Dëshmitë e karnavalit shkodran që në vitet ‘30
Nuk ka dyshim që Shkodra është qyteti më i vjetër i trashëgimisë të karnavalit, që ka ardhur nga tradita veneciane. Nga kjo trashëgimi, e ardhur sipas të dhënave kryesisht gojtare, nga tregtarë shkodranë në gjysmën e shekullit të 19-të, kulmi ka qenë karnavali i viteve ‘30 të shekullit të kaluar. Në atë kohë Shkodra kishte një sistem të mirë “piace” dhe po ashtu liri të karnavalit dhe të shfaqjeve. Kishte organizatorë të jashtëzakonshëm, artistë dhe fonde të mbledhura për “Karnaval”. Por në fakt, një nga sistemet e rëndësishëm të kulturës së karnavalit shkodran, ishte vargu-artistik dhe bejtja e karnavalit. Ajo ishte edhe thelbi i karnavalit, por edhe ideja përçuese e tij. Pa vargun karnavalesk praktikisht nuk mund të konsiderohej një karnaval i plotësuar. Dalja me karroca dhe maska, por edhe me trupa që demonstronin idenë e karnavalit, shoqëronin në fund të fundit pikërisht vargun dhe poezinë karnavaleske. Ishte një traditë dhe në krye të kësaj tradite ishin “grupet organizatore” që kishin artistë dhe njerëz me zë të letrave dhe kulturës, por edhe zejtarë, të cilët akoma përbënin një bërthamë arti në atë kohë në qytetin e Shkodrës. Padyshim që më i madhi, më i arrituri dhe më i përmenduri, jo vetëm në Shkodër, ishte Kol Shiroka. Kol Shiroka u lind më 16 gusht të vitit 1900 në Shkodër. Mbas rrugëve të mërgimit Kola vjen përfundimisht në Shkodër. Tani ai profilizohet dhe i “dorëzohet” profesionit të berberit, ndonëse nuk e ka me qejf. Kështu, hap një dyqan në lagjen ‘Gjuhadol’. Shpesh dyqani kthehet në studio e në klub ahengxhinjsh. Mirëpo në këto dugaja dhe lokale është edhe bazamenti i humorit dhe artit të Shkodrës. Kola nis të pikturojë e së bashku me disa shokë formon edhe një orkestër. Gjithashtu, ai do të jetë i pranishëm edhe si instrumentist në Kafe të Madhe, duke i rënë xhezit e duke shoqëruar profesorin italian Muc, që i binte pianofortes. Kola, në orkestrën që do të formojë, do të jetë bashkë me Kolë Lufin e Kolë Vjerdhën. Tre Kolat... së bashku ishin thjesht një rastësi. Përveç kitarës, Kola do t’i bjerë edhe violinës, mandolinës, bracit etj. Më vonë, me disa miq të tij, si: Cin Daija, marangoz; Simon Rranxi, këpucar; Luigj Dajçi, mekanik; Ndoc Tivari, Loro Kovaçi, Shuk Paloka, Kolë Krajni, Gjon Kolë Daja, Shuk Radoja etj formojnë shoqërinë “Rozafa”, më 1918. Prej këtij organizimi, rrjedhin edhe shumë të tjerë, në mënyrë të veçantë për artin skenik, humorin dhe karnavalet në Shkodër. Vargu karnavalesk është institucionalizuar afër viteve ‘28-‘29 të shekullit të kaluar, por afishe dhe botime të tij ka vetëm, disa viteve më vonë, në Muzeun e Shkodrës. Një nga cilësitë e kritikës karnavaleske në Shkodër është e drejtpërdrejta dhe morali në shoqëri. Karnavali në Shkodër tregonte, akuzonte dhe demaskonte veset e një shoqërie, shtrese, por edhe fillimin e një ndjenje shoqërore që kërkonte drejtësi sociale. Kol Shiroka në vitin 1935 tregon edhe në vargun e vet se ka gashtë vite që merret me këtë poezi karnavali, kur thotë: “Tash gjasht vjet qi kem fillue, nuk kam pasë tjetër qellim, veç kësaj ditë formën me ndrrue, e me e sjellë në modernizim.” Shiroka ka kapur në vargjet e tij një nga veset e shoqërisë, e cila sillet tepër sipërfaqësore, qëndron e veshur mirë, por nuk merret me familjen, me fëmijën dhe ankohet e ankohet... por duke qëndruar në klube. Ngjashmëria me sot është diçka e jashtëzakonshme. Akoma më tepër se në vitin 1934, Kol Shiroka vëren “modernizma e luks”, por brenda janë të zbrazët, kot, dhe pa dyshim artificialë. Shkodra ishte një pararojë atëherë e modernizmit në jetë, dhe kontradiktës së madhe në shoqërinë akoma jo të mirë konsoliduar, në qytetërim.
Shiroka në vargun e karnavalit kritikon edhe vesin tjetër të emërimeve të njoftunisë, farefisnisë apo edhe të punësimit të injorantëve. Ai shkruan në vitin 1936: “Ne paç pasun ndoj kushri, Ministër o Deputet, ka pas të drejtën e nëpunësisë, pa dijtë me shkrujt emnin e vet.” Sinjikative dhe e qartë, por ai po në këtë vit thotë: “...Paraqet popullin shqiptar, i cili ka qenë dikuer, fund e majë veshun në ar”. Pastaj shton: “E njaj ar qi ka pasë veshë, kah mendoni se ka shkue, njikto hajna ja kanë s’deshë, e ndër banka janë kanë çue...!!” Akuza është për klasën politike në përgjithësi dhe Shiroka nuk ka asnjë ndalesë, ta këndojë si një varg karnavali. Kol Shiroka ka mbetur njeriu i madh i artit dhe vargut, por jo vetëm për “Karnavalin”, por për shumë e shumë bejta e batuta, dhe pse jo, shfaqje në qytetin e madh dhe tradicional të Shkodrës. Ai është një nga njerëzit më të cilësuar të veçorisë artistike që ka Shkodra, dhe patjetër kjo veçori është pikërisht Karnavali dhe sidomos poezia, vargu dhe kritika që e përshkonte atë.
(historian, studiues në Muzeun Historik të Shkodrës)