Koha për NATO, një vonesë e humbur për Maqedoninë
Duke rrahur kaçikun e mendjes mbi problemet drejtuese e shtetërore, që nuk më hyjnë fare në punë, m’u kujtua një anekdotë për “dhelprën”. Fabula që më ishte ngulitur në memorie shumë kohë më parë, flet për një dhelpër shumë të uritur që kërkonte ushqim. Duke nuhatur me nofullën e saj të stërholluar, gjeti në zgavër të një lisi, një copë bukë dhe një copë mish, që i kishin fshehur kafshë të tjera. U fut me shumë mundim në zgavër dhe hëngri të tërën që gjeti aty. Aq shumë kishte ngrënë, sa jo vetëm që gjëmonte dhe kuiste nga pesha e barkut të fryrë, por edhe s’mund të përpëlitej as para e as prapa, duke mbetur e ngujuar në zgavrën e lisit. Një dhelpër tjetër, që kalonte në atë çast aty pari, e dëgjoi gjëmimin e saj, prandaj iu afrua dhe e pyeti se ç’kishte. Kur mori vesh se çka i kish ndodhur, i thotë: “Duhet të rrish aty, derisa të shfryhesh e të hollohesh aq sa ke qenë kur ke hyrë. Vetëm atëherë ke për të dalë nga zgavra”, porositi dhelpra e mençme.
Nisur nga kjo porosi lakonike dhe nga ky rrëfim personazhesh ezopiane, që simbolizojnë urtinë dhe dredhinë, si cilësi etike të njeriut, na mbetet të nxjerrim ndonjë paralele. Mesazhi që jepet dëshmon se urtia dhe dredhia, gjithherë, sidomos kur jemi me bark të zbrazur, nuk funksionojnë. Lakmia e shfrenuar pas begatisë, shpesh rrezikon atributet më të larta njerëzore, madje ngrit kurthe mbi individin. Personazhet reale mund t’i hasim në politikë, në udhëheqjen shtetërore. Ambiciet e sëmura i shtyjnë politikanët që të mos e shohin rrezikun dhe të fryhen e fryhen, derisa të mos mund të tërhiqen mbrapsht. Duhet të presin, të blejnë kohë, të tretin gllabërimin, që t’i kthehen pozitës së mëhershme, atë të lirisë e jo të njeriut të ngujuar.
Gabimet e pareshtura të pushtetarëve, “mëkatet” e tyre në rrjedhë e sipër, në një hark të gjatë kohor, trashën problemet aq shumë, sa që u bënë peng të lëvizjeve përpara. Mungesa e dialogut politik tashmë një kohë të gjatë, që është theksuar edhe në raportin e Komisionit Evropian për Maqedoninë, marrëdhëniet e mira me fqinjët, zgjidhja e kontestit rreth emrit, Marrëveshja (e harruar) e Ohrit, për të cilën së voni ua kujtoi pushtetarëve në Shkup, kryediplomatja e BE-së, Catherine Ashton, e kanë zhvendos Maqedoninë nga një “oazë të paqes”, në një “oazë të izolimit”. Raportet Shkup-Bruksel janë acaruar nga mungesa e dialogut politik, sidomos pas kërcënimeve të opozitës maqedonase për bojkotimin e zgjedhjeve lokale, për çka euro-komisionari për zgjerim, Shtefan Fyle u detyrua të vijë nga Brukseli që t’i qetësojë liderët kryeneçë.
Në këtë konstelacion të ngatërruar politik në Maqedoni, lideri politik shqiptar, Ali Ahmeti (BDI), në cilësinë e publicistit, ndonëse në botën perëndimore po praktikohet një gjë e tillë, doli me një kolumnë, të njohur si “Koha për NATO”. Por duhet pranuar se koha për NATO është një vonesë e humbur.
Me këtë “korrespondencë”, Ahmeti tentoi t’i tërheq vëmendjen kreut të ekzekutivit maqedonas se “është koha e fundit që çështja e emrit me Greqinë të zgjidhet, që të hapen dyert e NATO-s dhe BE-së për vendin”. Megjithëqë kjo “letër” e hapur për media nga disa qarqe u përbuzë dhe u cilësua si “punë e kurdisur mes partnerëve qeveritarë”, mesazhi ishte shumë i qartë, në radhë të parë që t’i dëshmohet Brukselit nga vetë kreu i palës shqiptare në pushtet se vërtet “mungon dialogu politik” në Maqedoni, kur partnerët në koalicionin qeveritar detyrohen të komunikojnë nëpërmjet medieve. Mesazhi është edhe më i thellë, është politikisht i fuqishëm dhe i adresuar në drejtim të diplomatëve të politikës evropiane në Bruksel. Po qe se nuk do të vendoset dialogu politik, që nga zyrat e vendosjes politike ndërkombëtare është vënë në krye të listës së detyrimeve për të marrë datën për negociata nga fundi i qershorit, edhe para zgjidhjes së kontestit për emrin me Greqinë, atëherë Maqedonia do të hyjë në një vorbull shumë të pasigurt politik dhe të sigurisë.
