E Diel, 1 Nëntor 2026

Deri të shtunën pritet konstituimi i Kuvendit të ri në Maqedoni

Nga Express më 22 qershor 2011 në ora 20:00

Ndërkohë që dy partitë VMRO-DPMNE dhe BDI po vijojnë negociatat për formimin e koalicionit qeveritar në Maqedoni, dita e shtunë është përcaktuar si afati përfundimtar për mbledhjen e përbërjes së re parlamentare të dalë nga zgjedhjet e parakohshme të 5 qershorit.

Kryeparlamentari në detyrë Trajko Veljanovski së bashku me deputetët e mandatuar gjatë zgjedhjeve të qershorit pritet të vendosin datën e mbajtjes së seancës së re të parlamentit.

Në përbërjen e re parlamentare, VMRO-DPMNE do të numërojë 53 deputetë dhe 3 deputetë të diasporës, LSDM 42 deputetë, BDI 15 deputetë, PDSH 8 deputetë dhe RDK 2 deputetë.

Dy partitë VMRO-DPMNE dhe BDI po vijojnë negociatat për formimin e koalicionit qeveritar dhe në rast marrëveshje ato numërojnë një mazhorancë prej 71 deputetëve.

Formimi i Qeverisë do të bëhet deri në fillim të muajit gusht, kur menjëherë pas konstituimit të përbërjes së re parlamentare, lideri i VMRO-DPMNE dhe kryeministri i deritanishëm, Nikolla Gruevski do të marrë mandatin nga presidenti George Ivanov për të formuar kabinetin qeveritar.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›