Dëshmia e 84-vjeçarit: E vrava Liljanën se më prishi 3 milionë lekë
Mbetet në burg Gaqo Dumka, ndërsa ndryshon dy herë dëshminë brenda ditës, duke pohuar se ka qenë ai që e ka vrarë Liljanën
Korçë Gaqo Dumka, dy dëshmi të ndryshme brenda disa orëve, në gjykatë thotë se e vranë njerëz të tjerë. Pasi gjenden elemente të kokës nga policia, pohon autorësinë e krimit barbar.
Dëshmia në gjykatë
Historia e pazakontë e një krimi ndaj një gruaje ka mbërritur në gjykatën e Korçës. Gaqo Dumka nuk pranon ende krimin, teksa pretendon se viktima u ekzekutua nga tre persona të tjerë. Ashtu si në ditën e tij të parë kur është ndaluar, deri dhe në momentin kur ka dalë para togave të zeza, 84-vjeçari Gaqo Dumka banor i lagjes 4 në qytetin e Korçës, vazhdon të pohojë të njëjtat gjëra. Ai mohon krimin makabër ndaj 42-vjeçares Liljana Arapi nga Bilishti, ndërsa, sipas tij, ajo është masakruar nga persona të tjerë. Në seancën për masën e sigurisë gjatë paradites së të mërkurës Dumka ka qenë i qetë, ndërsa u është përgjigjur me logjikë të ftohtë të gjitha pyetjeve të drejtuara nga gjyqtarja Sonjela Voskopi. I moshuari i veshur e rroba të pastra, me një pamje të qetë, ka folur edhe për veten e vet, ndërsa ka kërkuar drejtësi në fund. “Unë nuk e kam vrarë Liljanën. Ashtu si kam thënë edhe më parë e përsëris se atë e vranë tre persona, të cilët erdhën në shtëpinë time, bën atë veprim të keq dhe ikën. Unë nuk i kisha njohur më parë këta njerëz. Ata erdhën në mbrëmje në shtëpinë time. Unë nuk mund të bëj kurrë gjëra të tilla. Kam punuar gjithë jetën me ndershmëri. Jam punëtor, por kam qenë i respektuar si në regjimin e kaluar ashtu dhe në kohën e PD-së. Unë s’mund të bëj kurrë gjëra të tilla. Unë i kërkoj gjykatës të nxjerrë të vërtetën”, ka pohuar me qetësi të plotë Gaqo Dumka.
Ndryshimi i dëshmisë
Ai këmbëngul të mos e ketë kryer aktin makabër të vrasjes së Arapit, ndërkohë që sipas organit të akuzës një sërë provash vërtetojnë praninë e Dumkës në këtë krim. Njollat e gjakut të gjetura në veshjet e tij, madje dhe në të brendshmet, e vërtetojnë këtë gjë, teksa divani i shtëpisë ka ende njolla të shumta gjaku, aty ku flinte Liljana gjatë kohës kur u vra barbarisht. Gjatë seancës për masën e sigurisë nuk ka patur familjarë të viktimës, por dhe të të arrestuarit. Rrëfimi përfundimtar, unë e vrava se më prishi miliona lekë.
Pas gjetjes së elementëve të kokës së Liljana Arapit, Gaqo Dumka është rimarrë sërish në pyetje nga policia dhe prokuroria. Atij i është bërë e ditur se koka u gjet, ndërsa pas kësaj i moshuari ka vendosur të rrëfejë të vërtetën, të cilën e mbante peng prej disa ditësh. “Po, unë e vrava Liljanën. E kisha marrë në shtëpinë time, jetonte me gjithë të mirat, por më solli mjaft probleme. Unë u bëra streha e saj, ndërsa ajo më merrte paratë e mia. Unë e kam therur kur ishte në gjumë dhe pastaj e paketova trupin. Këtë e bëra se më prishi më shumë se 3 milionë lekë, të cilat i kisha mbledhur me shumë mund”, ka pohuar pak pas seancës gjyqësore për masën e sigurisë 84-vjeçari që akuzohet për “Vrasje me paramendim”. Në këtë mënyrë policia bën të ditur se ka zgjidhur një nga ngjarjet me sensibilitet të lartë në opinionin publik, ndërsa autori i saj është i arrestuari.
Irena Vreto