E Diel, 1 Nëntor 2026

Mahmud Ahmadinexhad: Nuk jemi as të pamatur e as naivë. Jemi realistë

Gjatë një interviste për revistën gjermane "Der Spiegel", Presidenti iranian tregon mbi zhvillimet që pret nga Presidenti i ri, Barak Obama. E mirëpret fitoren e tij elektorale, ashtu si dhe shenjat për ndryshimin e politikave, në mënyrë të veçantë ato ndaj vendit të tij. Por, megjithatë, këmbëngul se asnjë përmirësim në raportet mes dy vendeve nuk mund të marrë jetë në rast se fjalët e Obamës nuk "përkthehen" në veprime konkrete dhe nëse Amerika s‘heq dorë nga zgjidhja e problemeve në rrugë ushtarake.

Zoti President, deri tani keni udhëtuar katër herë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, për të marrë pjesë në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së. Cila është përshtypja juaj për amerikanët dhe Amerikën?

Në emër të Zotit, Mëshirëshumit e të Gjithëpushtetshmit, ju ftoj të vini përsëri në Teheran, thuajse tre vjet pas takimit tonë të parë. Tani t‘u kthehemi Shteteve të Bashkuara: sigurisht, nuk mund të njihet një vend i tillë me vizita të shkurtra, por fjalimet dhe debatet në Universitetin Kolumbia ishin shumë të veçanta për mua. E di shumë mirë për dallimin që duhet bërë mes qeverisë amerikane dhe amerikanëve. Nuk bëjmë me faj amerikanët për vendimet e gabuara të administratës "Bush". Ata duan të jetojnë në paqe, ashtu si të gjithë ne.

Para tri javësh, Presidenti Barak Obama ju drejtua iranianëve përmes një mesazhi video. E patë atë fjalim?

Po, në Amerikë po ndodhin ngjarje të mëdha. Besoj se amerikanët janë në procesin e nisjes së zhvillimeve të mëdha.

Cila është ndjesia juaj ndaj atij fjalimi?

E dyzuar. Disa pasazhe qenë të reja, ndërsa të tjerat u përmbaheshin qëndrimeve që tashmë i njohim mirë. Më bëri përshtypje fakti që Obama i veshi vlera aq të larta civilizimit iranian, historisë dhe kulturës sonë. Është gjithashtu pozitive që kërkon respekt reciprok dhe ndërveprim të ndershëm. Në një segment të fjalimit të tij thoshte se pozicioni i shtetit të tij në botë nuk duhet të varet vetëm tek armët dhe fuqia ushtarake, gjë që e thoshte edhe administrata e shkuar. Gabimi i madh i Xhorxh Bushit ishte se donte t‘i zgjidhte të gjitha problemet ushtarakisht. Kanë ikur ditët kur një vend mund të urdhërojë popujt e tjerë. Sot, qenia njerëzore duhet të bazohet te kultura, idetë dhe logjika.

Çfarë do të thotë kjo?

Obama duhet t‘i kthejë fjalët në veprime.

Ju shtroni vazhdimisht kërkesa. Por e vërteta është se politikat tuaja, raportet e këqija me Shtetet e Bashkuara, janë një pengesë për ekonominë globale dhe një kërcënim për paqen në botë. Cili është kontributi juaj në lehtësimin e tensioneve?

Jua kam shpjeguar këtë. Mbështesim bisedimet e kryera mbi bazën e sinqeritetit dhe respektit. Ky ka qenë gjithnjë pozicioni ynë. Po presim që Obama të publikojë planet e veta, në mënyrë që të mund t‘i realizojmë.

Kaq është e tëra?

Do presim për të parë si do veprojë Obama.

Bota e sheh ndryshe këtë, ashtu si ne. Irani duhet të veprojë. Irani duhet të tregojë vullnet të mirë.

Ku është ajo botë për të cilën po flisni ju? Çfarë duhet të bëjmë ne? Duhet të keni parasysh se nuk ishim ne ata që prishëm marrëdhëniet me Amerikën. Amerika i prishi marrëdhëniet me ne. Çfarë prisni nga Irani?

Hapa konkretë, ose të paktën një gjest mirëkuptimi nga ana juaj...

I jam përgjigjur kësaj pyetjeje. Ishte Uashingtoni ai që ndërpreu marrëdhëniet.