Krahas dialogut politik, lartë në listën e obligimeve për një raport pozitiv të KE-së janë edhe marrëdhëniet e mira ndëretnike, që paraqesin boshtin kryesor të ekzistimit të këtij shteti multietnik, ndërsa rrezikimi i shtyllave bartëse të tij jo vetëm që do të luhatnin proceset euro-integruese, por do të shkaktonin edhe tronditje tektonike politike dhe destabilizim të vendit.
Diplomacia evropiane, për dallim nga ajo amerikane, e cila është më pragmatike, nuk është gjithherë e sinqertë, sidomos ndaj shqiptarëve, të cilët i konsideron si të “dëgjueshëm”. Toleranca e saj ndaj palës tjetër në Maqedoni, kur janë në pyetje vuajtjet e shqiptarëve, nuk ka kufi. Është një fenomen që ka zënë të tërheq vëmendjen e analistëve se pse Brukseli kaq shumë po e toleron këtë vend ballkanik. Përkundër një politike skajshmërisht refuzuese vendore, ndërkombëtarët tregojnë po aq maturi, shpesh duke mbështetur edhe me mjete financiare dhe me kredi, që shpenzohen në mënyrë joproduktive.
Brukseli dhe qendrat e tjera të vendosjes ndërkombëtare me siguri që me vetëdije po bëjnë veprime të këtilla. Maqedonia, edhe pse tashmë kanë kaluar dy dekada nga pavarësimi, ende është e brishtë, andaj çdo presion i tepruar nga jashtë do t’i shkatërronte strukturat kryesore institucionale të shtetit, të cilën gjë nuk e dëshirojnë. Mjerisht, mesazhet e këtilla nuk po kuptohen, madje në disa raste edhe po keqkuptohen, së këndejmi kemi edhe një mungesë vetëdijesimi.
Nuk është e fshehtë që Bashkësia ndërkombëtare ka investuar gjatë këtyre viteve dhe ende po investon në këtë qeveri, për të fituar pushtetin absolut dhe për zgjidhjen përfundimtare të problemit 20 vjeçar të emrit me Greqinë. Kjo bashkësi ndërkombëtare beson se kjo qeveri është më e përshtatshme për zgjidhje të qëndrueshme të kontestit. Pikërisht për një strategji të këtillë, kjo bashkësi e ka “viktimizuar” opozitën maqedonase, duke mos e përfillur katrahurën e saj gjatë ngjarjeve të fundit në Parlamentin e Maqedonisë. Ajo nuk e përkrah opozitën, sepse mendon që nuk mund të zgjidhë kontestin për emrin në mënyrë të qëndrueshme, nga shkaku se këtë do ta kundërshtonte në mënyrë radikale VMRO-DPMNE-ja, e cila dëshiron vetëm ajo të vendos për emrin dhe për ardhmërinë e shtetit, pas një “konsultimi” popullor me referendum.
Ekzistojnë indicie se për një zvarritje kaq të gjatë të problemit me emrin ka një bashkërenditje ndërmjet SHBA-së, BE-së dhe Greqisë. Shqiptarët, të përfaqësuar nëpërmjet subjekteve të tyre politike, pozitë e opozitë, të vetëdijshëm për seriozitetin e problemit, me vetëmohim po viktimizohen, ndonëse për këtë veprim fisnik nuk kanë fort mirëkuptim nga pala tjetër.
Në anën tjetër, marrëveshja e nënshkruar mes kryeministrave të Kosovës dhe Serbisë për rregullimin e marrëdhënieve mes dy shteteve, me të cilën shumë shpejt Serbia do të marrë datë për negociata me BE-në, ndërsa Kosova do të fillojë negociatat me nënshkrimin e Paktit për stabilizim dhe asocim, do të japë një dimension të ri tërë situatës dhe ndoshta do të jetë motivues për pushtetarët maqedonas, që të ndërmarrin diçka më konkrete në rrugën e proceseve euro-integruese dhe veri-atlantike.