Stavileci: Të përgatisim terrenin për një buxhet më të madh
Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Blerand Stavileci ka bërë të ditur se Banka Botërore do të lejojë një kredi të butë prej 20 milionë dollarësh, prej të cilave 17 milionë do të jenë grante për fermerët.
Ai këto komente i bëri të mërkurën gjatë një tryeze të organizuar në komunën e Ranillugut, ku u diskutua për politikat e bujqësisë për komunitetin serb në Kosovë.
Ministri Stavileci ka thënë gjatë kësaj tryeze se pavarësisht nacionalitetit të gjithë fermerët e vendit tonë do të kenë kushte të njëjta për të aplikuar për projekte të bujqësisë.
Ai bëri një pasqyrë të subvencionimit të bujqësisë, duke thënë se ministria që ai drejton është duke punuar për krijimin e kushteve sa më të favorshme për bujqit.
“Të përgatisim terrenin në mënyrë prej vitit të ardhshëm e tutje bujqësia ta zë vendin meritor dhe rrjedhimisht të ketë buxhet shumë më të madh për këtë sektor”, ka thënë Stavileci.
Për më tepër ministri Stavileci ka bërë të ditur se Komisioni Evropian do të përkrahë projekte në industrinë agro-përpunuese me një shumë prej 5 milionë euro në formë grante, derisa Banka Botërore ka konfirmuar lajmin për ndarjen e një kredie prej 20 milionë dollarësh.
“Dje na është konfirmuar lajmi për një kredi nga Banka Botërore në vlerë prej 20 milion dollarësh prej të cilave 17 milionë do të jenë grante për fermerët”, ka thënë ai.
Ndërkaq, përfaqësuesja e USAID-it, Livia Plaks ka premtuar që USAID edhe në të ardhmen do të fokusohet në ndihmën e fermerëve dhe ndihma tjera në sektorin e bujqësisë.
Kurse, kryetarët dhe drejtorët e bujqësisë së komunave me shumicë serbe kanë ngritur shqetësimet e tyre sa i përket përkrahjes dhe problemeve që kanë fermerët e tyre.
Ndryshe, ky takim që është organizuar nga Projekti për Marrëdhënie Etnike – Kosovë (PEP-K), i cili financohet nga BE-ja dhe menaxhohet nga Zyra Ndërlidhëse e Komisionit Evropian në Kosovë./kosovapress/