E Shtunë, 31 Tetor 2026

Qeveria e re, ndoshta të hënën

Kreu i PDK’së, Hashim Thaçi, po bën përpjekje që të hënën Parlamenti të votojë edhe për Qeverinë e re. I kanë mbetur edhe tri ditë për arritjen e marrëveshjes zyrtare me partnerët e koalicionit. Me asnjë nga ta nuk janë ndarë postet ministrore. Nuk ka vendim as për ministrat që do ta përfaqësojnë PDK’në. Nga Valmir Klaiqi & Faton Ismajli më 18 shkurt 2011 në ora 08:17

Mandatari për formimin e qeverisë, Hashim Thaçi, do të nisë të premten raundin e fundit të takimeve me partnerët e koalicionit që pritet të përfundojë me marrëveshje zyrtare.

Kreut të PDK’së i kanë mbetur edhe tri ditë për t’u marrë vesh rreth ndarjes së posteve ministrore me AKR’në, Listën “Ibrahim Rugova” dhe partitë e komuniteteve pakicë, nëse vërtet synon që të hënën të dalë para votës së deputetëve të Kuvendit të ri të Kosovës.

Thaçi ka premtuar në mbledhjen e fundit të Qeverisë në largim, të mbajtur të mërkurën, se qeveria e re do të fillojë punën nga e hëna.

Memli Krasniqi nga PDK ka deklaruar të enjten për Express se janë duke punuar që në dy ditët në vijim të përmbyllin marrëveshjet me partnerët e koalicionit që institucionet të krijohen të hënën.

“Në ditët në vijim do të bëhen takimet e fundit në funksion të formalizimit të marrëveshjeve. Vullneti jonë është që të hënën të bëhet edhe votimi për qeverinë e re”, ka thënë Krasniqi.

Burime të Express nga PDK kanë deklaruar se oferta që Thaçi pritet t’ia prezantojë AKR’së përmban postin e Presidentit, një zëvendëskryeministër dhe tri ministri.

“Në rastin më kstrem mund të ndodhë që AKR t’i ketë katër ministri, por kjo është shumë vështirë të ndodhë”.

Ndërsa, sa i përket posteve tjera, burimi i gazetës ka thënë se është në kompetencë të kryeministrit që të vendosë.

“Qeveria pritet t’i ketë katër zëvendëskryeministra. Dy nga PDK, një nga AKR dhe një nga komuniteti serb. Dy ministri pritet të shkrihen në kuadër të ministrive tjera.

Ndërsa për emrat e ministrave dhe ndarjen e ministrive mes partnerëve nuk është vendosur asgjë ende”, ka thënë zyrtari i lartë i PDK’së në kushte anonime.

Nënkryetari i PDK’së, Bajram Rexhepi, i cili ditëve të fundit është parë afër Thaçit nëpër takime publike, është përfolur si i mundshëm për ta marrë postin e zëvendëskryeministrit.

Por, Rexhepi ka thënë të enjten për Express se edhe nëse do t’i ofrohet ky post, do ta refuzonte.

Ai preferon të mbetet në Ministrinë e Punëve të Brendshme.

“Jo, unë atë post nuk e pranoj, jam përcaktuar për çka dhe nëse më ofrohet ai post, unë nuk do ta pranoj. Edhe më herët kam treguar ku mundem me jap kontributin dhe besoj se edhe Kryeministri e ka parasysh”, ka deklaruar Rexhepi.

Në anën tjetër, krerët e Aleancës Kosova e Re janë në pritje të takimit me krerët e Partisë Demokratike për ta finalizuar marrëveshjen për koalicion.

Nënpresidenti i AKR’së, Ibrahim Gashi ka konfirmuar të enjten se nuk ka pasur ende ndonjë takim, duke shtuar se në dy ditët e ardhshme pritet të finalizohet marrëveshja.
Partneri tjetër i koalicionit, Lista “Ibrahim Rugova” deri tani nuk ka shfaqur asnjë ambicie për poste të caktuara dhe as nuk ka vënë kushte.

Ukë Rugova pret që të dëgjojë ofertën e Kryeministrit Thaçi dhe, sipas gjitha gjasave, çfarëdo që është i gatshëm Thaçi t’u jep, pjesëtarët e Listës do të pranojnë.
Dardan Gashi, njëri nga themeluesit e Listës, ka thënë për Express se ende asgjë zyrtare nuk ka për koalicionin me PDK’në. Ai ka thënë se gjatë ditës së premte do të finalizohet marrëveshja me Hashim Thaçin edhe sa i përket ndarjes së posteve.

“Atmosfera është pozitive edhe jemi në rrugë të mirë me arrit marrëveshje. Jemi duke negociuar.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›