E Diel, 1 Nëntor 2026

Vazhdon misteri i financimit të partive politike

Grupi për studime juridike dhe politike publikoj sot raportin “Financimi i Partive Politike në Kosovë”. Raporti analizon modelet e financimit të partive politike dhe fushatave zgjedhore, ndërkaq vëmendje e veçantë i është kushtuar shkeljeve dhe parregullsive që lidhen me financimin dhe fondet e partive politike. Sipas studimit në vitin 2009 – 2011 partitë politike me burime më të mëdha financiare ishin PDK dhe LDK.

Një ndër gjetjet kryesore të raportit për financimin e partive politike i publikuar sot nga Grupi për Studime Juridike dhe politike është se raportet financiare të ofruara nga partitë politike janë audituar dy herë në vitin 2009 dhe 2010, raporton rtk.

Në këto raporte është vërejtur që partitë politike nuk mbajnë të dhëna financiare në përputhje me standardet e kontabilitetit në Kosovë. Erza Pula nga Grupi për Studime Juridike gjatë prezantimit të raportit tha se partitë politike i nënvlerësojnë të dhënat e tyre duke filluar nga shpenzimet.

“Jo të gjitha partitë politike kanë raportuar të dhënat për degët dhe nëndegët e tyre. Që do të thotë prapë ato i kanë nënvlerësuar të hyrat e tyre gjëra këto që reflektojnë në politika mashtruese”, tha ajo.

Ndërkaq sa u përket donacioneve dhe kontributeve, shumë parti nuk kanë dorëzuar listat e detajuara të kontributeve siç kërkohet me Ligjin për Financimin e Partive Politike.

Sipas këtij raporti, në Kosovë ka më shume se 50 parti politike të regjistruara, ndërsa ai fokusohet në katër partitë më të mëdha PDK,LDK,AAK,dhe AKR. Ndërkohë për Lëvizjen Vetëvendosje raportet ende nuk janë bërë publike nga KQZ-ja./Indeksonline/
 

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›