Përmbytjet, banorët e gdhijnë natën mes ujit dhe mbi çati
22/12/2009 Ujërat e Vjosës fundosin dhjetëra banesa e mbi 500 ha tokë bujqësore. Prefekti: Ja masat
FIER- Qindra banorë të fshatrave buzë lumit Vjosë në rrethin e Fierit e kanë gdhirë natën e mbrëmshme jashtë në pritje të rrezikut të përmbytjeve nga lumi. Ujërat e lumit Vjosë nuk kanë “përtuar” të izolojnë qindra shtëpi. Banorët e shtëpive të përmbytura e kanë kaluar natën në çati dhe gjithë natën pa gjumë së bashku me familjarët e tyre, nga frika e mbytjes si pasojë e reshjeve. Një fëmijë 12-vjeçar nga fshati Frakull ka kërkuar ndihmë shëndetësore pasi ishte me temperaturë. Vajza qëndronte në soletën e shtëpisë së tij rrethuar tërësisht nga uji, niveli i të cilit kishte shkuar 80 cm. Sipas banorëve, dëmet janë të mëdha.
Të përmbytur
Banorët kërkojnë ndihmë nga shteti, për të lehtësuar sadopak situatën që është e njëjtë me atë të vitit 2005. Janë rreth 40 familje, të cilat e kanë gdhirë natën e djeshme brenda shtëpive të tyre në çati të izoluar tërësisht nga uji. Po kështu dëmet janë të pallogaritshme nga ana e sipërfaqes së tokave bujqësore. Qindra ha tokë janë nën pushtetin e ujërave. Vetëm në fshatin Ferras janë mbi 250 ha tokë bujqësore të përmbytura me kulturën e stinës, nga dalja e lumit Vjosa. “Ne e kemi kaluar tërë natën jashtë”,-tha një banor në Ferras. Rreth orës 1 pas mesnate dëgjuam zhurmë dhe jemi mësuar me përmbytjet, ndaj morëm masat tona. Larguam ç’të mundnim, orendi shtëpiake, bagëti etj. “Fëmijët e djalit i kam nisur në Vlorë tek të afërmit e mi”,-ka thënë një tjetër banore.
Situata është tepër e vështirë dhe në ujësjellësin e Fierit. Disa puse të ujit në zonë e Kafarajt janë nën ujë dhe kanë dalë jashtë funksioni, ndërsa në Fier, po punojnë me gjysmë kapaciteti për të mos lënë qytetin e Fierit pa ujë. Reshjet e rrëmbyeshme të shiut që përfshinë qarkun e Fierit vazhdojnë të mbajnë për të dytën ditë radhazi jashtë shtratit lumin Vjosë, duke shkaktuar përmbytje të tokave bujqësore në këtë zonë. Nën ujë ndodhen dhe shumë banesa pranë shtratit të lumit, ndërsa banorët kanë gjetur strehë të përkohshme në tarracat e shtëpive deri në rënien e nivelit të ujit.
Prefekti
"Niveli i ujit arriti në 7.5 m, nga 5.5 m që është pika kritike duke shënuar nivelin më të lartë në 3-4 dekadat e fundit", pohoi prefekti i Fierit, Bujar Hasaj. Ai bëri të ditur se "si pasojë e daljes nga shtrati të Vjosës, paraprakisht rezulton të jenë përmbytur rreth 510 ha tokë bujqësore dhe rreth 30 shtëpi të fshatit Ferras". Përmbytje masive kanë ndodhur në fshatrat më problematike të komunës Levan dhe Frakull. Shumë nga banorët janë evakuar në familjet e të afërmve të tyre, ndërsa shumica e tyre rrinë majë soletave dhe kateve të dyta të banimit, në pritje të uljes së nivelit të lumit Vjosa. Banorët shprehen se kanë “gjetje” të tyre shpërnguljen për në çati në mënyrë që të mos rrëmbehen nga ujërat e lumit. Në pikat më problematike kanë ndërhyrë edhe specialistët e shtabit të emergjencës civile dhe sipas prefektit të Fierit, Bujar Hasa, është bërë evakuimi i banorëve. “Mbrëmë rreth orës 17 u mblodh Shtabi i Emergjencave, ka thënë Bujar Hasa, prefekti, të cilët e mbajtëm në gatishmëri shpërndarë në grupe të veçanta pune në terren, afër familjeve që ne e dimë tashmë që janë problematike. Nga vërshimi i ujit të lumit Vjosa nën ujë më problematike janë 18 shtëpi, banorët e të cilave i kemi evakuuar”. Bëhet fjalë për banesa në fshatrat Ferras, Pishporo e Cerven. Sipas Hasaj, mbrëmjen e djeshme është mbledhur Shtabi i Emergjencës pranë prefekturës për të përcaktuar masat që duhet të ndërmerren deri në normalizimin e situatës. "Dje, efektivat e policisë u shpërndanë në grupe në terren për evakuimin e familjeve më të rrezikuara”, u shpreh Hasaj. Sipas tij, krahas grupeve të emergjencës në terren janë dhe grupet e verifikimit të dëmit, me qëllim përpilimin e dokumentacionit të nevojshëm, për vlerësimin dhe dëmshpërblimin e të dëmtuarve.
