E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Banda” e kartave, përgjimet që zbuluan skemën dhe implikimin e polices

SHKRUAN: Leonard Bakillari 24-06-2011 11:12

Tiranë- Një skemë mashtrimi që niste në Britaninë e Madhe e përfundonte në Tiranë. Prokuroria e Tiranës ka tashmë në dorë prova, dëshmi e përgjime që vërtetojnë implikimin e punonjëses së policisë, Rajmonda Muda, bashkëshortit dhe vëllait të saj në vjedhje me karta të klonuara. Hetimi ka nisur më 24 shkurt, me denoncimin e një banke, ndërsa të pandehurit janë tradhtuar nga blerja e dy celularëve, por edhe nga kamerat e bankave, nga edhe janë identifikuar. MAPO boton sot kërkesën e prokurorisë për arrestimin e tre të pandehurve, të cilët kanë mashtruar një sërë biznesesh në Tiranë, duke blerë sende me karta false.

Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Tiranë ka regjistruar procedimin penal më 24 shkurt 2011 për veprën penale të “Mashtrimit Kompiuterik” ndaj personave nën hetim Bedri Muda, Rajmonda Muda dhe Qemal Kaca. Departamenti Kundër Krimit të Organizuar dhe Krimeve të Rënda ka marrë njoftim zyrtar nga banka "Intesa San Paolo Bank" për kryerjen e disa transaksioneve në disa subjekte tregtare nga persona te paidentifikuar, të cilët kanë përdorur karta bankare të klonuara (falsifikuara) me qëllim blerjen e sendeve dhe mallrave. Ky aktivitet ka filluar më datë 2 shkurt 2011, pranë subjektit tregtar “Scan Color 2-Jysk”, e cila ndodhet në një qendër tregtare, në orën 10:29:37, në të cilën është kryer një transaksion në shumën 2 490 lekë të reja. Transaksioni është kryer me një kartë të falsifikuar dhe fatura e nxjerrë nga terminali ka paraqitur të dhënat e kartës bankare, të lëshuar nga “Bank of America National Association” në SHBA.... Gjithashtu, nga përfaqësues të “Raiffeisen Bank” jemi njoftuar se karta e përdorur në ATM-në e kësaj banke që ndodhet brenda “QTU”-së, në të cilën kamera e sigurisë e vendosur në këtë ATM ka fotografuar dy persona gjatë kryerjes së transaksionit dhe që janë autorët e kryerjes së veprës penale. Këto fotografi janë stampuar dhe nga verifikimet e bëra me krahasimin me fotografi të tjera rezulton se person i dyshuar është rreth 35-40 vjeç dhe mban mjekër. Për verifikimin e aktivitetit kriminal të lartpërmendur, janë kryer disa veprime verifikuese dhe janë kërkuar prova të tjera. Veç kësaj, janë bërë verifikime në subjektin tregtar “Trony” dhe ka rezultuar se ky subjekt, në datën 2 shkurt 2011 ka shitur dy aparate telefonikë, të cilat janë blerë nga një person. Nga kontakti paraprak me administratorin e këtij subjekti, rezultoi se subjekti posedonte numra IMEI për disa aparate telefonike, të njëjtë me ato të shitura në datën 2 shkurt 2011. Nga tërësia e numrave të IMEI janë bërë verifikime me kompani celulare në vend për identifikimin e aparateve celulare, që janë aktivizuar pas datës 2 shkurt, të cilat dyshoheshin se janë aparatet e blera nga autori i veprës penale. Nga verifikimi, njëra prej kompanive celulare ka identifikuar se numri i telefonit, i futur në aparat ishte aktivizuar mbas datës 2 shkurt 2011, i regjistruar në emër të shtetasit Fidan Muda. Nga verifikimet e bëra në regjistrin e gjendjes civile rezultoi se ky person ishte i moshuar. Pas kësaj, po nga i njëjti regjistër i gjendjes civile rezultoi se ky shtetas ishte i ati i Bedri Mudës. Është bërë këqyrje e sistemit TIMS dhe e rrjetit social facebook dhe nga kjo këqyrje e tyre ka rezultuar se fotot e këtij shtetasi kanë shumë ngjashmëri me foton e bërë nga kamerat e ATM së “Reiffaisen Bank”. Pas kësaj është kërkuar në Gjykatë vënia në përgjim e numrit të telefonit, që dyshohej se përdorej nga Bedri Muda, si dhe numra të tjerë telefoni, të përdorur prej tij. Njëri nga numrat e regjistruara në emër të Bedri Mudës rezultoi se përdorej në Dibër, dhe dyshohej se përdorej nga kunati i tij, Anert Kaca. Në datë 12 mars 2011 oficerët e Policisë Gjyqësore janë njoftuar nga punonjëset e subjektit “Argjendari Roza”, se një shtetase e veshur me uniformë të policisë së shtetit, kishte tentuar të bënte blerje bizhuterish, duke përdorur karta bankare të huaja, në emër të personave të tjerë. Duke qenë se gjenealitetet e saj në letërnjoftimin elektronik nuk ishin të njëjta me ato të stampuara në kartën bankare, shitësja nuk e ka lënë përdorimin e kartës. Kjo pasi vetë