E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dëshpërimi në ato thirrje

“Berisha, Berishaa, Berishaaa, Berishaaaaaa…”. Cfarë i detyron qindra të rinj të mbyllen në sallën e Pallatit të Kongreseve në ditën e trokitjes së pranverës e të ulërasin deri në ekstazë për një lider partie? Kryeministrin e një vendi. Cfarë i lidh adoleshentët me Partinë? Kur ishim në kohën e Diktaturës, poezitë, duartrokitjet e lotët për Enver Hoxhën, u tha se i bënim me detyrim. Atëherë ishim në Diktaturë dhe ishim të detyruar të nderonim Njëshin. Ndërsa sot, të njëjtat gjëra, i bëjmë me dëshirë, edhe më fort e më shëmtuar. Nuk di të kem parë gjëkundi, në botën moderne skena të tilla si ajo e Forumit Rinor të PD-së, ku të rinj e të reja lëshonin thirrje akute për Berishën si të ishte idhulli i tyre pop apo rock. Cfarë janë ato thirrje? Gëzim i papërmbajtur i lumturisë dhe ekstazës që krijon një fjalim politik bërë nga Berisha? Apo demonstrim i dëshpëruar i boshllëkut absolut që ka mbushur shpirtrat e rinisë që lindi në kohën e tranzicionit tonë? Berisha po shndërrohet në një idhull në të vërtetë dhe për këtë kontribuojmë dhe ne mediat. Si të mos shkulësh flokët e ulërasësh për një individ që ka lindur në atë kullën e gurtë me frengji aq të vogla në skajin e largët, sot të harruar, të Viçidolit, sot Kryeministër i vendit? Nuk duhet të lindësh në Bllok për t’u bërë dikush! Si të mos adhurosh babain e ’97, të Gërdecit, të trafikut të armëve e të ministrave të korruptuar e të paprekshëm? Nëse Marlyn Manson duhet të trukohet e të këndojë si biri i të Keqes për të tërhequr shumë të rinj, pse këta të fundit të mos joshen nga e Keqja sade e safi, siç thonë hardrokistët e Shqipërisë? Janë shumë bosh të rinjtë tanë dhe boshllëku mbushet kollaj me gurë të mëdhenj, të vrazhdë e të rëndë.
(BalkanWeb)

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›