Desar Sulejmani, koncert në skenën e arteve
Sezoni ndërkombëtar i Klasik rikthen në Tiranë pianistin e talentuar Desar Sulejmani, i cili do të japë sonte në ora 19:00, në sallën e Akademisë së Arteve, një koncert pianistik me muzikë nga Haendel, Beethoven, Czerny, Brahms dhe Rachmaninov. Koncerti i radhës në Akademinë e Arteve jepet me rastin e 10-vjetorit të paraqitjes së tij të parë skenike si solist në Shqipëri pas
vazhdimit të studimeve në Gjermani. Ky koncert organizohet nga shoqata kulturore Syri blu dhe shoqata Miqtë e muzikës në kuadrin e sezonit koncertor ndërkombëtar Klasik. Pianisti shqiptar Desar Sulejmani i ka kryer studimet e larta për muzikë në Gjermani, por ai ka një veprimtari të pasur muzikore në Shqipëri, Gjermani dhe Kosovë. Pianisti shquhet për nivelin e lartë të interpretimit dhe kërkimin e tij të vazhdueshëm në muzikë. Desar Sulejmani ka qenë dhe më parë i ftuar në sezonin muzikor të Klasik, ku u mirëprit nga publiku.
Last Updated on E Premte, 09 Prill 2010 19:28