Sesilia Plasari: Çfarë e bën të mirë një teatër

Aktorja sjell pak nga përvoja franceze për teatrin: teatrot shtetërorë duhet të kenë politika të qarta dhe që mendojnë për publikun e "varfër".
Plasari këshillon modelet e suksesshme për estradën, për të mos rënë në batakun e humorit që njohim
"Përvojë, maturi, humanizëm", sugjeron për ata që kanë marrë në dorë çështjen e Teatrit të Komedisë, aktorja dhe regjisorja Sesilia Plasari, në mënyrë që të bëhet "humor i kulturuar dhe i shëndetshëm". Plasari sjell pak nga realiteti që ajo ka prekur prej 20 vitesh në Francë për funksionimin e mirë të këtij teatri.
"Teatrot e humorit dhe të satirës kanë nevojë për ballafaqimin e vullneteve të lira, për konkurrimin e energjive, për larminë e domosdoshmërive", pohon aktorja, fjalë që bien ndesh me njerëzit që kanë filluar nga puna për ngritjen e teatrit, përballjet e tyre me perëndimin dhe që nevojën për këtë strukturë të re e ndiejnë thjesht nga nostalgjia.
Me tona të qeta dhe që frymëzojnë optimizëm, Sesilia Plasari jep modelin francez të funksionimit të teatrove shtetërorë dhe privatë, politikat e tyre për repertorin, frymën që i karakterizon nismat e tyre dhe si tërheqin publikun në teatër.
Sesilia, a e keni ndjekur debatin që po zhvillohet këto dito për Teatrin e Komedisë, një nismë që po e kundërshtojnë shumë zëra? Ju vetë ç'mendoni?
Mendoj se t'i dëshirosh vendit tënd një teatër të humorit dhe satirës, një teatër të komedisë, është t'i dëshirosh një të mirë të madhe.
Së pari, flitet për një teatër më shumë dhe, duke llogaritur rëndësinë jashtëzakonisht të madhe dhe rolin e pazëvendësueshëm që luan teatri në një shoqëri, ta përkrahësh këtë art edhe në kushtet e sotme të vendit tonë, kur për shumë e shumë arsye ai duket se po shkon drejt shndërrimit në një art minoritar e autolegjitim, për faktin se ai nuk arrin, në kushtet e sotme, të mbahet në këmbë pa nevojën e shtetit, është të bësh një gjest pozitiv, një investim në emër të kulturës dhe qytetërimit të ardhshëm të një kombi.
"Teatri është serumi i parë që njeriu ka shpikur për t'u mbrojtur nga sëmundja dhe nga ankthi" thotë Jean-Louis Barrault, një figurë emblematike e teatrit francez.
Humori është një mjet shprehjeje me fuqi të pakundërshtueshme, që luan rol qenësor në ekuilibrin e shoqërisë, ai çliron tensione dhe mbron shëndetin e saj, gjithë duke u përdorur me qëllime sa zbavitëse, aq edhe ndërgjegjësuese.
Në shumë kultura fjala humor është binjakja e fjalës mençuri, këto dy fjalë përdoren së bashku për të përkufizuar stadin më të lartë të pjekurisë dhe të ndërgjegjësimit të një individi e të një shoqërie. Cilësia e humorit të një shoqërie është pasqyrë e kulturës së saj. "Kur do të vendosin njerëzit t'i marrin komikët seriozisht ?" pyeste një nga komediografët dhe aktorët më të famshëm francezë, Sacha Guitry.
Duhet shumë përvojë, shumë maturi dhe humanizëm për të bërë humor të kulturuar e të shëndetshëm, nuk është e rastit që një numër i madh regjisorësh dhe e aktorësh të shquar, që e kanë nisur jetën me tragjedinë, sa më tepër kalonte koha, "guxonin" dhe parapëlqenin komedinë.
Si e vlerësoni gjendjen e Teatrove Kombëtarë dhe atyre të rretheve, me aq sa u përballët pas ardhjes nga Franca?
Duke qenë se gjithë këto vite kam jetuar dhe punuar jashtë Shqipërisë dhe, pra, nuk e kam njohur nga afër funksionimin e teatrove kombëtarë, mendoj se nuk jam personi i përshtatshëm për t'ju përgjigjur kësaj pyetjeje, që ka të bëjë, me sa kuptoj, me vështirësitë që kanë këta teatro për të kryer si duhet punën e tyre.