PERMBYTJA
Ujërat e lumit Vjosë nuk kanë “përtuar” të izolojnë qindra shtëpi. Banorët e shtëpive të përmbytura e kanë kaluar natën në çati dhe gjithë natën pa gjumë së bashku me familjarët e tyre nga frika e mbytjes si pasojë e reshjeve. Përmbytje masive kanë ndodhur në fshatrat më problematike të komunës Levan dhe Frakull. Shumë nga banorët janë evakuar në familjet e të afërmve të tyre, ndërsa shumica e tyre rrinë majë soletave dhe kateve të dyta të banimit, në pritje të uljes së nivelit të lumit Vjosa.
PREFEKTI
"Niveli i ujit arriti në 7.5 m, nga 5.5 m që është pika kritike duke shënuar nivelin më të lartë në 3-4 dekadat e fundit", pohoi prefekti i Fierit, Bujar Hasaj. Ai bëri të ditur se "si pasojë e daljes nga shtrati të Vjosës, paraprakisht rezulton të jenë përmbytur rreth 510 ha tokë bujqësore dhe rreth 30 shtëpi të fshatit Ferras". Përmbytje masive kanë ndodhur në fshatrat më problematike të komunës Levan dhe Frakull.
MASAT
Sipas Hasaj, mbrëmjen e djeshme është mbledhur Shtabi i Emergjencës pranë prefekturës për të përcaktuar masat që duhet të ndërmerren deri në normalizimin e situatës. "Dje, efektivat e policisë u shpërndanë në grupe në terren për evakuimin e familjeve më të rrezikuara”, u shpreh Hasaj. Sipas tij, krahas grupeve të emergjencës në terren janë dhe grupet e verifikimit të dëmit, me qëllim përpilimin e dokumentacionit të nevojshëm, për vlerësimin dhe dëmshpërblimin e të dëmtuarve.
Frikë nga reshje të tjera
Mbetet disa orë në tarracën e
shtëpisë 12-vjeçarja e sëmurë
Por, pavarësisht mbledhjeve banorët e banesave të përmbytura sot qëndrojnë sipër tarracave të shtëpive duke pritur për ndihmë. Mësohet se pleq, burra, gra e fëmijë po presin në kushte të vështira për rënien e nivelit të ujit për t’u rikthyer sërish në banesa. Emergjentë paraqitet gjendja për një vajzë të sëmurë mes banorëve të banesave të përmbytura. Me ethe dhe temperaturë, simptoma të gripit, vajza mbahet në tarracën e shtëpisë së saj në pritje të një ndihme. Mësohet se familjarët e saj kanë kërkuar një gomone për të dërguar vajzën në spital, por asgjë nuk është realizuar deri pranë mesditës. Vetëm rreth orës 12 të ditës së djeshme vajza e sëmurë është dërguar në spitalin civil të Fierit ku i është nënshtruar një kure intensive. Reshjet e shiut kanë pushuar prej disa orësh, por pritet që ditën e nesërme të rinisin sërish me të njëjtin intensitet. Shtabi i Emergjencës në prefekturë është mbledhur disa herë për të raportuar orë pas ore ndryshimet e nivelit të ujërave të lumit Vjosa, dhe të marrin masa për ndihmën e gjendjes alarmante.
