Deri në prill 2013: Pronat, shtyhet afati për kompensimin fizik

Nga nje mbledhje e Qeverise
Qeveria ndryshon nenin 13 të ligjit të pronave. Vlerën e përcakton çmimi i tregut, lloji i pasurisë dhe qëllimi i përdorimit.
Qeveria, kohë deri në prill 2013 për miratimin e fondit fizik.
Vlera e tokës për ish-pronarët tani nuk do të vlerësohet vetëm duke pasur parasysh çmimin e tregut, por edhe llojin e pasurisë së paluajtshme dhe qëllimin e përdorimit të kësaj pasurie.
Në ndryshimet e miratuara pak ditë më parë në qeveri, shtohet numri i faktorëve që ndikojnë në përcaktimin e çmimit, ndërkohë që në variantin fillestar të ligjit faktor ishte vetëm vlera e pronës. Vlerësimi i pasurive të paluajtshme sipas kësaj metodike do të kryhet bazuar në elementet e mëposhtme: çmimin e tregut; llojin e pasurisë së paluajtshme; qëllimin e përdorimit të pasurisë së paluajtshme. Treguesit bazë të vlerës së pasurisë së paluajtshme do të përcaktohen dhe do të miratohen të veçanta për tokën, ndërtesat dhe strukturat inxhinierike, thuhet në pikën 4 të nenit 13 të ndryshuar. Në të njëjtën kohë, vlera e pasurisë së paluajtshme do të llogaritet si një shumë e vlerave të një njësie, objekti ndërtimor/struktura inxhinierike, dhe tokës mbi të cilën ngrihet kjo e fundit, të cilat do të formojnë një pasuri të veçantë të paluajtshme. Në pikën 7 të këtij neni është vendosur që Këshilli i Ministrave të përcaktojë institucionin përgjegjës për krijimin e bazës së të dhënave shtetërore të vlerësimit të pasurisë së paluajtshme dhe për administrimin e saj. Me miratimin në Parlament të këtyre ndryshimeve, vlerësimi i pronave të ish-pronarëve do të bëhet me çmimin e tregut. Kjo është përmbledhja me pak fjalë e ndryshimeve ligjore të djeshme. Në ligjin aktual, vlerësimi i pronës bëhej nga ekspertët e Agjencisë së Pronave Vendore. Këta të fundit për të nxjerrë çmimin bazoheshin në metodologjinë e propozuar nga Komiteti i Kthimit dhe Kompensimit të Pronave, miratuar nga Kuvendi. Në ligjin e ri parashikohet që të hiqet kjo lloj varësie në nxjerrjen e çmimit dhe të vendosen tri kritere të tjera. Një ndryshim është edhe fakti që metodologjia e nxjerrjes së çmimit nuk do të përcaktohet më nga Kuvendi, por nga Këshilli i Ministrave: Metodologjia dhe kriteret për vlerësimin e pronës miratohen me vendim të Këshillit të Ministrave. Metodologjia synon vlerësimin e pasurisë së paluajtshme bazuar në vlerën e tregut, sipas standardeve ndërkombëtare të vlerësimit të pasurisë së paluajtshme. Ndryshimi tjetër ka të bëjë me kohën që i është vënë në dispozicion Këshillit të Ministrave për të miratuar fondin e pasurive të paluajtshme për kompensim fizik. Më parë, ky afat ka qenë fundi i dhjetorit 2011, ndërsa tani është shtyrë deri më 30 prill 2013. Përveç fondit financiar të kompensimit, të parashikuar nga neni 23 i këtij ligji, krijohet fondi i pasurive të paluajtshme për kompensim fizik. Brenda datës 30.4.2013, Këshilli i Ministrave miraton fondin e pronave pasuri të paluajtshme shtetërore që vihen në dispozicion për kompensim fizik, sipas shkronjave a, a/1 dhe b të nenit 11 të këtij ligji, si dhe mënyrat e vendosjes së këtij fondi në dispozicion të Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronave, thuhet në nenin 28.
30 prill 2013
Me vendim qeverie është shtyrë deri më 30 prill të vitit të ardhshëm edhe procesi i njohjes, kthimit dhe kompensimit të pronave te paluajtshme.
