E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dervishaj:Votimi për buxhetin, i pavlefshëm

Sokol Dervishaj, kryetari i Këshillit Bashkiak deklaroi se buxheti për Bashkinë e Tiranës është një çështje teknike dhe tani po kthehet në një çështje politike. "Miratimi i buxhetit është vendimi më i rëndësishëm që merr këshilli bashkiak, ndaj mendoj se ka ende mundësi që palët të ulen pa kokëfortësi në një diskutim real për të", tha Sokol Dervishaj. Kryetari i Këshilli Bashkiak të Tiranës, theksoi se praktikisht Bashkia e Tiranës funksionon në bazë të një ligji të 2005-ës që tregon procedurat se si deklarohet përfundimi i votimit. "Është sekretaria ajo që zhvillon numërimin dhe i shpreh këshillit votat, dhe kryetari shpreh vendimin. Fakti që kjo nuk është bërë, pretendimi për votim është i pajustifikueshëm.Ky proces votimi është i pavlefshëm", sqaroi Dervishaj. Sipas tij, palët duhet të ulen në diskutim për të gjetur një konsensus për buxhetin. "Nuk ka arye të qëndrojmë të pandryshueshëm në pozicionet tona sepse kjo nuk i leverdis askujt, mbi të gjitha nuk është e drejtë për ata që na kanë votuar", tha ai. Dervishaj deklaroi se nuk ka se si ta shpallë kryebashkiaku mbylljen e buxhetit dhe deklarata e tij se buxheti është miratuar është dizinformuese. "Buxheti mbetet ende për t'u votuar", nënvizoi kryetari i Këshillit Bashkiak, i ftuar në Ora News.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›