Mungesa e urës
Përfundon në lum mjeti, policia shpëton pasagjerët
BERAT- Mungesa e një ure lidhëse mes dy fshatrave është bërë shkak që një mjet të ngec mes gjanës dhe ujit të lumit, duke vënë në rrezik jetën e tre pasagjerëve që ndodheshin në të. Një mjet tip furgon me targa të Beratit tentoi mesditën e djeshme kalimin e një dege të lumit Osum për të kaluar nga një fshat në tjetrin si pasojë e mungesës së një ure. Mjeti u bllokua në mes të lumit si pasojë e prurjeve dhe gjanës së krijuar nga reshjet e mëdha të ditëve të fundit. Furgoni brenda të cilit ndodheshin tre pasagjer dhe drejtuesi i mjetit e ka pasur të pamundur kapërcimin e lumit dhe është bllokuar në mes të tij. Ngjarja ndodhi mesditën e sotme në fshatin Gjeroven, komuna Velabisht, në rrethin e Beratit ku fal ndërhyrjes në kohë të policisë dhe vënies në punë të një mjeti të repartit të zjarrfikëses u mundësua nxjerrja në breg e mjetit. Banorët dhe kalimtarët e rastit kanë parë se si mjeti tip fugon nuk ka kaluar dot lumin dhe frika e shtimit të prurjeve të lumit ka bërë që menjëherë të kërkohet ndihma e policisë. Tre pasagjerët e fugonit dhe drejtuesi i mjetit kanë kaluar minuta të tërë ankthi, ndërkohë që vetë banorët e kanë pasur të pamundur të ndërhyjnë. Burime zyrtare pranë organit blu në Berat bënë me dije se rreth orës 14:00 të mesditës së djeshme është marrë informacioni se një furgon është bllokuar në një prej degëve të lumit Osum. Menjëherë drejt vendit të ngjarjes ka mbërritur grupi i gatshëm i policisë dhe një mjetit i zjarrfikëses. Fugonit i është ofruar menjëherë ndihma e parë ku me anë të një kavoje është bërë e mundur që mjeti fillimisht të tërhiqet dhe më pas të nxirret nga lumi, duke mos vënë kështu në rrezik jetën e tre pasagjerëve dhe drejtuesit. S. Gorica
2 maune me shpendë mbulohen nga uji në Gramsh, shpëtojnë nga mbytja 6 persona
Nga reshjet e shumta dhe bllokimi i digës
Mbulohen nga uji 2 maune me shpendë, shpëtojnë drejtuesit
GRAMSH-Dy mjete të tonazhit të rëndë janë gati të mbuluar prej ujit nga prurjet e shumta të lumit Devoll në aksin rrugor Elbasan-Gramsh në afërsi të hidrocentralit të Banjës. Mjetet, njëri prej të cilëve i ngarkuar me rreth 2 mijë krerë pula dhe 200 gjela deti janë gjendur nën rritjen e menjëhershme të nivelit të ujit rreth orës 05.00 të mëngjesit të djeshëm. Shkak për rritjen e nivelit ka qenë bllokimi i shkarkuesit të digës së Banjës. Drejtuesit e mjeteve dhe shoqëruesit të gjendur përballë kësaj situate janë detyruar të dalin me not në cep të ujit. Kjo ka bërë që mjetet të mbeten në vend dhe rruga të konsiderohet e bllokuar. Sipas të dhënave, shkak për përmbytjen e dy mjeteve është bërë shkarkimi i vonuar nëpërmjet shkarkuesit të digës së Hidrocentralit të Banjës. Po kështu dëmi i madh që u shkaktua dy mjeteve llogaritet në disa milionë lekë nga malli, por edhe dëmtimi i mjeteve. Kanë ngordhur nën ujë të gjithë shpendët që ishin destinuar për tregun e qytetit të Gramshit për festat e fundit të vitit. Specialistët e shërbimit veterinar të mbërritur në vendin e përmbytjes thanë se shpendët do të groposen për të mos lejuar përhapjen e një epidemie. Rruga automobilistike në këtë segment është mbuluar nga uji. Mjetet për të mbërritur në Elbasan po përdorin rrugën e vjetër të amortizuar. Gjithashtu reshjet janë kthyer në rrezik për nënstacionin elektrik në hyrje të Gramshit. Me ndërhyrjen e zjarrfikësve është larguar sasia e ujit, por nënstacioni përbën problem sa herë që ka reshje të vazhdueshme për shkak se nga ndërtimet pa leje është bllokuar kolektori. Probleme janë hasur në fshatin Gostimë dhe po kështu në zonat e thella të Gramshit.