Tokat që do të vlerësohen
Procesit të vlerësimit të pronës sipas përcaktimit të pikës 1 të këtij neni, i nënshtrohen toka dhe objektet ndërtimore. Në kategorinë e tokës përfshihen toka bujqësore, toka pyjore, pyje, livadhe dhe kullota, truall i përdorur për qëllime publike, tregtare, industriale apo qëllime të tjera ndërtimi, thuhet në pikën e dytë të nenit 13 të ligjit të pronave të ndryshuar.
Ndryshimi i ligjit
Vlerësimi i pronës
Ishte
1. Për vlerësimin e pronës që kompensohet, Komisioni Vendor i Kthimit dhe Kompensimit të Pronave të paluajtshme ngre grupin e ekspertëve. Komisioni cakton në rolin e ekspertit persona me përvojë dhe kualifikim të posaçëm në fushën juridike, ekonomike dhe inxhinierike, që ka lidhje me procesin e kthimit dhe kompensimit të pronave.
2. Vlera e pronës që kompensohet, sipas këtij ligji, përcaktohet në bazë të vlerës së tregut, në përputhje me metodologjinë e propozuar nga Komiteti Shtetëror i Kthimit dhe Kompensimit të Pronave, miratuar me vendim të Kuvendit.
3. Në kryerjen e veprimtarisë së tij, asnjë nga anëtarët e organeve shtetërore për kthimin dhe kompensimin e pronave ose të grupit të ekspertëve nuk duhet të jetë në kushtet e pengesës ligjore të përcaktuar ne Kodin e Procedurave Administrative.
Vlerësimi i pronës
Bëhet
Vlerësimi i pronës që kompensohet, do të kryhet në përputhje me parimet e përgjithshme të vlerësimit të pasurive të paluajtshme, bazuar në vlerën e tregut sipas standardeve ndërkombëtare të vlerësimit të pasurisë së paluajtshme, llojin e pasurisë dhe qëllimin e përdorimit të saj.
Procesit të vlerësimit të pronës sipas përcaktimit të pikës 1, të këtij neni, i nënshtrohen:
Toka
Objektet ndërtimore
Në kategorinë e tokës përfshihen toka bujqësore, toka pyjore, pyje, livadhe dhe kullota, truall i përdorur për qëllime publike, tregtare, industriale apo qëllime të tjera ndërtimi.
Metodologjia dhe kriteret për vlerësimin e pronës miratohen me vendim të Këshillit të Ministrave. Metodologjia synon vlerësimin e pasurisë së paluajtshme bazuar në vlerën e tregut, sipas standardeve ndërkombëtare të vlerësimit të pasurisë së paluajtshme.
Vlerësimi i pasurive të paluajtshme sipas kësaj metodike do të kryhet bazuar në elementet e mëposhtme:
1-Çmimin e tregut
2-Llojin e pasurisë së paluajtshme
3-Qëllimin e përdorimit të pasurisë së paluajtshme
Drejtori Koordinimi për të monitoruar procesin
Qeveria ka vendosur ngritjen e Drejtorisë së Koordinimit të Procesit të Kthimit dhe Kompensimit të Pronave, si pjesë përbërëse të Ministrisë së Drejtësisë, e cila do të ketë rol kyç në të gjithë procesin. Disa prej detyrave të saj do të jenë: kryerja dhe përfundimi i analizave tekniko-ligjore të vlerësimit e të efektivitetit të legjislacionit për harmonizimin tekniko- ligjor të brendshëm të legjislacionit për të drejtat e pronësisë; mbikëqyrja e monitorimi i procesit të kompensimit të pronave dhe implementimi i masave strategjike për çështjet e pronave; realizimi i çdo detyre tjetër të përcaktuar me akte, ligjore dhe nënligjore, në fuqi. Procedura e bashkëpunimit të Drejtorisë së Koordinimit me të gjitha institucionet do të përcaktohet me vendim të Këshillit të Ministrave. Ndërkohë që mënyra e realizimit të detyrave nga Drejtoria e Koordinimit përcaktohet në rregulloren e brendshme të Ministrisë së Drejtësisë.
Banka Botërore: Tri arsyet pse ndarja e tokës dështoi
Raporti për tokën bujqësore: Qeveria të lehtësojë aktet e pronësisë.
Më shumë se 10% e tokës pjellore ka 5 vite pa u punuar

Selia e Bankes Boterore<