E Shtunë, 31 Tetor 2026

Nir Barkat, njeriu ndryshe i Jerusalemit

Intervista ishte fiksuar për në orën një e gjysmë, por kryetari i bashkisë erdhi rreth gjysmë ore me vonesë, për shkak të një sulmi terrorist. Një palestinez përdori një buldozer për të shkatërruar një makinë policie dhe për të goditur një autobus afër qendrës më të madhe tregtare të Jerusalemit. Për ta ndaluar, dy policë dhe një taksist e qëlluan duke e lënë të vdekur në vend. Kryetari i bashkisë së qytetit, Nir Barkat, u informua për skenën, u konsultua me policinë dhe u dorëzoi medalje për merita të veçanta tre heronjve të ngjarjes. Është një ditë e zakonshme pune, si gjithë të tjerat, për kryetarin e Bashkisë së Jerusalemit, në "pushtet" që prej tre muajsh. Barkat është një sipërmarrës milioner dhe nuk dëshiron të paguhet për të administruar qytetin. Kur vjen për të bërë intervistën, është i qetë dhe në formë, si gjithmonë. "Mësova tre leksione nga sulmi i sotëm, thotë me një anglishte të shkëlqyer. I pari: ndëshkimi duhet të jetë sa më i ashpër që të jetë e mundur, sepse shërben për të vendosur rregull. I dyti: ata njerëz reaguan shpejt dhe me vendosmëri dhe ne duhet të mësojmë prej tyre. Së treti: duhet t‘i rikthehemi jetës normale sa më shpejt të jetë e mundur". Problemi është se çfarë do të thotë "jetë normale" në Jerusalem, qytetin më të kritikuar dhe dëshiruar të botës, më të varfër dhe më besimtar të Izraelit. Të gjitha grupet që kanë qenë në pushtet në rrjedhën e historisë, hebrenj, myslimanë dhe të krishterë, kanë krijuar lidhje të ngushta me qytetin. Njeriu që drejtonte buldozerin mbante një kopje të "Kuranit" në sedilje. Disa e mbrojtën, duke theksuar se autoritetet izraelite kanë urdhëruar shkatërrimin e dhjetëra shtëpive të banuara nga arabët dhe se sulmi ishte një "përgjigje e natyrshme". Barkat, 49 vjeç, pragmatik në tregti dhe konservator në politikë, nuk e konsideron lidhjen e tij me Jerusalemin si një problem, por si një mundësi. Ai përsërit shpesh se Jerusalemi është qyteti më i rëndësishëm në botë dhe se tre miliardë qytetarët e botës e kanë përzemër edhe pse rreth 2 milionë e vizitojnë atë çdo vit. Objektivi i tij është ta çojë këtë shifër në dhjetë milionë, falë parqeve të reja dhe një administrimi më të mirë urbanistik. Barkat ka një ide shumë të qartë se si duhet të jetë normaliteti. Për të Jerusalemi është kryeqyteti i përjetshëm dhe i pandashëm i Izraelit, që duhet nxjerrë në dritë dhe pasuruar me ndihmën e të huajve. Të gjitha besimet kanë të drejtën të praktikohen, por qyteti nuk duhet ndarë kurrë. "Kjo ndodh edhe në biznes. Shpesh ka një zgjidhje për një problem të madh që të tjerëve u duket i natyrshëm, por nuk është kështu", thotë për sa i përket idesë për të ndarë qytetin, që mund të jetë si kryeqyteti i Izraelit, ashtu edhe i shtetit të ardhshëm palestinez. Njëlloj si ai mendon edhe Kryeministri izraelit, Benjamin Netanjhu, por jo administrata amerikane. Sekretarja e Shtetit, Hilari Klinton, ka treguar se plani për të shkatërruar dhjetëra shtëpi palestineze në Jerusalemin lindor nuk të ofron asnjë lloj ndihme. Administrata Obama thotë se dëshiron të krijojë kushtet për një zgjidhje me dy shtete, por mundësia mund të humbasë për shkak të ekspansionit të banesave izraelite dhe kontrasteve politike brenda të dyja pjesëve të çështjes.

