"Dëshmitarë të shekullit çifut" në Berat
Në kuadër të programacionit kulturor të Ambasadës së Spanjës në vendin tonë, ka nisur në Berat java spanjolle, që do të ofrojë këtë radhë kinematografinë ibero-amerikane, me dimensione e imazhe që do të vijnë për artdashësin beratas nëpërmjet filmave nga Argjentina, Kili, Kuba, Uruguai dhe Spanja. Java spanjolle në Berat do të paraqesë një cikël prej gjashtë filmash, që do të projektohen në kinemanë verore në qendër të qytetit. Ky aktivitet, organizuar edhe me mbështetjen e bashkisë së qytetit, është çelur mbrëmjen e djeshme me ekspozitën fotografike titulluar "Dëshmitarë të shekullit çifut". Në galerinë e arteve "Eduart Lewar" janë ekspozuar fotografi që dëshmojnë më së miri realitetin ballkanas gjatë Luftës së Dytë Botërore në qendër të së cilës është vendosur populli hebre. Kjo ekspozitë ka paraqitur për artdashësit e Beratit dhjetëra foto të fokusuara nga jeta e hebrenjve gjatë luftës, ekspozitë e cila ka hapur rrugën e një investigimi mbi kontributet e hebrenjve me origjinë spanjolle në vendet ballkanike. Ekspozita me fotografi do të qëndrojë e hapur për disa ditë. Në fjalën e tij, kryebashkiaku i Beratit, Fadil Nasufi, vlerësoi kontributin e Ambasadës Spanjolle për zhvillimin e këtyre aktiviteteve, çka i krijon qytetit mundësitë për një jetë të larmishme kulturore. Ndërsa i pranishëm në këtë aktivitet vetë ambasadori i Spanjës, Manuel Mantochio, u shpreh në fjalën e tij se populli hebre do t‘i jetë mirënjohës popullit të Beratit për përkrahjen, mbështetjen dhe shpëtimin e jetëve të dhjetëra hebrenjve që u strehuan në këtë qytet gjatë Luftës së Dytë Botërore.