Një alternativë punësimi dhe zhvillimi
Prof. Dr. Sokrat Jani
Popullsia e botës pritet të rritet e të arrijë në rreth 9 miliardë banorë deri në vitin 2050. Një mjedis me burime të kushtëzuara, që duhet të përballet me problemet e ndryshimeve klimatike dhe sigurinë e energjisë, për të siguruar ushqim të mjaftueshëm (sasi që përllogaritet të rritet të paktën në masën 70%) për të përmbushur kërkesën e popullatës për vitin 2050, paraqet një sfidë reale dhe të rëndësishme globale. Tashmë është botërisht e njohur se përparimet shkencore e kanë potencialin e nevojshëm për të sjellë teknologji të përparuara, të cilat mund të rritin produktivitetin dhe përmirësojnë e tij. Për rrjedhojë, investimi i vazhdueshëm për kërkimin dhe zhvillimin, është i një rëndësie të madhe, për të patuar sukses në përmbushjen e kërkesës globale për sigurimin në vijimësi të sasisë së nevojshme dhe të shëndetshëm të ushqimit. Koncepti i 'intensifikimit të qëndrueshëm", që citohet në shumë raporte, i referohet procesit të rritjes së rendimenteve bujqësore, pa ndikim negativ në mjedis dhe pa kultivimin e më shumë tokë. Ky koncept nënvizon qasjen e kërkuar nga kërkimet shkencore në fushën e bujqësisë ndaj sfidave të përshkruara më lart. Në ditët tona kërkimet shkencore në bujqësi synojnë zhvillimin e teknologjive të reja të prodhimit dhe qasje që maksimizojnë përfitimet nga burimet natyrore, ndërkohë që bëjnë mbrojtjen dhe rivendosjen e këtyre resurseve për përdorim të tyre në të ardhmen. Roli i shkencës është absolut për të ndihmuar fermerët dhe kultivuesit që të rrisin prodhimin e produkteve bujqësore e blegtorale dhe lëndëve të para për industrinë agro-ushqimore, ndërkohë që duhet të reduktojnë emetimin e lëndëve të dëmshme në mjedis dhe të ruajnë burimet natyrore. Konteksti i kësaj është një nga sfidat më të rëndësishme për qeverinë, shoqërinë, industrinë dhe shkencën. Kjo sfidë ka qenë artikuluar shumë mirë dhe në mënyrë autoritare gjatë 18 muajve të fundit në takimet evropiane. Kryeministri anglez, David Cameron, duke analizuar situatën, në mes të tjerave ka thënë se "ndryshimet janë duke ndodhur në botën tonë ... e cila ndikon drejtpërdrejt në aftësinë e botës së fermerëve për të përmbushur qëllimin e tyre esencial: të rritet mjaftueshëm ushqimi për të gjithë ne... Ndryshimi i klimës, krahas rritjes së popullsisë dhe ndryshimeve demografike, kërkon nga fermerët dhe prodhuesit që deri në vitin 2030 të prodhojnë 50% më shumë ushqime dhe materiale të tjera, duke përdorur më pak burime dhe që ndikojnë më pak mbi mjedisin”.
Në Evropë e më gjerë, dekadat e fundit, në fushën e shkencës bujqësore, janë bërë përparime të mëdha e të dukshme, si në rritjen e rendimenteve të bimëve bujqësore e blegtori, ashtu edhe në shtimin e artikujve të rinj dhe përmirësimin e cilësisë ushqimore të tyre, çka ka ndikuar dukshëm në përmirësimin e treguesve të jetës së qytetarëve. Avantazhe të tilla nuk do të kishin qenë të mundura pa investime të qeverive të vendeve të ndryshme në kërkimin shkencor dhe shtrirje të inovacionit në bujqësi. Progresi i mëtejshëm është i varur nga investimet e vazhdueshme dhe të shtuara, në mënyrë që të përqafojnë sfidat e reja që shtrihen përpara. Kërkimet duhet të sigurojnë teknologji me kosto efektive që mundësojnë shtrirjen e sistemeve të prodhimit, ndërsa ruajnë burimet e pakta natyrore. Ndërkaq duke folur për rëndësinë, rolin dhe detyrat e shkencës bujqësore në ditët tona, ministrja federale gjermane e bujqësisë, Ilse Aigner, thekson se " Institutet kërkimore të bujqësisë... prodhojnë mendime shkencore mbi çështjet që kanë të bëjnë me ushqimin, bujqësinë, pylltarin, peshkimin dhe jetën e konsumatorit. Ato i shërbejnë shoqërisë si një e tërë duke zgjeruar bazën e njohurive në këto subjekte. Ato janë pjesë integrale e komunitetit shkencor të Gjermanisë....Kërkimi shkencor dhe inovacioni në sektorin agro-ushqimor të vazhdoj të jap një kontribut të rëndësishëm në zgjidhjen e problemeve tona të ardhshme". Zhvillimi i një bujqësie konkurruese në shkallë ndërkombëtare është sfidë mjaft e rëndësishme për zhvillimin e ardhshëm edhe në vendin tonë. Përveç kësaj, sektori i bujqësisë tek ne duhet të përmbushë objektivat e tij të natyrshme, për të siguruar në vend të mirat publike në rritje, në aspektin e sigurisë ushqimore në rritje, përmirësimin e menaxhimit të burimeve natyrore, mbrojtjen e biodiversitetit, zbutjen e ndryshimeve klimatike, sigurinë e energjisë dhe për të përmbushur kërkesën për shërbime dhe të mira mjedisore. Kërkimi shkencor i fuqishëm i shoqëruar me një sistem të menaxhimit efektiv të njohurive, që është i integruar me palët e interesuara, luan një rol kyç në mbështetje të inovacioneve shkencore për zhvillimin e qëndrueshëm dhe konkurrues të sektorit të bujqësisë dhe në përmbushjen e një sërë objektivave. Shqipëria, edhe pse një vend i vogël, mund të luajë rolin e saj në përmbushjen e këtyre sfidave, nëse kërkuesit janë në ballë të kërkimit dhe inovacionit. Vendi ynë, për pozicionin gjeografik që ka, kushtet klimatike e tokësore, burimet natyrore, etj., duhet të luajë rolin e vet në këtë proces dhe për këtë arsye është me rëndësi jetike që njerëz dhe fonde të mjaftueshme për kërkimin në bujqësi të vihen në dispozicion për të mbështetur këtë kërkim në të mirë të publikut shqiptar.