shitësja, pas përdorimit nga Bedri Muda kishte filluar të verifikonte identitetin e përdoruesve të çdo karte. Në deklarimet e saj, punonjësja e dyqanit, Ina Elezaj, e punësuara e këtij subjekti tregtar, deklaron se mbajtësja e kartave e ka justifikuar këtë fakt, duke i thënë se ia ka dërguar një kushëri nga ShBA me postë, me qëllim për të blerë një dhuratë, duke qenë se shtetasja me uniforme policie ishte fejuar kohët e fundit. Gjatë kohës që kjo shtetase ishte në dyqan, pamjet janë filmuar nga kamerat e sigurisë, të vendosura në dyqan dhe janë sekuestruar me cilësinë e provës materiale. Nga verifikimi i pamjeve filmike, rezultoi se shtetasja me uniformë policie është Rajmonda Muda (Kaca) bashkëshortja e shtetasit Bedri Muda dhe motra e shtetasit Anert Kaca. Kjo shtetase, pas verifikimeve të bëra, rezultoi se është punonjëse e policisë në Drejtorinë e Policisë së Qarkut Tiranë. Në këto kushte, rezulton se të dy bashkëshortët kanë qenë të përfshirë në këtë veprimtari. Në datën 18 mars 2011 Rajmonda Muda ka biseduar me numrin e telefonit të Bedriut, i cili dyshohet se është përdorur nga vëllai i Rajmondës, Anert Kaca. Në telefon del Anerti dhe gjatë kësaj bisede ai e pyet Rajmondën nëse patën gjë ato të dyja që i ka çuar i ati i tyre. Pra, dyshohet se Anerti i ka dërguar nëpërmjet të atit karta Rajmondës, nga Dibra në Tiranë. Rajmonda i përgjigjet se nuk kanë patur gjë, ndërsa Anerti e saktëson kartën me ngjyrë të verdhë dhe habitet sesi ka mundësi që ajo nuk ka patur gjë. Rajmonda i kthen përgjigje se nuk i kishte pranuar makina. Gjatë kësaj bisede, Anerti i thotë Rajmondës që të mos mërzitet, se një person tjetër, që dyshohet se është vëllai i tyre, Maliq Kaca, emigrant në Angli, do i sillte të tjera nga ato që dyshohet të jenë karta bankash të klonuara. Në datën 24 mars 2011, ora 18:41, Rajmonda bisedon nga numri i Bedriut me vëllanë e saj Anertin, i cili e pyet Rajmondën nëse ka folur me Maliqin. Rajmonda i thotë se Maliqi ka kohë që nuk i ka telefonuar, meqenëse ai po flet me bashkëshorten e tij. Anerti e pyet Rajmondën se dy të tjerat nuk kishin pasur kurrgjë, ndërsa Rajmonda i përgjigjet se nuk kishin pasur gjë dhe ishin të bllokuara. Edhe maqedonasi i kishte nxjerrë të bllokuara dhe nuk i pranonte fare. Rajmonda i thotë se është bërë e vështirë, pasi i kanë rënë hiles, ndërsa Anerti i thotë se nuk i kanë rënë hiles, por janë të bllokuara, pra i kanë bllokuar bankat. Për këtë, Rajmonda i ka thënë Maliqit që t’i shohë dhe njëherë, se mund të mos jenë përpunuar mirë. Pra, dyshohet se kartat janë falsifikuar (klonuar) me probleme, në një mënyrë të tillë që nuk mund të përdoren. Në datën 25 mars 2011 Anerti merr një telefonatë nga një numër anglez që dyshohet se është vëllai i tij dhe i kërkon Maliqit që të gjeje ca të tjera nga ato, rreth 20 copë. Sipas bisedës, Anerti i thotë se ka folur me një person tjetër, që ai e quan Loli dhe dyshohet të jetë Rajmonda dhe ky person i ka thënë që të gjejë edhe për në maj disa të tjera. “Ato kanë një problem, pasi dyqanet e shitjes i kanë rënë në të, pra i kanë kuptuar dhe nuk bëjnë më veprime, pasi të pyesin fillimisht për identitetin”, - i thotë ai vëllait në Angli. Sipas Anertit, Loli ka marrë përsipër që t’i përdorë ato në një vend ku ka turizëm dhe që të mund të bëjë namin, pra dyshohet se ata po përgatiten që t’i përdorin kartat gjatë verës me qëllim në një vend që ka fluks turistësh. Anerti informon Maliqin se të motrës i kanë dalë fonde të pamjaftueshme dhe kjo në katër copë. Sipas bisedës, Maliqi i ka dhënë Rajmondës 8 karta gjithsej dhe habitet si ka mundësi që pesë prej tyre kanë dalë pa fonde. Anerti i thotë Maliqit se ajo nja dy telefona i kishte shitur. Pra, dyshohet se Rajmonda nëpërmjet kartave ka bërë blerjen e dy telefonave dhe i ka shitur më pas. Nga biseda duket se Anerti, kartat që i ka dërguar Maliqi, ia ka dhënë për t’i përdorur Rajmondës dhe kjo ia ka dhënë një personi tjetër për t’i përdorur në Maqedoni. Nga biseda rezulton se Maliqi dhe Anerti kanë dyshime nëse kartat kanë pasur apo jo gjë, pra kanë dyshime nëse ato kanë qenë të bllokuara, ose nëse Bedriu dhe Rajmonda i kanë gënjyer. Anerti në këtë kohë porosit Maliqin për t’i sjellë nja 10-15 copë karta, ndërsa Maliqi i thotë se dhe ato janë me shans.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›