Po thoni se do t‘i mirëprisni ndryshimet e qëndrimeve nga ana e Shteteve të Bashkuara të Amerikës?

Çfarë mendoni? Ǒdo të ndodhë? Cila është përqasja e duhur?

Bota i pret prej jush përgjigjet.

Por unë ia dërgova një mesazh Presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Ishte një hap i madh, i stërmadh. E urova për fitoren e zgjedhjeve dhe i thosha disa gjëra në letrën që i dërgova. Kemi qenë dhe jemi të interesuar për ndryshime domethënëse. Nëse duam ta zgjidhim këtë problem mes dy vendeve, është e rëndësishme të pranojmë se Irani nuk luajti rol në krijimin e mosmarrëveshjeve. Shkak u bë sjellja e administratës amerikane. Në rast se sjellja e tyre ndryshon, mund të shohim progrese të rëndësishme.

Mund të arrihet deri te rivendosja e raporteve diplomatike, ndoshta te hapja e ambasadës amerikane?

Nuk kemi marrë asnjë kërkesë lidhur me këtë pikë. Nëse ndodh, do e bëjmë të qartë mendimin tonë. Duhet të marrin jetë ndryshime shumë të rëndësishme. Qeveria amerikane duhet të nxjerrë mësime nga e shkuara.

Juve jo?

Gjithkush duhet të mësojë nga e shkuara.

Atëherë ju lutem të na thoni mësimet që keni nxjerrë ju.

Jemi nën presion që prej 30 vjetësh, në mënyrë të padrejtë dhe pa faj nga ana jonë. Nuk kemi bërë asgjë.

Është e vërtetë që reputacioni i Amerikës në botë vuajti shumë nën administratën Xhorxh Bush. Por me gjithë respektin, zoti President, edhe reputacioni i Iranit është cenuar shumë nën presidencën tuaj.

Ku? Ndaj kujt? Ndaj pushtetarëve apo ndaj njerëzve? Me cilët popuj e cilat qeveri? Gjatë më shumë se tri viteve në këtë post kam vizituar më shumë se 60 shtete, ku jam pritur me shumë dashuri si nga njerëzit rrugëve, ashtu edhe nga qeveritë. E di që reputacioni ynë te qeveria amerikane dhe disa qeveri evropiane nuk është pozitiv. Por ky është problemi i tyre. Të gjithëve u ka ardhur në majë të hundës qeveria amerikane.

Por ju as që po ia ofroni një shans bashkëpunimi administratës së re amerikane. Sjellja juaj karakterizohet nga mosbesimi.

Ne flasim me shumë respekt për Barak Obamën. Por jemi realistë. Duam të shohim ndryshime të vërteta.

Por disa politikanë në Teheran u druhen kontakteve me Amerikën. Sipas zyrtarëve amerikanë, zëvendësministri juaj, Muhamed Mehdi Ahundzadeh, shtrëngoi duart javës së shkuar në Hagë me Riçard Holdbruk, por më pas Ministria e Jashtme e Iranit e mohoi takimin. Si mund të besojmë te vullneti juaj i mirë për të bashkëpunuar, në rast se edhe një tokje duarsh e shihni si problem?

Nuk besoj se kjo përbën problem. Një shtrëngim duarsh, një gjest mirësjelljeje, nuk përbën problem në këndvështrimin tim.

Po e zbusni situatën. Por ndoshta një sjellje e tillë është provë e masës së çarjes mes Uashingtonit dhe Teheranit.

Sigurisht, nuk mund të presim që problemet që zgjasin prej më shumë se gjysmë shekulli të mund të zgjidhen brenda pak ditëve, nuk jemi as të pamatur e as naivë. Jemi realistë. E rëndësishme është vendosmëria për të sjellë në skenë përmirësime. Në rast se atmosfera ndryshon, zgjidhjet mund të gjenden.

A bëni edhe ju dallim, ashtu si amerikanët, mes talebanëve të pakorrigjueshëm, të cilët duhen luftuar dhe talebanëve të moderuar, me të cilët mund të bisedohet?

Nuk do të dilja me një verdikt përfundimtar lidhur me këtë temë. Mos harroni, afganët kanë lidhje të ngushta me iranianët. Në vendin tonë jetojnë më shumë se 3 milionë qytetarë afganë. Dhe e përsëris, zgjidhja e problemit të Afganistanit nuk mund të gjendet te forca ushtarake.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›