Praktika ka treguar se asnjë qeveri, e cila nuk merr në konsideratë fshatin dhe bujqësinë, le të bëjë ç’të dojë tjetër, kurrë nuk arrin të zhvilloj vendin. Për këtë i referohem një deklarate të Merkel të para 5-6 vjetëve, kur u bëri thirrje politikanëve të parlamentit gjerman, theksoi “...që nga sot e në vijim të mos e konsiderojnë më Gjermaninë si një vend industrial, por si një vend bujqësor e industrial, që të shfrytëzojë mirë resurset e veta për të plotësuar nevojat e popullatës me produkte ushqimore të sigurta...”. Me iniciativën e saj, në Quedlinburg, nën ombrellën e Ministrisë Federale të Bujqësisë, në vitin 2008 u ngrit një institut i kërkimeve bujqësore, për të bërë kërkime të aplikuara dhe të ndihmojë politikë bërjen për të zgjidhur problemet afat shkurtra dhe afat mesme të bujqësisë. Po ne që kemi gjysmën e popullatës me banim në fshatë dhe që nuk kemi industri si Gjermania, çfarë bëmë në këtë periudhë kur mbarë bota dhe në veçanti Evropa i binte fort kambanave për zhvillimin e bujqësisë, mbrojtjen e mjedisit dhe sigurinë ushqimore? Ndonëse pas viteve ’90 Shqipëria dallohej për nivele më të ulëta në investimet për kërkimin shkencor dhe zhvillimin e ekonomisë bujqësore, krahasuar me vendet e tjera të rajonit, reformat politike për kërkimin shkencor, divulgimin dhe zhvillimin në zonat rurale, të ndërmarra me nxitim në vitin 2006, qenë hapi më shkatërrues që ka përjetuar ndonjëherë ky vend. Kërkimin shkencor dhe inovacionin në bujqësi, të trashëguar nga e kaluara me një sistem institutesh, qeveria Berisha e shkatërroi përfundimisht. Më parë, pa njohur funksionet, objektivat, drejtimet dhe arritjet e tyre, i kishte baltosur ato, duke i quajtur marrëzisht "krijesa sovjetike"; me tej , me famëkeqin VKM 515, datë 19.07.2006, në vend që të bënte reformimin e tyre, ti bënte ato më funksionale e më efektive, në përshtatje me kushtet e vendit e të ekonomisë, i shkriu fare, duke e justifikuar me djallëzi këtë veprim obskurantist, se këtë kërkim na e bëjnë universitetet. Për fat të keq, sot jemi i vetmi vend evropian pa institute të kërkimit shkencor në bujqësi. Askush nuk u kujtua për 7 vjet të bënte një analizë se çfarë efekte pati një politikë e tillë idiote. Vende të tjera në Evropë, madje edhe me bujqësi e fshat më të zhvilluar se ne, me një trashëgimi të kërkimit shumë më të vjetër e më të pasur se ne, me universitete me përvojë akademike e shkencore qindra vjeçare, në politikat e tyre për bujqësinë një vend me rendësi i dhanë ngritjes së instituteve të kërkimit shkencor të aplikuar, institute nën ombrellën e ministrisë së bujqësisë. Ndaj është tepër emergjente për fatet e zhvillimit të bujqësisë dhe mjedisit shqiptar, të zhvillimit të fshatit shqiptar dhe në tërësi për zhvillimin e vendit, që në kuadër të reformave të qeverise së re, nën ombrellën e Ministrisë së Bujqësisë dhe zhvillimit Rural, të ngrihet Instituti Kombëtar për Kërkimin Shkencor dhe Zhvillimin në Bujqësi. Nuk mund të vazhdohet me situatën aktuale me një bujqësi të prapambetur, fshat tepër të varfër, me një mijë e një probleme sociale, dhe nga ana tjetër për furnizimin e popullatës importojmë rreth 600 milion euro produkte ushqimore me parat që vijnë nga mundi e djersa e emigrantëve. Bujqësia dhe fshati janë të lidhura ngushtësisht me punësimin, ekonominë, mjedisin dhe jetën sociale të çdo vendi.