E masakruar përcillet në banesën e fundit pa kokë
Familjarët e saj kërkojnë drejtësi dhe shprehen se duan që sa më shpejt policia të zbulojë se ku është fshehur koka
Ditën e djeshme është përcjellë për në banesën e fundit viktima e masakruar disa ditë më parë nga një i moshuar në qytetin e Korçës. Shtëpia e familjes Arapi tashmë është hapur për personat që kanë dashur t’u qëndrojnë pranë atyre, për të kaluar këtë ngjarje të rëndë. Në një arkivol të mbyllur, pasi trupi i saj ende nuk është i plotë për shkak të mungesës së pjesës së kokës, familjarët dhe të afërmit kanë vajtuar të afërmen e tyre, e cila u nda nga kjo jetë në mënyrë shumë makabre. E motra e Liljana Arapit, Maria, ditën e djeshme nuk ka mundur do t’i mbante lotët dhe ka pohuar se kërkon drejtësi dhe gjithçka ajo pohon se e ka lënë në dorë të drejtësisë, në mënyrë që të jetë kjo e fundit që të japë edhe dënimin maksimal për krimin e shëmtuar.
“Ne shpresojmë në fuqinë e ligjit. Në të kundërt, ne nuk kemi për t’ia falur. Po atë që na bëri ai ne nuk do ia bëjmë ne atij, se ne nuk jemi kafshë”, ka vijuar apelin motra e viktimës. “Së pari, ne kërkojmë të na gjendet koka e motrës, që të varroset ashtu si lindi me kokë. Ne kërkojmë që hetimet të vazhdojnë dhe autorët të dalin para ligjit. Që ne të jemi të qetë se përse e bëri”, ka treguar më pas ajo.
Lidhur me emrin e autorit të kësaj ngjarjeje, Maria thotë se është e bindur se autori është 84-vjeçari Dumka. “Unë jam e bindur se autor i vrasjes makabre është pikërisht ai dhe këtë e them me 99 për qind bindje, vetëm një për qind mund të mendoj se nuk është ai autori”, ka përfunduar Maria.