E Shtunë, 31 Tetor 2026

Nga vijmë dhe ku po shkojmë?

magdaNga Magdalena Ramohito

Më pëlqen të shëtis nëpër rrugët e Tiranës, sidomos pas shiut, sepse supozohet që ajri bëhet pak më i pastër, të paktën kështu e ndjej në frymëmarrje  dhe e rëndësishme është që psikologjikisht njeriu të ndihet mirë në raport me ajrin, pavarësisht çfarë tregojnë matësat.

Matësat?- ata që llogarisin sa gram smog për mm3 gjendet në ajër apo në këndet e lojërave të fëmijëve. I keni vënë re në vendet europiane (sepse atje kjo matje është një rutinë) në ato fusha ku luajnë fëmijët nëse ndotja e kalon masën e lejueshme, Bashkia e qytetit vendos aty një shirit në formë kryqi si ai që vendoset nëpër baret e Tiranës: Mos pi duhan!, por që në fakt pihet rregullisht nga deputetet e Kuvendit e deri tek adoleshentët e adoleshentet e deprimuara, të cilët/cilat e gjejnë cigaren si një mjet për të shkarkuar tensionin që u grumbullohet nga njëmijë e një arsye (nuk desha ta përmend politikë).

Madje një ditë qysh në mëngjes në një bar pranë shtëpisë sime, sapo hyra, mu tek qoshja pranë derës kryesore pashë jo me pak habi një adoleshente, e cila ishte duke pirë birrë të shoqëruar me cigare.

Nuk e di, po një dhimbje më pushtoi gjithë qenien time, jo pse unë vetë jam pak me të vjetrën në lidhje me sjelljet e vajzave e të grave, jo, jo, kjo as që më erdhi ndër mend në atë moment, përkundrazi ajo që më bëri të ndjehem shumë keq ishte mendimi i parë që më erdhi:- ku e ka nënën e saj kjo vajzë e re në këtë moment.

A shkon kjo adoleshente ne shkollë, a ka dëshira, ëndrra, hobi, a i mjafton dashuria prindërore apo?…

Kështu, pas asaj që pashë në momentet e para të fillimit të ditës, vendosa të eci disa minuta më këmbë, por jo të vëzhgoja më se çfarë ndodhte përreth, jo desha të ecja me sytë në trotuar për të tretur njëherë nëse mundja atë që sapo pashë në barin pranë shtëpisë sime nëse do të mundja…

Kur edhe disa hapa dhe do të mbërrija tek ura e madhe e Lanës (menjëherë vendosa në hundë cepin e bluzës sime për tu mbrojtur nga era e keqe) më ra në sy diçka që në atdheun tonë nuk e shohim shpesh: Një vajzë e gjatë me një veshje që i mbulonte krejt trupin e saj hollak, bluzë të linjtë të bollshme me mëngë të gjata dhe një fund të linjtë deri në fund të këmbëve, kishte mbathur një palë sandale të sheshta me dy rripa të kryqëzuar mbi kurrizin e këmbës, ndërsa krahëqafë kishte një çantë të thjeshtë, që me siguri brenda saj kishte ndonjë libër o bllok shënimesh, lapsa për të shkruar e jo për të trukuar sytë e asaj. Kjo përshtypje mu krijua ngaqë fytyra e saj e bardhë ishte ujë e sapun.

Ajo vajzë ishte ulur me gjunjë në tokë (era e keqe e Lanës nuk e bezdiste me sa dukej) dhe në prehrin e saj kish marrë një fëmijë rom rreth 3-4 vjeç i fërkonte shpinën e tij të dobët dhe sa herë lëviztë dora e bardhë dhe e brishtë e vajzës, që kush e di nga cila pjesë e planetit vinte dhe për çfarë arsye, dilte lëkura e fëmijës e zezë, e pisët, dhe brinjët e trupit të tij dukeshin të ndara nga njëra tjera, pasi vetëm cipa e lëtyrtë e lëkurës së trupit të tij i mbulonte.

Vazhdoja ta shihja atë skenë, e cila më jepte shijen e kundërt të asaj që ndjeva tek bari me adoleshenten… dhe mendova se vajza e huaj po bënte gjestin human edhe me një mesazh për kalimtarët, që në fakt ishin krejt indiferentë të zënë me bisedat e tyre politike, thashetheme të rastit, apo plane të përkohshme…

Ajo vazhdonte ta përkëdheltë atë fëmijë, që ndoshta për herë të parë a të fundit në jetën e tij po provonte të tillë kujdes dhe me sa i lexohej në sytë e tij të bukur të zezë nuk se kishte aq nevojë për të dhe për fatin tim të keq, që ajo ditë ashtu më kishte nisur dhe me sa duket ashtu do të më përfundonte; – shoh dorën e zezë imcake të letyrosur nga sendet e pista që me gjasë kish filluar qysh në të gdhirë të rrëmonte në kazanët e plehrave, të fëmijës që po ja zgjaste vajzës së huaj përpara fytyrës.

Aty ndala dhe u përqendrova të shoh reagimin e saj, ndërsa ajo vazhdonte ta përkëdhelte pa u lodhur, por dorës së zgjatur imcake nuk ia hodhi sytë për asnjë çast.

E kuptova mesazhin, ajo donte ti jepte atij fëmije atë që i kish munguar që prej sa kishte lindur, dashurinë, përkëdheljet pikërisht atë që realisht i mungonte, ndërsa paratë?

Dukej sheshit se ishte tejet i varfër, por në atë dorën e zgjatur të letyrosur nuk do kishin munguar monedha të hedhura në distancë nga kalimtarë….

Po vajza?- mendova me veten time, ajo e barit,- kishte para të pinte qysh në mëngjes birrë madje edhe cigare, të shtrenjta të dyja- i mungonte një bisedë më nënën e babain e saj, një përqafim në mbrëmje përpara gjumit e një në mëngjes kur janë ndarë kush e di sesi…?

Shumë njerëz mendojnë se detyra parësore e prindit është të ushqyerit dhe veshmbathja e fëmijës, po a mjafton kjo për një mirërritje? Dhe kur familja për shumë arsye nuk e bën, sa detyrë ka shteti? Po shoqëria? A mund ta detyrojë shteti familjen, kryesisht nënën që të paktën dy orë në ditë tia kushtohet fëmijës jo vetëm të voglit, por edhe adoleshentit? ta përqafojë, ta përkëdhelë, ti thotë fjalë të mira, të bisedojë, ta qortojë?

Duket se shqiptarëve u është bërë paraja jo si një mjet i cili të shërben për të realizuar qëllime të jetës, por si një mjet zëvendësues i gjithçkaje.

Ajo dorë e vogël e shtrirë përpara fytyrës së vajzës që përpiqej ti falte pak dashuri, më mbeti në mendje, por jo vetëm kaq, më mbushi mendjen se edhe për shumë kohë dashuria e mirësia në këtë vend merret për hipokrizi. Gjithçka, pra ajo që quhet marrëdhënie, ska të bëjë me bashkëpunim, mirëkuptim për të bërë gjëra të mira së bashku, ajo është Më jep të të jap.

Qenkam lodhur kot duke dhënë tërë jetën time më janë bërë duart me kallo…

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›