Dëshmia: Gruaja më tradhtoi me të atin
Eduart Gjoka, i cili hodhi të birin nga ura ndryshon dëshminë duke u shprehur se gjithçka ka ndodhur pa dashje
Në deklaratën e dhënë para gjykatës, 32-vjeçari ka akuzuar të shoqen, duke deklaruar se foshnja s'ishte i tij
SHKODËR - "Arrest në burg" ka qenë masa e sigurisë e vendosur të hënën nga Gjykata e Shkallës së Parë në Shkodër për 32-vjeçarin Eduart Gjoka, i cili akuzohet se tentoi të vrasë djalin e tij 2 vjeç e gjysmë, duke e hedhur nga një urë.
Ngjarja ndodhi ditën e premte, ndërsa vetëm dje Gjoka është paraqitur në gjykatë, teksa ka dhënë edhe variantin e tij. "Po e mbaja fëmijën në krah për ta çuar tek njerëzit e së ëmës, pasi duhej ta dorëzoja. Isha pranë parmakëve dhe e kam rrotulluar për ta marrë në shpinë, por në atë moment djali më rrëshqiti nga duart dhe ra",- deklaroi para togave të zeza Eduart Gjoka.
Gjithsesi, ai nuk është ndalur këtu në mbrojtjen e vet. Ai është shprehur se fëmija që ai kishte hedhur, nuk ishte i veti, por i ish-vjehrrit të tij. Sipas 32-vjeçarit, vogëlushi ka lindur në muajin gusht, nëntë muaj pasi i ati i bashkëshortes kishte dalë nga burgu.
Ndërkohë, në dëshminë e parë të dhënë përpara oficerëve të policisë gjyqësore, Eduart Gjoka kishte pretenduar se fëmijën e kishte hedhur nga ura pasi nuk ishte i tij dhe donte të hakmerrej ndaj ish-gruas, e cila tashmë ishte martuar në Serbi. Gjithsesi, përpara gjyqtares së gatshme ai ka deklaruar se kërkonte që të qëndronte në burg, pasi jashtë tij e ndiente jetën të pasigurt.
Përfaqësuesja e organit të akuzës, Edlira Cufi, ka kërkuar si masë sigurie arrestin në burg për Gjokën. Avokati Gjovalin Ulndreaj, pasi e ka cilësuar si të ligjshëm ndalimin, e ka lënë vlerësimin e masës në çmim të gjykatës, ndërsa si mbrojtje ka përmendur çrregullimet e shfaqura gjatë deklaratave nga klienti i tij 32-vjeçar, duke u shprehur se ai abuzonte me lëndët narkotike, fakt ky i pohuar edhe nga vetë i pandehuri gjatë marrjes në pyetje nga oficerët e policisë gjyqësore.
Pas dëgjimit të të dyja palëve nga ana e gjyqtares së gatshme Anita Mici, është vendosur masa e sigurisë "arrest në burg" për të pandehurin. Ngjarja për të cilën ai akuzohet ndodhi tek ura e trenit në lagjen "Mark Lula", ku Gjoka hodhi të birin 2 vjeç e gjysmë nga një lartësi prej katër metrash dhe më pas u largua, pa i dhënë as ndihmën e parë. Ai u prangos ditën e shtunë, ndërsa ishte fshehur në shtëpinë e disa të afërmve në Kodër Bardhaj.
Mësohet se vogëlushi ka pësuar frakturë në këmbë dhe ka lënë ambientet e spitalit pasi është marrë nga familja e nënës së tij. Vetë gruaja ka mbërritur në Shkodër të shtunën në mëngjes, pas marrjes së njoftimit për çka i kishte ndodhur të birit. Bëhet e ditur se çifti ka qenë i martuar tre vjet më parë, ndërsa divorci është kryer para 7 muajsh. Gruaja ka pretenduar para gjykatës se i shoqi nuk punonte dhe konsumonte shumë alkool. Pas divorcit ajo është martuar në Serbi.