Kastriot Bezati fiton betejën, Pallati i Kulturës i rikthehet bashkisë së Përmetit
Gjykata Kushtetuese vendosi kthimin e Pallatit të Kulturës së Përmetit, bashkisë së këtij qyteti, i cili ishte zaptuar prej 16 vitesh nga Kisha Ortodokse. Merita kryesore e këtij vendimi i takon studiuesit të njohur Kastriot Bezati. Patrioti përmetar ishte njeriu kryesor që nisi një betejë me kishën për rikthimin e Pallatit të Kulturës në rolin që i takon. Bezati nëpërmjet disa shkrimesh botuar në gazetën Tirana Observer sensibilizoi opinionin publik për këtë grabitje që i ishte bërë Përmetit. Madje duke mos u ndalur me kaq, ai ishte edhe një organizatorët kryesor të dërgimit të gjyq të kësaj çështje.
Incidentet
Por ekzekutimi i këtij vendimi nuk ka kaluar pa incidente mes zyrës së Përmbarimit dhe komunitetit Ortodoks në Përmet, pjesëtarë të të cilit ndodheshin në kishë. Përmbaruesit të mbështetur dhe nga policia private kanë ndërhyrë me forcë, duke larguar nga Pallati i Kulturës, ikona të Kishës, këmbana, si dhe materiale të tjera. Përmbaruesit kanë hequr kryqin nga godina e Pallatit të Kulturës dhe kanë vendosur atje flamurin shqiptar. Kryetari i zyrës Përmbarimore, Fatos Alimadhi, deklaroi se përfaqësuesit e kishës kanë përdorur forcën dhe presione për të bllokuar punën. Përmbarimi thjesht ka ekzekutuar një vendim të formës së prerë të Gjykatës Kushtetuese, veprim që duhet të ishte zbatuar 10 vite më parë, tha Alimadhi. Përfaqësuesit e Kishës ortodokse në Përmet pretendojnë pronësinë e truallit, ndërkohë që të gjitha shkallët e gjyqësorit kanë rrëzuar pretendimet e saj. Ambientet në Pallatin e Kulturës tashmë do ti kalojnë Bashkisë së Përmetit.
Historia e Pallatit të Kulturës
Godina dykatëshe, dikur krenaria e përmetarëve, ka heshtur së funksionuari në vitin 1997. Prej 16 vitesh objekti në fjalë është bërë mollë sherri midis Bashkisë së Përmetit dhe Kishës Ortodokse. Të dyja palët kanë pretenduar pronësinë, por askush nuk i ka dalë zot. Pallati i Kulturës u ndërtua 51 vjet më parë, në vitin 1962. Pas Luftës së Dytë Botërore, në truallin ky është ngritur Pallati i Kulturës dhe lulishtja e qytetit, jetonin në baraka 30 familje. Në vitin 1958 u shpërngulën, pasi sistemi komunist hartoi një plan rregullues. Në nëntor të vitit 1962 u inaugurua lulishtja e qytetit sëbashku me Pallatin e Kulturës.
Reagimi
Mitropolia e Gjirokastrës dënoi përdorimin e dhunës në kishën e Përmetit, ndërsa theksoi e gjithë kisha është në krah të besimtarëve të Enorisë së Hyrjes në Tempull të të Tërëshenjtës Mari. Sot (dje) në Përmet, Komuniteti Ortodoks u bë dëshmitar i shkeljes më brutale të çfarëdo nocioni mbi demokracinë, të drejtat e njeriut në veçanti atij të ushtrimit të lirë të besimit siç sanksionohet në Kushtetutë si edhe të kushteve elementare që duhen garantuar për të në kuadrin e shtetit të së drejtës së barabartë. E gjithë Kisha jonë është në krah të besimtarëve të Enorisë së Hyrjes në Tempull të të Tërëshenjtës Mari në Përmet, proteston sepse sot (dje):
- u rrahën në mënyrë barbare klerikët e atij qyteti
- u penguan në mënyrë të dhunshme besimtarët që të hyjnë në kishën e tyre dhe të kryejnë detyrat e tyre të besimit
- forca që spekulojnë me procedura të ndryshme ligjore faktikisht synojnë largimin e dhunshëm të besimtarëve nga vendet e tyre të adhurimit. Ngremë zërin e protestës dhe njëherësh shprehim këmbënguljen tonë se nuk kemi për të braktisur përpjekjen me çfarëdo mjeti dhe metode që e drejta e jonë e pronës dhe e përdorimit të lirë të Kishës së Enorisë së Hyrjes në Tempull të të Tërëshenjtës Mari të realizohet plotësisht. Kërkojmë që forcat e errëta të dala jashtë çdo kontrolli të shtetit të së drejtës dhe frymës së tolerancës dhe kohezionit të shoqërisë që kryen aktet e sotme të dhunshme të marrin dënimin e merituar nga Ligji, përfundon deklarata.
Reagon Greqia: Të shqetësuar për dhunën ndaj priftërinjve
Edhe Greqia ka reaguar pas zbatimit të vendimit të gjykatave nga ana e përmbarimit, për ti kthyer Bashkisë së Përmetit Shtëpinë e Kulturës, e cila është përdorur nga Kisha Ortodokse për vite me radhë. Ministria e Jashtme greke, nëpërmjet një deklarate për shtyp, shprehet e shqetësuar për dhunën, sipas saj, ndaj priftërinjve dhe besimtarëve. Në deklaratë thuhet se Greqia uron që këto veprime të jenë kryer pa dijeninë e qeverisë shqiptare. Jemi të shqetësuar për aktet e dhunës ndaj priftërinjve në Përmet. Dhuna ndaj besimtarëve dhe heqja e simboleve fetare janë veprime të papranueshme. Shpresojmë që këto veprime të jenë kryer pa dijeninë e qeverisë shqiptare, thuhet në reagimin e Ministrisë së Jashtme greke.