Përgjimi i telefonatave, ja si u zbulua inskenimi i Griseldës
Tiranë- Kallëzimi i pazakontë që vëllai i kryebashkiakut të Kavajës depozitoi në ambientet e policisë, fillimisht ka lënë pa fjalë edhe ekspertët më të vjetër të hetimit të krimeve. Oficerët e policisë dhe prokurorët, sapo janë njohur me atë që ishte treguar nga 28-vjeçarja Griselda Zaimi, kanë nisur menjëherë nga puna, duke përballuar më së miri situatën, edhe pse hetimet janë intensifikuar në orët në vijim. Menjëherë Krimet e Rënda kanë organizuar dy grupe hetimore, i pari që drejtohej nga prokurori Njazi Seferi dhe operonte në kryeqytet, ndërsa grupi i dytë hetimor, me në krye zv.prokurorin për Krime të Rënda, Henrik Ligori, ka udhëtuar drejt Kavajës, ku ka marrë dëshminë e vajzës, deri në ato momente të traumatizuar dhe familjarëve të saj. Fillimisht është urdhëruar policia të identifikojë vajzën që ka qëndruar në kafe me 28-vjeçaren, e cila ishte dëshmitarja J.T. Për policinë, kjo shtetase ka treguar ndër të tjera se Griselda ka hipur në taksi, duke i thënë se do shkonte në shtëpi. Kjo ka qenë e dhëna e parë që ka nisur të përmbysë disi versionin fillestar të ngjarjes, të cilën 28-vjeçarja u kishte treguar familjarëve të bashkëshortit të saj në Kavajë. Menjëherë, Prokuroria ka urdhëruar përgjimin e telefonave celularë të rreth 15 personave, të cilët kishin njohje apo lidhje familjare me 28-vjeçaren, që kishte rrëfyer një ngjarje të padëgjuar më parë edhe nga ekspertët më të vjetër të hetimit. Pa kaluar shumë kohë, nga ky veprim i prokurorisë, përgjimet kanë dhënë rezultatin e parë. Rreth pasdites së vonë, policia ka mundur të interceptojë një bisedë telefonike mes një prej familjarëve të vajzës, që komunikonte me një të afërme të familjes, jashtë Shqipërisë. E shqetësuar nga lajmet e publikuara për rrëmbimin dhe lindjen e detyruar të 28-vjeçares, vajza që punonte si mjeke jashtë Shqipërisë telefonon e shqetësuar te familjarët e saj, duke u interesuar për atë që kishte ndodhur. Por gjatë bisedës, familjarët e Griseldës shprehen se ngjarja nuk është ashtu siç e kanë paraqitur mediat, pasi nuk është e vërtetë që vajza është rrëmbyer apo keqtrajtuar, e megjithatë ata janë shprehur në bisedën telefonike se kjo gjë tashmë ka ndodhur. Ky detaj, i interceptuar në kohë reale nga oficerët e policisë ka bërë që prokuroria të vlerësojë qetësisht situatën, pasi një tjetër element linte të hapur mundësinë se 28-vjeçarja nuk mund të ishte rrëmbyer dhe detyruar të kryente lindje të parakohshme. Menjëherë pasi siguruan këto informacione, grupi hetimor ka marrë në pyetje prindërit e vajzës, të cilët kanë treguar gjithçka dinin për këtë histori. Familjarët e saj kanë deklaruar se nuk kishin konflikte me askënd dhe se ishin të shokuar nga kjo histori. Paralelisht, oficerët e tjerë të ngarkuar me hetimin e ngjarjes, nën komandën e prokurorit kanë mundur të gjejnë taksistin që ka shoqëruar 28-vjeçaren drejt një hoteli në zonën e Tiranës së Re, duke bërë kështu të mundur marrjen e dëshmisë së tij dhe punonjësve të hotelit. Më pas, grupi hetimor ka arritur të sigurojë dëshminë e një tjetër taksisti që kishte transportuar vajzën nga hoteli drejt një klinike private, duke zbardhur kështu gjithë itinerarin që ajo kishte ndjekur, çka rrëzonte versionin e saj për pengmarrje e lindje të detyruar.