Dëshmitari Avdyli ndryshon deklaratat

Në Gjykatën Themelore të Prishtinës ka përfunduar paraqitja e provave në procesin gjyqësor të rigjykimit të “Grupit të Llapit”. Dëshmitari i prokurorisë Abdyl Abdyli ka deklaruar para trupit gjykues se gjatë procedurës së hetimeve kishte shpifur në dëm të të akuzuarve pasi atij i ishin premtuar 100 mijë euro dhe viza për SHBA.
Avdyl Avdyli dëshmitar i prokurorisë ka mohuar deklaratat e dhëna gjatë procesit të hetimeve. Duke u përgjigjur në pyetjet e avokateve mbrojtës, ai tha se kishte shpifur në dëm të të akuzuarve pasi gjendja e tij ekonomike në atë kohë ishte e rëndë dhe ai ishte përpjekur të përfitonte materialisht nga ky proces, transmeton rtk.
Dëshmitari tha se i ishte premtuar një shumë prej 100 mijë euro dhe vizë për SHBA nga ana e policisë dhe hetuesve të UNMIK-ut. Ai po ashtu ka arsyetuar vetveten pasi sipas tij deklaratat nuk janë përkthyer drejt.Avdyli tha se para luftës në Kosovë, kishte pasur lidhje të mira dhe miqësore me serbet e fshatit Rekë dhe për këtë familja e tij nuk shihej me sy te mirë.
Në përpjekje për ta hequr njollën e krijuar dhe me qëllim të rehabilitimit të tij ai tha se familja e kishte dorëzuar vet te UÇK-ja në Fshatin Bradash, ndërsa më pas ishte transferuar në Llapashticë.
Por dëshmitari ka mohuar dyshimet se është rrahur apo keqtrajtuar nga pjesëtarët e UÇK-së.Konfrontimet me individ të caktuar ai i ka arsyetuar me faktin se ka qenë njeri problematik dhe se është rrahur nga një person për hakmarrje personale.
Avdyl Avdyli është dëshmitar i prokurorisë i koduar me shifrën katër, identiteti i të cilit është zbuluar me kërkesën e tij. Rrustem Mustafa, Latif Gashi dhe Nazif Mehmeti të njohur si “Grupi i Llapit” po gjykohen për herë të tretë me të njëjtat akuza për keqtrajtim të bashkëpunëtorëve të forcave të regjimit serb. Procesi i paraqitjes së provave ka përfunduar sot.
Trupi Gjykues do të caktojë së shpejti një seancë për paraqitjen e fjalës përfundimtare ndërsa aktgjykimi do të merret me 7 qershor./Indeksonline/