Mund të gjykoj, së jashtmi, cilësinë e spektakleve, zgjedhjen e veprave, marrëdhëniet me publikun etj., por nuk jam në "konfidencat" e problemeve të brendshme që hasin teatrot e këtushëm në punën e tyre.
Duke qenë se për gati njëzet vjet kam studiuar dhe punuar në një realitet tjetër artistik, në një vend me legjislacion shumë të përparuar dhe me një jetë teatrore mjaft të zhvilluar, ndoshta jam ndikuar nga të tjera mënyra menaxhimi dhe administrimi të teatrove.
Si funksionon një teatër nga këta që ju keni njohur?
Teatri mbetet një nga hapësirat e rralla ku është ende e mundur të reflektosh përpara të tjerëve dhe me të tjerët dhe trajtohet, në botë, me shumë vëmendje.
Mundësitë e teknikave teatrore në gjithë botën shfrytëzohen maksimalisht në fusha të ndryshme të jetës: në pedagogji, në mjekësi, në zhvillimin personal, në jetën e ndërmarrjeve, në teknikat e komunikimit etj. Në vendin tonë ende nuk jemi ndërgjegjësuar për këto mundësi dhe nuk shfrytëzohen sa duhet vlerat që ofron ky art.
Kjo ndoshta kërkon një largpamësi, një investim jetëgjatë. Në vendin tonë teatri përdoret vetëm si spektakël dhe në nivel institucional. Në Europë funksionojnë, krahas njëri-tjetrit, teatri publik (shtetëror) dhe teatri privat.
Kuptohet që janë teatrot shtetërorë ata që bëjnë përpjekjet e ideuara dhe sistematike për mbarëvajtjen e këtij arti, si dhe për moshumbjen e kontaktit të tij me pjesën masive të popullsisë, për t'i bërë të gjitha shtresat e shoqërisë të përfitojnë prej tij dhe jo vetëm ato që disponojnë një "buxhet" dëfrimi apo kultivimi.
Në Francë, për shembull, këta teatro nuk disponojnë trupa aktorësh, por krijojnë shfaqje duke punësuar "okazionalisht" aktorë për nevojat e pjesës që vihet ose huazojnë shfaqje nga teatro të tjerë, që vijnë nga qytete të tjera të Francës, ose marrin në "pension", siç quhet, për një sezon trupën e një kompanie ekzistuese. Këtu bën përjashtim Komedia Franceze, që ka mbetur i vetmi teatër kombëtar me trupë.
(Emri "komedi", në këtë rast, është sinonim i fjalës "teatër" dhe nuk ka të bëjë me repertorin e kësaj trupe, e cila vë në skenë tragjedi, drama, komedi, si çdo teatër tjetër). Ky teatër ka një status krejt të veçantë, muzeal, që i është ruajtur që prej kohës së Molierit dhe funksionon me të njëjtin sistem, veçse Mecenën, që në Francë ishte mbreti, e ka zëvendësuar shteti.
Çfarë kanë parasysh këto teatro kur programojnë repertorin?
Në repertorin e një teatri kombëtar gjinitë janë të destinuara të qëndrojnë pranë e pranë ose të alternohen. Nëse një teatër kombëtar disponon një numër të caktuar sallash ose ndërtesash, shpesh ai përcakton për secilën prej tyre një përparësi ose specifikë. Gjithashtu teatro të ndryshëm kombëtarë të një vendi mund t'i vënë vetes përparësi ose specifika të caktuara.
Në Francë, fjala vjen, ekzistojnë disa teatro publikë (shtetërorë) dhe është mundësuar ruajtja e një misioni specifik për secilin prej tyre: financimi, pra, i një trupe aktorësh për Komédinë Franceze, mbajtja e një shkolle të lartë arti dramatik për Teatrin Kombëtar të Strasburgut, zhvillimi i dancit në Teatrin Kombëtar De Chaillot, ai i artit lirik në Operën Komike, lëvrimi i teatrit kontemporan në Théâtre de la Colline, i atij europian në Théâtre Odéon etj.
Këto specifika orientojnë sigurisht repertorin e tyre dhe publiku zgjedh të shkojë të shikojë një dramë bashkëkohore franceze, një pjesë të repertorit muzeal botëror ose francez etj., gjithë duke ditur se cili teatër ia ofron atë me përparësi.