Jerusalemi lindor

Në ditët e fundit, në disa lagje të Jerusalemit lindor janë shpërndarë urdhrat e prishjes. Nga njëra anë Barkat po sjell një sens rinovimi dhe shpirti sipërmarrës në administratën e bashkisë, por nga ana tjetër po zemëron të gjithë ata që e duan Jerusalemin si kryeqytetin e dy shteteve. Barkat flet për projektet e tij për Jerusalemin lindor, sikur të ishte një qytet normal: dëshiron të zgjerojë zonat publike, të investojë te shkollat dhe në përgjegjësi të ndryshojë mendim për të gjithë ata që e quajnë "lindja e egër". Djali i një profesori fizike dhe

baba i tre fëmijëve, Barkat ka kaluar një pjesë të fëmijërisë në SHBA, ku u formua edhe karakteri i tij. Është shumë luftëtar dhe i pëlqen të fitojë. Kur ishte i ri, merrte pjesë në garat me makina, ndërsa sot bën vrap dy herë në javë. Për të Jerusalemi është një sfidë e menaxhueshme. Problemi qëndron se qyteti është plot mëri të vjetra dhe në pjesën arabe askush nuk beson tek ai. Në lagje si Silwan, Shuafat dhe Sheikh Jarrah sheh postera gjithandej, një shenjë e qartë proteste e palestinezëve që kanë humbur ose janë duke humbur shtëpitë e tyre. Zemërimi ka arritur kulmin. "Barkat, mos shkatërro Jerusalemin", thotë njëra, ndërsa te tjetra shkruhej: "Jo tërheqjeve turistike në themelet e shtëpive të 1500 personave". Ato shtëpi, thotë Barkat, janë ilegale dhe ky është motivi i vetëm se përse kërkon t‘i prishë. Të njëjtën gjë po bën dhe në Jerusalemin perëndimor, ku jetojnë kryesisht hebrenjtë. Për ta provuar këtë, tregon shifra: një e treta e ndërtesave për t‘u shembur ndodhen në pjesën perëndimore. Palestinezët dhe mbrojtësit e tyre thonë se meqë palestinezët nuk i lejojë kurrë të ndërtojnë, atyre nuk u ngelet gjë tjetër veçse t‘i ndërtojnë ato ilegalisht. Autoritetet duan të sigurohen se në Jerusalem vazhdon të jetë një mazhorancë e madhe hebrenjsh. Qyteti ka rreth 800 mijë banorë dhe nga këta rreth 270 mijë janë palestinezë. Lagjja ku gjendja është më e rëndë, quhet Silwan, në juglindje të murit të qytetit të vjetër, ku rreth 7500 banorë jetojnë në ndërtesa ilegale. Barkat kërkon ta shndërrojë në një park arkeologjik, një zonë ku sipas traditës shkonin për të shëtitur Mbreti David dhe personazhe të tjerë historikë. "Për tridhjetë mijë vjet ka qenë një zonë jeshile, ndërsa sot gjen me qindra ndërtesa të paligjshme. Duam që të jetë sërish një park", pranon kryetari. Barkat ia ka besuar përgjegjësitë e Jerusalemit lindor një miku të vjetër, Yakir Segev. I intervistuar nga një e përditshme lokale, Segev ka thënë: "Jerusalemi është një laborator. Nëse arrijmë të zgjidhim konfliktin me arabët këtu, do të jetë e mundur ta zgjidhim edhe në pjesën tjetër të Izraelit". Me këto fjalë, Segev, ashtu si Barkat, dëshiron të thotë se duhen përmirësuar shërbimet për palestinezët, por edhe për të larguar çdo dyshim për mbizotërimin e hebrenjve. Për këtë arsye ka mbështetur ndërtimin e vendbanimeve të reja izraelite në pjesën arabe të qytetit. Një lëvizje që, sipas palestinezëve, është e barabartë me fundin e shpresave për zgjidhjen me dy shtete. Barkat pranon se ky është një argument delikat, që duhet analizuar me kujdes dhe në mënyrë të matur. "Palestinezët u kërkojnë fëmijëve të tyre të bëhen terroristë. U thonë se duam t‘i ndjekim, ndërsa ne u propozojmë një zgjidhje nga e cila fitojnë të gjithë. Ata kërkojnë diçka, ku ata që humbin jemi ne. Ndaj përgjigjja është ‘Jo‘. Nuk mendoj se të ndash Jerusalemin është zgjidhja e duhur", përfundon Segev.

Biografia

1959, lindi në Jerusalem

1977-1983, punoi si parashutist i ushtrisë izraelite

1988, themeloi me dy ortakë të tjerë shoqërinë informatike "Brm", specializuar në antivirus

2003, kandidoi për herë të parë në zgjedhjet për kryetar bashkie të Jerusalemit, por arriti të marrë vetëm vendin e këshilltarit

2008, u zgjodh kryetar bashkie i Jerusalemit


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›