moskallëzimi i krimit’’, i vrasjes së Fridman Xhaferaj, ndodhur më datë 02.06.2021 në Korçë, trupi i të cilit u nxorr pas disa ditësh nga rezervuari i Gjançit;

I pandehuri Enriko Xhahysa, akuzohet si bashkëpunëtor me Artan (Marjus) Tafani, Lulzim Spahija (Arapi), Laert Haxhiu etj persona të paidentifikuar, në vrasjen për gjakmarrje në dëm të Albi (Dijonist) Bashaliu, ngjarje e ndodhur në Gjoçaj, Peqin, më datë 27.12.2021;

I pandehuri Bledar Berberi akuzohet dhe për “mbajtje pa leje e ofrim për shitje të armëve e municionit’’, para ngjarjes së datë 27.12.2021, në Gjocaj, Peqin, ku u vra Albi (Dijonist) Bashaliu;

I pandehuri Artan (Marjus) Tafani akuzohet për kryerjen i vetëm të veprave penale “vjedhje me armë” e pikës së këmbimit valutor, në pronësi të Shezai Çobo, në rrugën Tom Plezha, Astir, Tiranë, më datë 24.06.2023 dhe “mbajtje pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit luftarak”, në mjedise të hapura për publikun, në rastin arrestimit të Artan (Marjus) Tafani, më datë 24.09.2023, tek Hotel “Rio”, në autostradën Lushnje-Fier, lagjia Saver.

Laert Haxhiu, i arrestuar në Greqi dhe ekstraduar në Shqipëri, sipas SPAK, dyshohet se ka udhëhequr dhe drejtuar grupin për të ndërmarrë veprime hakmarrëse kundër anëtarëve të një grupi tjetër kriminal. Aktet e tyre kriminale kanë përfshirë edhe vrasje të motivuara nga hakmarrja dhe shkatërrime të pronave.

SPAK bën të ditur se hetimet ndaj Laert Haxhiut dhe personave të tjerë të përfshirë në këtë rast do të vazhdojnë në kuadër të procedimit penal të vitit 2023.

/a.f/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›