E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shkolla e Baletit, turne në Itali

Pas një turneu të suksesshëm në Ankara dhe Stamboll të Turqisë, trupa e ansamblit të Shkollës së Baletit ka udhëtuar drejt Italisë. Trupa e kësaj shkolle merr pjesë në një festival ndërkombëtar, i cili u shfaq drejtpërsëdrejti me lidhje satelitore në shumë vende të botës. Programi i përzgjedhur nga drejtoresha e shkollës dhe koreografja Blerina Arbana për këtë aktivitet, përfshinte tri zhanre të ndryshëm: klasik, bashkëkohor dhe folk, në një interpretim që zgjati rreth 2 orë e gjysmë. "Piazza di Cavallo" ishte vendi që hapi festivalin, ku publiku vendas duartrokiti interpretimet e realizuara nga artistët shqiptarë. Më shumë vëmendjen e tërhoqën vallet folklorike, veçanërisht "Festë të madhe ka sot Shqipëria". Kjo valle, e cila shfaq traditat shqiptare në momente festash, u cilësua si një ndër performancat më të bukura të të gjitha valleve folkloristike pjesëmarrëse. Vendi i radhës i interpretimit ishte Salso Maggiore, këtë radhë në baletin klasik dhe bashkëkohor. Ndërkohë, ky tur shfaqjesh do të prekë qytete të tjera të Italisë si Lago Maggiore, Parma, Milano.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›