Mblidhen fonde për restaurimin e Memorialit të Rilindësve
Në 103-vjetorin e vrasjes së bimbashit turk në Gjirokastër, më 13 mars 1908 nga çeta e patriotit Çerçiz Topulli, në Memorialin e Rilindësve në Gjirokastër është organizuar një aktivitet i veçantë në përkujtim të kësaj dite historike. Intelektualë, historianë, përfaqësues të shoqërisë civile, të rinj, banorë të qytetit etj., pasi kanë evokuar edhe një herë këtë ngjarje, kanë kërkuar sërish ndërhyrjen për restaurimin e këtij memoriali në të cilin ndodhen varret e pesë patriotëve: Bajo dhe Çerçiz Topulli, A. Z. Çajupi, Koto Hoxhi dhe Pandeli Sotiri. I pranishëm në këtë aktivitet, publicisti i njohur Artan Lame ka pohuar se kam përshtypjen se sot organizatorët e këtij aktiviteti dhanë një mesazh të veçantë, i dhanë mesazh politikës të ta gjithë llojeve, shporruni se do ta bëjmë vetë restaurimin e memorialit të rilindësve. Aktualisht një grup të rinjsh gjirokastritë janë duke mbledhur fonde për restaurimin e Memorialit të Rilindësve në Gjirokastër. Sipas përfaqësuesit të këtij grupi të rinjsh, Albi Koçi, duke qenë se Bashkia e Gjirokastrës ka shprehur gatishmërinë për zbatimin e një projekti të veçantë, për restaurimin e memorialit i është lënë një hapësirë kohore për nisjen e punimeve deri më datën 5 maj, në të kundërt të rinjtë do të ndërhyjnë për restaurimin e varreve të rilindësve me fondet e mbledhura prej tyre. Në mbështetje të të rinjve gjirokastritë ka ardhur edhe shoqata “Tifozët kuq e zi”. Sipas Eugen Kondit, përfaqësues i kësaj shoqate, tifozët kuq e zi kanë mbështetur me një donacion modest nismën e të rinjve gjirokastritë. “Ky memorial duhet të restaurohet, pasi është pjesë e historisë së popullit tonë”, ka pohuar Kondi.
Më 13 mars të vitit 1908, në rrugën që përshkon lagjen ‘Hazmurat’, në qytetin e Gjirokastrës dy pjesëtarët e çetës së Çerçiz Topullit, patriotët Bajram Ligu dhe Hito Lekdushi, do të vrisnin në një atentat të mirëorganizuar nga kjo çetë bimbashin turk të Gjirokastrës. Sipas dëshmive historike, ata do të zbatonin kështu një vendim të “Komitetit për Lirinë e Shqipërisë”, i cili vepronte në ato vite në jug të vendit, që e kishte dënuar me vdekje bimbashin turk të Gjirokastrës, për shkak të masakrave në zonën e Përmetit dhe atë të Gjirokastrës. Disa ditë pas kësaj ngjarjeje, më 18 mars 1908, çeta e kapedan Çerçiz Topullit, duke luftuar kundër ushtrisë turke pranë fshatit Mashkullorë, do të shënonte një ndër ngjarjet më të spikatura të historisë së popullit tonë