E Shtunë, 31 Tetor 2026

Qytetërimi dhe fundi i jetës mes besimeve të mëdha

Nga Gëzim Tushi

Gezim TushiËshtë në natyrën e kohës moderne liberale dhe individualiste që në mënyrë thelbësore të ndryshojë raporti i jetës së qytetarit me të ashtuquajturat besime të mëdha të cilat kanë qëndruar mbi të dhe i kanë diktuar mënyra të ngurta të konceptimit të botës, të ndërtimit të jetës morale dhe sociale, të mendimeve dhe përfytyrimeve të unifikuara në nivel social. Këtë të vërtetë ndoshta më shumë se të tjerët e kemi pësuar në shqiptarët, që akoma kemi shijen e hidhur të zbatimit të një eksperimenti makabër total gjysmë shekullor, për të ndërtuar sipas kornizës koncepte të një ideologjie të ashtuquajturin njeriun e ri.
Produkti i këtij eksperimenti social ishte defformimi dhe përçudnimi i natyrës së njeriut, humbja e identitetit individual dhe e substratit qytetar, rrafshimi ontologjik i njeriut dhe transformimi i tij në qenie me totalitet dhe kornizë sociale të mbyllur, pa asnjë të drejtë për vecori dhe individualitet të papërsëritshëm. Shoqëria shqiptare, megjithë difektet që ka koha e tranzicionit, është duke ecur e sigurt në rrugën moderne, jo ideologjike të formatimit të jetës sociale dhe ndërtimit të standardeve të qytetërimit, që është thelbësisht e bazuar në kredon e filozofisë liberale dhe parimet universal të liberalizmit modern.

Në se shoqëria jonë e vjetër ishte instrument i venë në funksionin ideologjik të unifikimit social dhe krijimit të njeriut si qenie pa identitet qytetar personal, shoqëria e sotme shqiptare, pavarësisht anomalive dhe paradokseve në ndërtimin marrëdhënieve sociale dhe individualitetin qytetar të njeriut, në instancë të fundit dhe mbi të gjitha, ka rëndësi dhe vlerë të konsiderueshme që ajo është dhe ecën në rrugën e duhur të zhvillimit standard të qytetërimit modern. Që në shumë aspekte, duket qartë që qytetërimi që po ndërtojmë është joideologjik dhe në një farë mënyre në shumë aspekte të neutralitetit social qytetar është dhe përtej kulturor.
Organizimi liberal i jetës sociale, zgjerimi i lirive dhe të drejtave të njeriut, perceptimi më individualist i jetës prej qytetarit, pranimi i mënyrave diverse dhe formave pluraliste të organizimit të jetës personale dhe formave të larmishme të komportimit social, edhe pse me praninë e kontradiktave të shumta të shfaqura të tranzicionit, po bëhet gjithnjë e më shumë mjet që lejon dhe nuk pengon prodhimin dhe zhvillimin e vlerave të larta të njeriut si qytetar, si personalitet social, si qenie me individualitet të papërsëritshëm.
Duhet të jemi të kënaqur që në shoqërinë tonë, ndryshimet në jetën sociale me karakter të lirë qytetar dhe pa substrat ideologjik, edhe pse intensive, kaotike dhe shpesh jashtë ekuilibrave sociale, në thelb janë tregues sintetikë, pozitivë dhe të sigurt, që tregojnë se jeta moderne në Shqipëri në të gjithë dimensionin e vet, po merr trajtën kompakte e universale të shoqërisë moderne. Në kuptimin më të përgjithshëm, tiparet e shfaqura tregojnë se duke u larguar nga profetizimet epifenomenale të jetës së imagjinuar apo të pritur, duhet të përpiqemi që të aplikojmë në jetën tonë sociale modulet e njohura të ndërtimit të jetës moderne, sipas paradigmave të njohura të funksionimit të qytetërimit modern, pa fondamente të forta ideologjike, pa dëshira të tepërta për veçori nacionale apo shenjtërime të panevojshme, penguese të modeleve të së kaluarës sonë.

