E Shtunë, 31 Tetor 2026

Largohen investuesit grekë, mashtruan 50 punonjëse

KORÇË/ Një firmë e cila prodhonte veshje të ndryshme është mbyllur, teksa punonjësve nuk u janë paguar 4 muaj rrogë


KORÇË- Industria e konfeksioneve në rajonin e Korçës po shkon drejt falimentimit, ndërsa në morinë e rrobaqepësive të shumta, njëra prej tyre ka mbyllur në mënyrë klandestine aktivitetin e saj.


Firma "Mik" sh.p.k., një rrobaqepësi ku prodhoheshin veshje të grupmoshave të ndryshme, ka mbyllur aktivitetin rreth një muaj më parë, ndërsa punonjësit e saj të mbetur në udhëkryq, kanë dalë të protestojnë.


Gjatë mesditës së të hënës, 50 punonjëse që kanë shërbyer në këtë firmë prej vitesh, kanë dalë në protestë para zyrave të tatim-taksave në qytetin e Korçës për të kërkuar ndihmë dhe njëherësh zgjidhje për problemin.


Firma në pronësi të një shtetaseje greke nga Selaniku ka çelur aktivitetin në Shqipëri 8 vjet më parë. Më shumë se 50 gra dhe vajza janë punësuar në procesin e rrobaqepëses, ndërkohë që fillimisht ato, përveç pagës mujore të tyre megjithëse shumë e ulët, kishin dhe sigurimet e tyre shoqërore mujore.


Dukej se gjithçka ecte normalisht deri në muajin gusht të këtij viti, kur sipërmarrësit grekë kanë ndërprerë dhënien e pagës për 50 punonjëset e tyre. Por skandali me sigurimet shoqërore do të zbulohej disa muaj më vonë, kur përfaqësuseit grekë bashkë me një sasi prodhimi të largoheshin pa kthim nga Shqipëria.


Deri në ditët e para të muajit nëntor, mësohet nga rrëfimet e vetë ish-të punësuarave në protestë, pronarët e huaj i kanë mbajtur në punë, ndërsa iu kanë kërkuar të paraqiteshin pas një jave.


Në fakt, kjo ka qenë mënyra e tyre e mashtrimit për të larguar 50 punonjësit, të cilët jo vetëm që i kanë lënë pa rroga, por për afro një vit nuk i kanë paguar sigurimin e tyre, megjithëse kanë mbajtur nga paga e çdo punonjësi detyrimin prej 2 500 lekësh në muaj.


Historia duket se është shumë më e thellë se kaq, teksa protesta e cila ka startuar këtë fillimjavë do të vazhdojë edhe në ditët në vazhdim, madje e përshkallëzuar.


50 protestueset i kanë kërkuar ndihmë degës së tatim-taksave në qytetin juglindor për të gjetur pronarët e tyre që janë larguar pa adresë nga Shqipëria, por dhe për të sqaruar gjithashtu kohën e pagesës së kontributit të tyre për sigurimet shoqërore. Nga ajo që iu kanë konfirmuar drejtuesit e tatimeve mësohet se nga muaji shkurt i këtij viti nuk është derdhur asnjë kontribut për asnjë nga punonjësit, pavarësisht punës së tyre me orar të zgjatur.


Migena Isallari, një nga punonjëset e firmës në fjalë tregon e shqetësuar se, përveçse ka mbetur pa punë, gjë që i duhet për të përballuar jetesën e familjes së saj, është shokuar nga mashtrimi për sigurimet, por dhe pagën e katër muajve që sipërmarrësja greke nuk ua ka paguar. Për gruan 40-vjeçare e vetmja mënyrë për të gjetur një zgjidhje është ajo e protestave, të cilat sapo i kanë filluar.

 

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›