Në kushtet e një teatri të vetëm kombëtar organizimi i koherencës së një tërësie veprash që i prezantohen publikut në një njësi të caktuar kohe, ajo që quhet "politika e repertorit", është e domosdoshme por duhet njohur e pohuar vështirësia e realizimit të kësaj detyre në kushtet e individualizimit të projekteve nga ana e regjisorëve. Kjo koherencë mund të mbahet vetëm në një teatër me trupë.
Ajo bazohet mbi një projekt që synon të ruajë raportet midis kryeveprave të dramaturgjisë botërore dhe asaj kombëtare, midis krijimeve të mirëfillta (pjesëve që vihen për herë të parë), veprave bashkëkohore të dramaturgjisë botërore e kombëtare etj.. Sot në botë flitet më shumë për programim se sa për repertor, ndonëse ky nocion ndryshon nga i pari.
Si e tërheqin publikun në teatër?
Pika më e dobët, do të thoja, e përpjekjeve që bën teatri dhe shteti shqiptar sot për sot më duket se qëndron në mungesën totale të strategjisë dhe të veprimit për të siguruar publikun e nesërm.
Spektatori i sotëm i teatrit po moshohet gjithnjë më shumë. Është ai që e ka bërë zakon të shkojë në teatër vite më parë, kur nga një seri kushtesh, që s'është nevoja të zgjatemi duke i përmendur, e kishte shijuar teatrin deri sa ky iu bë i nevojshëm.
Teatri, si dhe letërsia, si muzika klasike, ose si arte të tjera, ka nevojë për një lloj edukimi, ka nevojë për një herë të parë ose disa herë të para - me kusht që këto të jenë cilësore, nga ato që e kanë kryer impaktin e nevojshëm që spektatori ta rivizitojë sallën e teatrit. Artisti i teatrit te ne duhet të mendohet mirë sot kur e zgjedh këtë profesion, dhe e zgjedh vetëm kur e ka të do-mos-do-shme.
Por teatri nuk ekziston pa spektatorin: kjo domosdoshmëri duhet të komunikohet, të bëhet ngjitëse, që teatri të vazhdojë të ekzistoje dhe aktori të vazhdojë të punojë, të ushtrojë atë çka i është e domosdoshme.
Njerëzit e artit dhe të kulturës mund ta bëjnë përpjekjen për ta tërhequr publikun, për t'ia ofruar atij këtë "drogë" me ndërgjegje të qetë: nëse përpiqemi të tërheqim një amator, të "shesim" një biletë, përpiqemi se ajo që shesim bën mirë, është kulturë, është diçka që bën pjesë në shportën e të mirave të njerëzimit, të cilën ndoshta spektatori i ri nuk e njeh, nuk e ka provuar.
Në gjithë botën bëhen përpjekje të tejskajshme për ta joshur publikun - sigurisht edhe për ta mbajtur më pas, me cilësinë e asaj që i ofrohet, dhe në vendin tonë kjo është më urgjente se kudo. Si bëhen këto përpjekje? Modelet janë, mund të përshtaten, por edhe të reja mund të krijohen, në vartësi të kërkesave të vendit e të kohës, mjafton të ndërgjegjësohemi se enët komunikuese nuk funksionojnë e t'i vihemi punës.
Në këto kushte, a e kemi të ngutshme ngritjen e Teatrit të Komedisë?
Nuk është asnjëherë vonë për të bërë mirë, thuhet. Shpejt, jo e jo. E ngutshme? Them se mënyra se si do të konceptohet e organizohet ky teatër është tashmë ajo që do t'ia legjitimizojë ose dëmtojë këtë ndërmarrje, në këtë pikë nuk duhet ngutur. Një teatër i humorit dhe i satirës, në daçim edhe i komedisë, pikësëpari duhet të jetë teatër, i organizuar sipas modeleve dhe mbi parimet që tanimë njihen.
Nëse duhet ringjallur një "estradë", edhe për të ekzistojnë modelet e suksesshme, që në Europë njihen si kafe-teatër, kabaré etj. Të mos e kuptojmë me kurrfarë sensi mosrespektues: për vete i adhuroj spektaklet e tyre.
Teatri i humorit dhe i satirës duhet parë në optikën e së ardhmes, që të mos shndërrohet në një trupë paralele permanente, sepse veçanërisht teatrot e humorit dhe të satirës kanë nevojë për ballafaqimin e vullneteve të lira, për konkurrimin e energjive, për larminë e domosdoshmërive. Këto të gjitha vërshojnë për të shkuar drejt të tjerëve e për t'i shkundur, në këtë rast me anë të humorit, që është në teatër gjinia më e vështirë dhe shpesh më e preferuara.