Deri në 8 milionë lekë quhet “biznes i vogël”
22/12/2009 Qeveria vendos të mos ndryshojë kufirin për taksat e biznesit të vogël
Vendimi pas kërkesës së pushtetarëve vendorë për të mos bërë ndryshimet
Kryeministri Sali Berisha ka deklaruar se taksa për biznesin e vogël nuk do të ndryshojë, ashtu sikundër ishte thënë më parë. Kreu i qeverisë gjatë mbledhjes së grupit parlamentar të Partisë Demokratike ka theksuar se në asnjë mënyrë nuk do të ketë lëvizje të kufirit të biznesit të vogël, duke e mbajtur atë në vlerën 8 milionë lekë. “Pas disa konsultimeve të gjera, në mënyrë që të mos krijohet asnjë lloj konfuzioni dhe asnjë lloj spekulimi, pragu i biznesit të vogël mbetet deri në 8 milionë lekë qarkullimi vjetor. Ajo çka i gjithë ky biznes do të paguajë, pa asnjë përjashtim, në bashki dhe në komuna është taksa e biznesit të vogël”, - deklaroi kryeministri Berisha. Ai bëri me dije se qeveria po shqyrtonte edhe një variant të dytë, sipas të cilit ajo do të kompensonte bizneset e vogla. Por, meqenëse u vendos të mos ketë lëvizje të kufirit të xhiros te bizneset e vogla, nuk u bë asnjë ndryshim, duke lënë situatën si më parë. Kryeministri u shpreh se qeveria do të ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme për të luftuar evazionin, në mënyrë që të mbrohet biznesi i vogël. “TVSH-ja do të zbresë për të gjitha bizneset me qarkullim vjetor mbi 5 milionë lekë. Por edhe këtu do të ketë një dallim, në rast se biznesit të madh i kërkohet një rigorozitet i përmuajshëm në të gjitha llogaritjet dhe librat, atëherë këtij biznesi, i cili është sërish i vogël, por që TVSH-ja do të përfshijë të gjitha bizneset me qarkullim vjetor mbi 5 milionë, do tu kërkohet diçka më e thjeshtuar. Përndryshe evazioni nuk mund të luftohet”, - theksoi ai. Duke argumentuar këtë moment, kryeministri theksoi se çdo biznes, i cili gjykon se autoriteti tatimor ka arbitraritet në përcaktimin dhe në përzgjedhjen e tij për TVSH-në, është i ftuar të paraqitet, të ankimojë pranë autoritetit tatimor, pranë zëvendësministrit, pranë ministrit, madje edhe tek ai vetë përmes mesazheve telefonike. Berisha vlerësoi se kjo masë ndërmerret me qëllim që të mbrohet biznesi i vogël dhe të luftohet evazioni. Sipas tij, brenda një jave autoriteti përgjegjës do të japë përgjigje ankesës së bërë. Për shefin e ekzekutivit me këto masa qeveria jo vetëm që nuk cenon, por mbështet fuqishëm bizneset me xhiro nga 5 milionë lekë e sipër. Madje, ai tha se ato do të fitojnë automatikisht të drejtën e rimbursimit të TVSH-së, një të drejtë që nuk e kanë tani. Berisha tha se për të gjitha blerjet dhe për të gjitha shpenzimet e tyre TVSH-ja tani këtyre do tu rimbursohet. “Por në këto raste duhet të jemi të sinqertë se nga njëra anë ai që është fare i vogël ndihmohet, nuk ndodh ajo e famshmja që “peshku i madh e ha të voglin, ndërkohë edhe informaliteti luftohet”, - deklaroi Berisha.
Kufiri pandryshueshëm
Në ndryshimet që do të votohen në seancën plenare të ditës së nesërme në Kodin e Procedurave Doganore kufiri për biznesin e vogël nuk do të lëvizë. Kryeministri bëri me dije se kufiri mbetet e njëjtë me 8 milionë lekë. “Pas disa konsultimeve të gjera, në mënyrë që të mos krijohet asnjë lloj konfuzioni dhe asnjë lloj spekulimi, pragu i biznesit të vogël mbetet deri në 8 milionë lekë qarkullimi vjetor”, - deklaroi shefi i ekzekutivit.
TVSH-ja
Kryeministri theksoi se TVSH-ja do të zbresë për të gjitha bizneset me qarkullim vjetor mbi 5 milionë lekë. Po në rast se biznesit të madh i kërkohet një rigorozitet i përmuajshëm në të gjitha llogaritjet dhe librat, atëherë këtij biznesi, i cili është sërish i vogël, por që TVSH-ja do të përfshijë të gjitha bizneset me qarkullim vjetor mbi 5 milionë, do tu kërkohet diçka më e thjeshtuar. Synimi është lufta kundër evazionit.
Lufta kundër informalitetit
Duke iu drejtuar deputetëve demokratë, kryeministri pretendoi se me këto modifikime i jepet mbështetje e re dhe e fuqishme biznesit të vogël. “Lufta kundër informalitetit është leva e Arkimedit për të garantuar dhe për të zgjeruar liritë ekonomike. Pa këtë luftë nuk ka liri të vërtetë, ka liri të cunguar, ndaj dhe ne jemi të vendosur që të bëjmë çdo përpjeke, se pa luftë kundër informalitetit nuk ka konkurrencë të ndershme”, - tha Berisha.