E Diel, 1 Nëntor 2026

Dëshmori i 14-t i Komisariatit të policisë së Vlorës

24-04-2013 / Nga Andi Begaj

Komandanti im Roland Likaj

Nga Andi Begaj
Komisariati i Policisë VLORË

Mesnatën e 18 tetorit 2010, oficeri trim i policisë Roland Likaj u vra në krye të detyrës me një plumb në kokë. Pesë muaj më vonë Kryekomisar Agron Kuliçaj bëri deklaratën e zbulimit të kriminelëve: Saleo Stojani, Jetnor Nakoleci dhe Elidon Zeqo.
***
Roland Likaj, oficeri i talentuar dhe trim ishte komandanti im dhe për mua ishte një shembull trimërie dhe guximi që ndiqja dhe ëndërroja të ngrihesha në lartësinë e tij, prandaj  që nga ajo ditë e zezë, që e humba komandantin, herë pas here e “takoj” në  varrezat e qytetit. Më ka mbetur peng se atë ditë që ai ra në krye të detyrës, unë nuk isha me të, edhe sot pas gati tre vjetëve më duket se po të kisha qenë atë natë me të, kriminelët nuk do të ma kishin vrarë dot komandantin...
Duke ju afruar vendit ku prehet Rolandi gjithnjë mendoj t`i them: kriminelët i mbërthyem në pranga, fili i qetë komandanti im dhe kështu filloj të bisedoj me të...
Mbi varrin e tij gjej tufa me lule të freskëta, pra unë nuk jam i vetmi që shkoj ta takoj komandantin tim. Miq të shumtë nuk mund ta harrojnë Rolandin, po ashtu edhe bashkëshortja që flet edhe në emër të dy vajzave të mitura.
Si në  një film më shfaqet para syve  rruga e jetës që kishte përshkruar shoku jonë Roland Likaj, nga Lapardhaja e Vlorës. Nipi i trimit Selim Sulejmëni, komandantit i çetës së Lapardhasë në Luftën heroike të Vlorës më 1920. Biri i Zaim Likës, një humanist i madh një ndihmës mjek që gjatë gjithë jetës diti të shëronte jo vetëm plagët e trupit por edhe të shpirtit tek njerëzit e thjeshtë dhe vuajtur. Rolandi, shkëlqeu kudo, në shkollë në shërbimin në polici dhe në jetë. U diplomua oficer në vitin 1988 dhe shërbeu në kufirin shqiptar. U lirua nga detyra dhe u rikthye përsëri në efektivat e policisë në vitin 2008. Ishte njeri i detyrës. Kishte nuhatje prej polici të lindur, i ndiqte shkelësit e ligjit kudo, në çdo vend në çdo vrimë ku mundoheshin të fshiheshin dhe kishte pasur gjithnjë suksese dhe lavdërime nga eprorët. Nuk kishte mbushuar as 45 vjeç kur kriminelët e vranë...
Sosej vetë i pari dhe u thoshte shokëve më ndiqni. Kështu u tha shokëve të patrullës edhe natën e zezë të 18 tetorit të vitit 2010.
Kam vërejtur tre njerëz të dyshimtë. Po futem në lagjen Çole. Më ndiqni.
Shokët nxituan, sepse e dinin zakonin e Rolandit që ai ndeshej vetë i pari me kriminelët. Nxituan që të mos e linin vetëm. Por ... kur arritën u shtangën. Rolandi, shoku i tyre, komandanti tyre kishte mbështetur kokën mbi makinën e tij private dhe po “flinte”, po “flinte” gjumë! Ai njeriu sypafjetur, që se njihte lodhjen në detyrë, tani për çudinë e tyre kishte rënë në gjumin e përjetshëm.
Në errësirën e pasmesnatës, ata tre burra i folën komandantit të tyre të çohej, tu jepte komandë dhe për herë të parë ai nuk po përgjigjej më, dhe ata tre djem të rinj, e qanë komandantin e tyre, e qanë shokun e tyre, qanë mjeshtrin ndjekjeve policore, qanë oficerin që sakrifikojë jetën e tij për qetësinë e qytetarëve të tij, e mbi te gjitha qanë njeriun e mirë Roland Likaj, se edhe burrat qajnë në raste të tilla.
Në hyrje të Drejtorinë së  Policisë të Qarkut të Vlorës është vendosur përmendorja e 13 dëshmorëve të policisë: Alket Muça, Andrea Kanani, Bashkim Bitaj, Besim Manoli, Gëzim Shabani, Gjergj Mehmeti, Ilir Ngresi, Leonidha Begaj,  Spiro Toshi, Shezai Zanaj, Vladimir Harizaj, Xhelo Kanani, Viron Rrapi, i katërmbëdhjeti është emri i paharruar i Roland Likës, rënë në krye të detyrës më 18 tetorit 2010.
Duke kujtuar dhe nderuar oficerin e policisë Roland  Likaj, unë nderoj dhe kujtoj me mall dhe nderim të gjithë ata oficerë dhe nënoficerë policie që ranë në krye të detyrës.
***
Këto ngjarje më kaluan para syve të mi atë ditë që vajta t`i thosha Rolandit se shokët e tu e mbajtën fjalën, i zbuluan vrasësit e tu,  me një punë intensive dhe me profesionalizëm të lartë.
Kush i zbuloi vrasësit e mi ? - mu duk sikur më pyeti Rolandi jonë i dashur?
Tjetër gjë mendoja kur mora të dilja nga varrezat. Sa vështirë e patëm për të ndjekur dhe zbuluar kriminelët. Ishte një vrasje e pabesë pas mesnate pothuajse në një vend të shkretë, pa asnjë shenjë dhe gjurmë të vrasësve...
Ne thonë në Policinë e Vlorës punonin pa pushin. Na dukej sikur Rolandi na qortonte sikur na thoshte  pse vepruat kështu? Po këtë provë e studiuat? Po këtë rrugë e ndoqët? Shumë keq, si ju porosia unë? Veproni më shpejt, punoni me shpirt.
Dhe ashtu punuan në fakt edhe policia e Vlorës edhe policia e Korçës. Dhe arritën atë që duhet, dhe brenda një kohe të shkurtër, u vunë prangat vrasësve të oficerit të policisë Roland Likaj, i cili do të rrojë në kujtimet e shokëve të tij si shembulli i oficerit të sakrificës për qetësinë e qytetarëve të tij.

...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›