E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dëshmia e policit: Rozana ishte e dehur, ja sharjet me Rezartën

SHKRUAN: Thimi Samarxhiu 24-06-2011 11:12

Tiranë- Dy punonjës policie, të gjendur rastësisht mes dy këngëtareve, Rezarta Shkurta e Rozana Radi, kanë rrëfyer për Prokurorinë gjithë skenën e konfliktit. Dëshmitarë të sherrit tashmë të njohur për publikun, policët kanë ndërhyrë për t’i dhënë fund sharjeve dhe shkuljes së flokëve mes vajzave, ndërsa në dosjen e Prokurorisë, rrëfejnë me detaje ç’kanë parë e dëgjuar, mëngjesin e 6 dhjetorit, në afërsi të Liqenit Artificial. “MAPO” boton sot dëshminë e njërit prej tyre, i cili pritet të përsëritet edhe në gjyqin mes dy këngëtareve.

Polici I. Liço: Në orën 22:00 të datës 5 dhjetor 2010, deri në orën 06:00 të datës 6 dhjetor 2010, unë kam qenë me shërbim me autopatrullë së bashku me kolegun tim, G. Bajrami. Rreth orës 03:30 të datës 6 dhjetor 2010, unë me kolegun tim kemi qenë duke lëvizur në patrullim, te rrethrrotullimi i Liqenit Artificial, në drejtim të Saukut. Në segmentin kryesor të rrugës, përballë kompleksit “Fari” kemi vërejtur tre shtetas në mes të rrugës, dy nga të cilat femra dhe një mashkull. Dy femrat po debatonin me zë të lartë me njëra- tjetrën, ndërsa personi i tretë, që ishte mashkull, ka qenë pasiv dhe në një distancë prej afro 5 metrash prej tyre. Shkuam menjëherë aty dhe njëra prej vajzave na doli përpara makinës, duke na kërkuar ndihmë. Zbritëm nga makina dhe u kërkuam identitetin. Nga prezantimi që na u bë, njëra quhej Rozana Radi dhe tjetra Rezarta Shkurta. Të dyja këto shtetase thanë se ishin këngëtare. Shtetasja Rozana Radi, duke bërtitur na tha se Rezarta e kishte qëlluar me pëllëmbë në makinën e saj, ndërsa Rezarta Shkurta thoshte se: “Unë erdha për t’u sqaruar, por Rozana ishte në gjendje të rëndë. Më goditi dhe unë iu kundërpërgjigja për t’u mbrojtur”. Rozana gjatë kësaj kohe e shau dy herë Rezartën, duke i thënë: “Do të sh… robt, u bëre ti”. Rezarta nuk e shau Rozanën, por na thoshte ne: “Me këtë nuk flitet, e shikon si shan”. Ndërsa djali që ishte prezent aty, rrinte shumë pasiv dhe pothuajse nuk fliste fare. Rozana, me sa konstatova unë, ishte në gjendje të dehur dhe mezi e kontrollonte veten. Në një moment, djali që ishte aty u prezantua si Ermal Hoxha, bashkëshort i Rezartës dhe e thirri veç Rozanën e të dy shkuan në makinën e saj, por nuk e di çfarë folën. Gjatë kohës që Rozana hipi në makinë, Rezarta na tha se: “Rozana e ka inatin me mua, për shkak të votimit që është bërë në festival dhe për shkak se e ka pasur të dashur Ermalin, përpara 15 vitesh”. Kur erdhën përsëri aty, Ermali me Rozanën pasi dolën nga makina e Rozanës, Ermali i kërkoi përsëri asaj që të uleshin e të flisnin për ta qetësuar, por Rozana i tha se nuk kishte gjë me të, por me Rezartën. Në këto kushte, pas kërkesës së tyre për të bërë kallëzim penal ndaj njëra- tjetrës, ne u thamë që të shkonin në Komisariat. Ermali me Rezartën ikën me makinën e vet, ndërsa Rozana na kërkoi neve ta shoqëronim, pasi nuk ishte në gjendje të mirë dhe nuk i jepte dot makinës. Gjatë transportit të Rozanës për në komisariatin nr. 1, ajo komunikoi në telefon me motrën e vet dhe i kërkoi të vinte në komisariat. Ne nuk vumë re shenja dhune në fytyrat e dy femrave respektive, dhe as nuk u ankua ndonjë prej tyre për ndonjë goditje dhe dhimbje në ndonjë vend të trupit apo fytyrës së tyre. Të dyja këto shtetase ishin me tualet në fytyrat e tyre dhe të shkatërruara në dukje, për shkak të lotëve, pasi qanin. Ne po të kishim vënë re shenja dhune apo po të kishim pasur ankesa nga ndonjë prej tyre, për dhimbje apo ndonjë dëmtim, do i kishim çuar në spital, pasi kështu procedohet në punën tonë si detyrim. Kur shkuam në komisariat, i lamë në komisariat dhe ikëm.

Oficeri: A ka pasur njeri tjetër të pranishëm gjatë sherrit mes Rozana Radit dhe Rezartës?

Polici: Nuk ka pasur asnjë tjetër të pranishëm, përveç meje dhe kolegut tim si dhe Rozanës, Rezartës dhe Ermalit. Të paktën unë nuk kam vënë re të pranishëm të tjerë. Të gjitha dyqanet apo lokalet kanë qenë mbyllur, pasi ka qenë shumë vonë. Unë nuk kam parë asnjë lokal afër, por kam parë që nga njëra anë e rrugës kishte pallate të ndërtuara.

Oficeri: A ka pasur ndonjë mjet të fortë Rozana apo Rozana gjatë zënkës dhe a janë goditur me ndonjë mjet të fortë mes njëra tjetrës?

Polici I. Liço: Në dijeninë time, as kanë pasur dhe as janë goditur me mjete të forta. Ato thjesht pretendonin se kishin qëlluar njëra- tjetrën, ku të dyja pretendonin se tjetra kishte qëlluar e para dhe se ishin kundërpërgjigjur për t’u mbrojtur.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›