E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dëshira për të provokuar

"Nëse do ta lija pasionin të penetronte në trupin tim, dhimbja së shpejti do të bëhej e vazhdueshme". Michel Houellebecq justifikon kështu gjithçka që është dhe bën. Pas emrit të tij qëndron gjithnjë mundësia për debate, reagime të ashpra, për thënie e kundërthënie. I fiksuar pas vdekjes, seksit, klonimit, shkatërrimit, pas tmerrit të jetës, Houellebecq mbetet një nga shkrimtarët francezë kontemporanë më shumë të diskutuar. A na kënaq ndonjëherë jeta? Sa peshë ka pasioni në ditën e një mashkulli, të një femre, të një njeriu? Po seksi? "Platforma", një nga romanet më të debatuar, është një udhëtim provokues. Është një histori dashurie mes një gruaje që çdo burrë do të kishte dashur ta takonte dhe një burri që asnjë grua nuk do të mund ta donte. Asnjë, përveç Valerias, e cila nuk e di se si përfundon kur je i mirë dhe bujar. Por më shumë se një grua reale, ajo jeton në fantazinë e ndonjë shkrimtari. Michel, personazhi i zgjedhur për të rrëfyer, një 40-vjeçar parisien, funksionar i një ministrie, ka rënë gati-gati në një gjendje apatie. Në një mërzitje të përhershme, është i paaftë për emocione. Pas vdekjes së të atit vendos të niset. Një pushim në Tajlandë. Në oazet e turizmit seksual, aty ku Michel përpiqet të ndiejë që në trupin e tij rrjedh gjak. Përpiqet të kuptojë nëse pasionet e shfrenuara do të zgjojnë a do të ngacmojnë njeriun-kufomë që ndjen brenda vetes. E papritura ndodh. Michel përjeton një takim intensiv me Valerian, një vajzë që i është bashkuar aventurës së grupit. Në njerëzinë ordinere që prej vitesh rrethon 40-vjeçarin, ajo përbën një përjashtim. Është e aftë për kënaqësi, për të jetuar dëshirat e saj dhe nuk ndjek fantazma. Me t‘u kthyer në Paris, i pushtuar tashmë nga gjallëria e Valerias, së bashku me të dhe një kolegun e tij, Michel i futet një aventure financiare: krijimi i një rrjeti botëror të fshatrave turistikë, në të cilët seksi është i lirë, dëshirat janë në shitje dhe prostitucioni i autorizuar. Suksesi është i menjëhershëm. Por tragjedia nuk vonon të mbërrijë. Jetë të mërzitshme, kënaqësi të degjeneruara, perëndimorë të zhgënjyer. Një roman që tronditi Francën me rrëfimin e një cinizmi erotik në botën e konsumit. Gazetat nuk ngurruan ta bënin pjesë të diskutimit. As ta quanin skandal. Madje iu referuan edhe jetës së tij të hershme për të vënë shenjën e barazimit mes shkrimtarit dhe personazhit. Në moshën 6-vjeçare Michel i besohet gjyshes nga babai. Me lindjen e një vajze, prindërit, një baba që bënte guidën në male të larta dhe një nënë anesteziste, nuk interesoheshin më për të. Këto periudha vetmie do të shprehen fort në romanet e tij. Pas studimit për agronomi, ai diplomohet edhe si inxhinier, por nuk e ushtron menjëherë profesionin. Në moshën 20-vjeçare provon krijimtarinë letrare. Pas kësaj do të bëhej pjesë e shkrimeve të disa revistave. Vite më vonë do t‘i shkojnë edhe disa çmime. Ndërkohë që librat e tij, mes të cilëve "Mundësia e një ishulli", "Zgjerimi i domenit të luftës", trajtojnë me një gjuhë polemike vetminë, absurditetin e jetës profesionale apo të asaj seksuale. "Platforma" ka mundur të vijë në shqip përmes shtëpisë botuese "Skanderbeg boks". I lënë në qendër të polemikave në kohën e botimit të librit, Houellebecq reagon në shtypin francez e më gjerë. Nxiton të ndajë shkrimtarin nga personazhi. "‘Platforma‘ është veçse një trillim", tha ai atëherë. Theksoi fort se ai nuk ishte Michel; që Michel ishte i pamartuar, ndërsa ai po, që Michel i urrente kafshët, ndërsa ai mbante të tilla në shtëpi. Por deklarimet e tij nuk i penguan barazimet e shpeshta mes tij dhe personazhit që krijoi. I gjendur përpara pyetjes nëse ai kishte të njëjtën pikëpamje mbi seksin si personazhi i tij, Houellebecq do të shprehej se "në Tajlandë seksi është një profesion i nderuar". Por pështjellimet e librit mbi jetën, seksin, pasionin, nuk do të mbesnin këtu. Ata që reaguan edhe më fort ishin myslimanët. Madje e çuan deri në bankën e të akuzuarve. E akuzojnë si racist, për fyerje dhe poshtërim ndaj islamit. Valeria e tij vdes nga një sulm i islamikëve ekstremë mes 117 vetave të tjerë. Myslimanët në librin e tij nuk janë ata që u shkojnë pas parimeve fetare, por ata që kënaqen në gotat e pijeve alkoolike dhe në jetën e shfrenuar. "Islami e tharmoi jetën time dhe islami është diçka që duhet ta urrej. Në ditët në vazhdim do t‘ia kushtoj jetën urrejtjes ndaj islamit", shkruan ai, duke shtuar në disa rreshta më poshtë se "çdo herë që dëgjoj se një terrorist palestinez ose një fëmijë palestinez, ose një grua shtatzënë palestineze vritet në rripin e Gazës, pranoj me entuziazëm se bëhet fjalë për një mysliman më pak". E pranon që ngacmon, fort, por pranon që edhe nuk mund të bëjë ndryshe.

"Pranoj se sharjet janë një nja kënaqësitë e mia. Kjo më ka sjellë gjithmonë probleme, por kështu ndodh. Unë sulmoj, fyej. E kam dhunti fyerjen dhe provokimin, ndaj i përdor ato. Në veprat e mia ato marrin erë. Rrallë të bëjnë për të qeshur, apo jo?"


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›