E Diel, 1 Nëntor 2026

Pollo: “Qeveria shqiptare, klimë miqësore ndaj biznesit të huaj”

24-04-2013 / Gazeta 55

Ministri Genc Pollo merr pjesë në konferencën ekonomike gjermano-shqiptare, organizuar në Berat. “Taksa e sheshtë luftoi evazionin fiskal dhe nxiti investitorët e huaj”  

Shoqata ekonomike Gjermani-Shqipëri me qendër në Berlin (DAW) dhe Lidhja Gjermane e Industrisë dhe Tregtisë në Tiranë (DIHA) me mbështetjen e Këshillit të Qarkut të Beratit, Bashkisë së Beratit dhe Institucionit të Prefektit të Qarkut të Beratit, organizuan për sipërmarrësit e rajonit në qytetin e Beratit një veprimtari dy ditore informimi e kontakti me një grup biznesmenësh gjerman. Delegacioni gjerman përbëhej nga drejtues të subjekteve ekonomike dhe përfaqësues të shoqatave të biznesit.
Këtë veprimtari e përshëndeti në emër të qeverisë shqiptare edhe Ministri i Inovacionit dhe TIK, zoti Genc Pollo.
Gjatë fjalës së tij, mes të tjerash, Ministri Pollo foli për marrëdhëniet e shkëlqyera midis dy vendeve tona, një marrëdhënie që është mbështetur kryesisht mbi ndihmën që Republika Federale ka dhënë për Shqipërinë, sidomos në periudhën e vështirë të rrëzimit të komunizmit dhe tranzicionit që vijoi, por që edhe e ka shoqëruar gjatë këtyre dy dekadave, duke u bërë kështu donatori më i madh, me ndihmë më efikase për Shqipërinë dhe duke mundësuar që të vijnë biznese të rëndësishme gjermane në Shqipëri.
Duke folur për klimën e biznesit në Shqipëri, zoti Pollo tha: “Ka qenë një objektiv parësor i qeverisë të krijojë një klimë biznesi miqësore dhe ftuese për të gjithë sipërmarrësit dhe, në mënyrë të veçantë, për investimet e huaja direkte. Për këtë arsye, u rishikuan të tëra ligjet që kishin të bënin me regjistrimin e biznesit, me dhënien e lejeve, me mënyrën e zgjidhjes së konflikteve midis bizneseve, për taksimin e tyre, duke i kaluar në masa që, tashmë, aplikohen gjithandej, si taksa e sheshtë prej dhjetë për qind, për të ardhurat personale dhe për të ardhurat e kompanive; një taksë, e cila ka qenë e rëndësishme, jo vetëm për të luftuar evazionin fiskal, por edhe për të nxitur biznesin drejt investimit, drejt deklarimit të ndershëm të detyrimeve tatimore dhe duke e përcaktuar, ashtu siç e kemi parë edhe në shtete të tjera në rajon, një nxitje dhe rritje në vëllim të investimeve të huaja.”
Më tej Ministri Pollo ka thënë se nuk ishte pa shkak edhe raporti i Agjensisë së Kombeve të Bashkuara, që mat zhvillimet ekonomike dhe tregtare në Botë, që e kualifikoi Shqipërinë vitin e kaluar me mbi një miliardë dollarë amerikanë investime të huaja direkte.
Në fund të fjalës së tij zoti Pollo foli edhe për zhvillimin e kësaj konference me shumë vlerë në Berat, duke thënë se: “Avantazhet që sjellë Berati, me një histori 2400-vjeçare, janë të qarta dhe besoj se kjo vizitë do t’ju bëjë edhe më të qartë, në mënyrë që të lini diçka që të jetë e qëndrueshme. Është një zonë infrastruktura e së cilës, siç mund ta keni vënë re, është në ndërtim dhe jo vetëm rruga Berat-Lushnje, por në katër vitet e ardhshme shpresojmë të përfundojmë Boshtin e Jugut.”

...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›