E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dëshira e parealizuar e fermerit SB

Arben Rrozhani

- Ditën e 30-të, përpara mbajtjes së votimeve të 23 qershorit, kryeministri SB shprehu keqardhjen pse ishte katandisur kardiolog, më pas president e prej tetë vitesh kryeministër, sepse ëndërronte të ishte fermer.

Fermeri SB

SB ishte dje në komunën Gjegjan në Elbasan. Foli shumë dhe për gjithçka. Në fund tha edhe diçka për t’u bërë qejfin fshatarëve, d.m.th atyre që i cilëson fermerë: “Po të mos isha bërë kardiolog, do isha fermer, pasi e kam dashur shumë dhe e dua shumë. Është punë e lodhshme, por punë dinjitoze dhe e kënaqshme sa më nuk bëhet”. Pak javë më parë te libri i Leonard Bombajt, Berisha tha se donte të bëhej shkrimtar: “Ëndrra ime gjithmonë ka qenë e lidhur me letrat në atë periudhë. Në një moshë të hershme, unë fillova të shkruaj vjersha dhe tregime. Por, problemi ishte se ato nuk më pëlqenin”. Po kjo puna e fermerit shkon më shumë me atë fjalën e Enverit dikur: “Sikur të isha 20 vjeç do të shkoja të punoja në fshat me shumëdëshirë”. Në fakt Berisha ka dëshirë tjetër dhe vetëm një. E rrëfeu në 15 tetor 2012, kur u bë 68 vjeç. Dhe në mbledhjen e grupit parlamentar të PD tha një si rrëfenjë: “Sado gjithçka është në dritë, prapë në një vegim vjen dhe misteri, del dhe misteri. Unë do t’u rrëfej ju, se momentin e misterit u pyeta, të shpreh 3 dëshira. 2 i pata në gojë, çfarë kërkova unë? 2 gjysma të tjera të viteve dhe mandateve. E treta, më pyeti? I thashë, ma lejo për vitin tjetër dhe u pranua”. Pastaj iu drejtua deputetes Mesila Doda: “Pra Mesila nuk besoj se isha shumë lakmitar në kërkesat e mia, thjesht 2 gjysmat që më kanë mbetur. Dhe kjo është e vërtetë, vitet prapa, ne përpjetë”. Kaq do SB, të jetë fermer i fermës së kafshëve, Shqipëri.

Selam Berishës

Kur Eduard Selami tha se do kthehej për të kandiduar për PD-në, u tha se ishte divorcuar nga ish-missi që kishte bashkëshorte, për t’u “martuar” me Berishën. Dje në Librazhd, ku e prezantoi kreu i PD-së si kandidat tregoi se jo vetëm është “nusja”, por ka edhe mendtë e tij, duke harruar çfarë ka thënë pak vite më parë. “Sot jemi anëtarë të NATOs. Në këto dy dekada të demokracisë, PD ka nënshkruar çdo marrëveshje për integrimin e Shqipërisë. PD sot është shpresa më e mirë e qytetarëve për t’u bërë anëtarë të Evropës së bashkuar... Programi i PD është më i miri për të ardhmen e shqiptarëve, jam si në marsin e 1992 për t’iu thënë se mbështetja që do i jepni PD-së, do jetë garancia më e madhe për një Shqipëri evropiane”, tha dje Selami. Por në dhjetor 2010, në përvjetorin e themelimit të PD-së, Selami nuk la gjë pa thënë kundër PD dhe kryeministrit Berisha: “Akoma nuk ka zgjedhje të lira dhe të ndershme të pranuara nga të gjitha forcat politike. Nuk kemi një gjykatë apo një shtet ligjor funksional. Ndihma e ndërkombëtarëve ka qenë e jashtëzakonshme. Ëndrra e shqiptarëve është në realitet një proces që ende nuk është realizuar... Brenda PD-së duhet një votim i ndershëm, një anëtar një votë. Nuk funksionojnë strukturat”-denonconte ish-kryetari i PD-së, vetëm 3 vite më parë.


Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›