Kjo do të thotë që në procesin e unifikimit dhe integrimit të standardeve të qytetërimit europian dhe parametrave të shoqërisë globale, në vend të qytetarit me mendje të ngushtë ideologjike, të ndërtojmë shoqërinë në të cilën të jetojë qytetari mendje hapur, të mësohemi me parimet dhe modulet e të jetuarit në një shoqëri, që gjithnjë e më shumë po merr në thelbin e vet ekzistencial karakter social post-modern dhe që konceptualisht po formatohet si qytetërim post-metafizik. Kjo do të thotë se ne jetën e përditshme gjithnjë e më pak ka hapësirë për dogmat, filozofitë doktrinariste dhe besimet e mëdha, të ardhura nga tipologjia e vjetër e shoqërisë dhe dialektiak e historisë tonë.
Shumë ide, praktika dhe vlera të shenjta të së kaluarës, që kanë qenë paradigma thelbësore të jetës sociale, për shkak të ndikimeve gjithëpërfshirëse dhe transformuese të modernitetit, në shoqërinë e sotme shqiptare, kanë filluar të humbasin forcën bindëse dhe ndikimin e tyre social. Shoqëria jonë ka filluar të ecë në rrugën e saj, duke qenë përtej ndikimeve tradicionale klasike të filozofive dhe ideologjive të mëdha. Kjo ka sjellë që zhvillimet e modernitetit të shfaqen në natyrën e thjeshtë, lineare dhe pragmatiste të zhvillimit të shoqërisë. Bashkë me të, edhe ekzistencën e qytetarit të lirë, pa dimension ideologjik por me strukturë dhe dimension të qëndrueshëm social dhe qytetar.
Kjo është arsyeja pse sot është shumë e vështirë që ti mbushësh mendjen njerëzve tanë, për vlerën teorike dhe dobinë jetike të ideologjisë apo filozofive të vjetra doktrinariste, qoftë edhe të atyre që mund të konsiderohen të ardhura nga kontinenti i vjetër Europian. Tani që jetojmë në kohën moderne, në shoqëri të lirë, njerëzit janë bërë më mendjehapur, të kujdesshëm dhe reflektues ndaj grackave të vjetra ideologjike paralizuese, penguese dhe kufizuese. Sepse përvoja jonë na ka bindur se ato kanë qenë prangat, që e kanë mbajtur këtë popull të gozhduar pas doktrinave ideologjike dhe sistemeve sociale të bazuara në parime filozofike që fosilizuan jetën, që mbajtën të lidhur me këmbëngulje idioteske pas ideve fikse të ideologjisë së vjetër të marksizmit, apo besimit të verbër në ketmanët filozofikë e moralë, me të cilat u deformua totalisht jeta sociale, mënyrat dhe format e shfaqjes së personalitetit të njerëzve tanë.
Tani shumica e shqiptarëve janë të bindur për budallallëkun e epokës së marrëzisë ideologjike që kaluam, e cila na mbajti besnik deri në çmenduri, ndaj disa marrëzive teorike, ideologjike dhe filozofike të kthyera në piketa jetësore normative, detyruese për të gjithë. Nuk ka dyshim në këtë epokë të jetës moderne shqiptare, shumë kontradikta dhe konflikte sociale si dhe shumë vështirësi të dukshme të interpretimit të dukurive të shoqërisë, janë të lidhura me faktin se sa më moderne bëhet bota shqiptare, sa më e ndërlikuar shfaqet jeta e njerëzve tanë, aq më shumë pa vlerë dhe të panevojshme bëhen dogmat politike dhe ideologjike të së kaluarës dhe besimet e mëdha filozofike doktrinariste.

Natyrisht kalimi nga një shoqëri super e ideologjizuar në një shoqëri të hapur, që funksionon pa patur nevojën e orientimeve të mëdha, nuk është proces i lehtë dhe i kuptueshëm nga të gjithë. Sepse një pjesë jo e vogël e njerëzve tanë, sidomos ata që u edukuan përmes makinës gjigante të deformimit ideologjik të realitetit, ende nuk janë të qartë as për dëmet kolosale të tyre, as për parimet e reja të organizmit të jetës sociale dhe ndërtimit të tipologjisë së jetës private qytetare. Në këtë kontekst, nuk mund të mohohet se për shkak të një vakuumi të krijuar nga largimi i mënyrës ideologjike të jetës dhe njëkohësisht ndikimit të mungesës së parimeve qytetare universale të riorganizimit të saj, sipas standardeve të qytetërimit, një pjesë e njerëzve tanë janë të shqetësuar, të paorientuar. Ata kanë vështirësi të kuptojnë thelbin e funksionimit të shoqërisë së hapur.
Është normale që në jetën e sotme sociale të ketë anomali për mënyrën e organizimit të jetës sociale dhe funksionimit privat të mënyrës qytetare të të jetuarit. Dogmatizmi social, determinimi i mënyrës ideologjike të të jetuarit, jeta e bazuar në parime të rënda sociale e morale, e ngritur mbi piketa orientuese fikse, të ngjashme dhe të barabarta për të gjithë, është arsye ontologjike e thellë, që nuk lidhet vetëm me brezat e së kaluarës, por edhe me njerëzit e kohës sonë të cilët në mënyrë direkte dhe reflektive kanë pengesa të riorientimi

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›