E Diel, 1 Nëntor 2026

Dërgohet për kurim në Greqi ish i burgosuri politik Gjergj Ndreca

Dërgohet për kurim në Greqi ish-i burgosuri politik Gjergj Ndreca i cili disa ditë më parë tentoi të vetëdigjet.
 

Ndreca është dërguar mëngjesin e sotëm me mbështetjen e PS-së drejt shtetit fqinj për të marrë një ndihmë më të specializuar në një nga spitalet e kryeqytetit grek, Athinës.
 

Përfaqësuesja e PS-së Keti Bazhdari në një prononcim për mediat i bëri sërish apel qeverisë të negociojë me ish-të përndjekurit politik të cilët ndodhen në grevë urie për të bërë të mundur zgjidhjen e situatës së krijuar.
 

“Qeveria nuk duhet të tregohet rraciste dhe duket të kuptojë që kjo është një grevë ekonomike dhe jo politike. I bëjmë apel qeverisë të negociojë me ish-të burgosurit politik që të mos shohim më akte të tilla” theksoi Bazhdari.
 

Gjergj Ndreca tentoi të vetëdigjet disa ditë më parë pranë çadrave të grevës së ish-të burgosurve politik ndërsa shembullin e tij e ndoqi edhe kolegu i tij Lorik Bejko i cili gjendet i shtruar në QSUT me 50 përqind djegie në trup.
 

Ndërkohë, një tjetër ish i dënuar politik ka tentuar mbrëmjen e djeshme t`i vendos flakën vetes në afërsi të çadrave të grevës së urisë së ish të burgosurve politik por fatmirësisht policia ka parandaluar djegien e tij.
 

Grupi i ish-të përndjekurve prej 21 ditësh është ngujuar në grevë urie duke kërkuar dëmshpërblimin dhe një sëri kërkesash të tjera që pretendojnë se janë lënë në harresë nga shteti.

 

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›