Aksioni, sekuestrohen 401 makina elektronike
Operacioni vazhdon ende dhe do te identifikojë të gjitha pikat që ushtrojnë aktivitet në mënyrë të jashtëligjshme
Policia, kontroll ndaj pikave të lojërave të fatit në të gjithë vendin. Procedohen penalisht 66 persona
TIRANË- Policia e Shtetit zhvilloi një operacion të gjerë për ndërprerjen e aktivitetit të paligjshëm të lojërave të fatit duke ndaluar edhe disa persona. Aksioni i cili filloi më datë 4 dhjetor dhe është ende në vazhdim zhvillohet në bashkëpunim me strukturat e Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve si dhe Njësinë e Mbikëqyrjes së Lojërave të Fatit.
Gjatë këtyre ditëve strukturat në fjalë kontrolluan 260 subjekte, të cilat zhvillonin aktivitetin e lojërave të fatit, ku 65 prej tyre rezultuan të palicencuara për ushtrimin e këtij aktiviteti.
"Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit zhvilloi në shkallë vendi në datat katër deri gjashtë dhjetor operacionin policor të koduar "Gambling 2", me qëllim ndërprerjen e aktiviteteve të paligjshme të lojërave të fatit, identifikimin dhe procedimin penalisht të personave që kryejnë këtë aktivitet, si dhe bllokimin e ambienteve dhe sekuestrimin e pajisjeve dhe makinerive të lojërave të fatit", - njoftohet nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë
Bëhet me dije se ndaj personave që kanë ushtruar këtë aktivitet pa marrë licencën përkatëse, policia ka kërkuar procedimin penal në organin e prokurorisë për kryerjen e veprës penale të "Organizimit të lotarive të palejuara" dhe "Vënies në dispozicion të lokaleve për lojëra të palejuara".
Gjithashtu pikave që janë kapur pa licencë iu bllokuan ambientet ku ushtronin aktivitetin e paligjshëm. Pjesë e aksionit të policisë ka qenë edhe makineritë elektronike duke bllokuar rreth 400 të tilla. Drejtoria e Përgjithshme e Policisë bën me dije se operacioni do të vazhdojë edhe në ditët në vazhdim.
Elbasani dhe Fier janë dy qarqet që kanë shënuar numrin më të lartë të njësive të palicencuara por edhe të personave të denoncuar në prokurori. Në Elbasan janë kallëzuar 20 persona, në Fier 14 ndërsa në total të të dy qarqet numri i njësive të bllokuara është 34.
Sipas policisë, qarqet më të "rregullta" janë ato të Gjirokastrës, ku megjithëse janë kontrolluar 15 qendra të lojërave të fatit të gjitha ato kanë qenë të pajisura me dokumentacionin përkatës.
Njësia e Mbikëqyrjes së Lojërave të Fatit zhvillon herë pas herë operacione të tilla me synim rregullimin e tregut të lojërave të fatit i cili kohët e fundit ka njohur një zgjerim me ritme të larta në vend.
Në korrik të këtij viti, kjo njësi ka ushtruar një tjetër aksion duke bllokuar rreth 75 makineri elektronike në Tiranë me arsyetimin se ishin jashtë standardeve dhe të palicencuara.