E Shtunë, 31 Tetor 2026

Godinat pranë Institutit të Fizikës Bërthamore, rrezikohet jeta e banorëve

22/03/2011  Kule: Ndërtimet përbëjnë rrezik të madh për kryeqytetin, aq sa mund të krahasohet me një Fukushima të vogël të Tiranës

Godinat e ndërtuara pranë Institutit të Fizikës Bërthamore rrezikojnë jetën e banorëve për shkak të lëndëve të rrezikshme që rrjedhin prej tyre. Fatkeqësisht shumë pranë këtij instituti, ku gjenden të depozituara lloje të ndryshme materialesh me rrezik bërthamor, po ngrihen godina të ndryshme banimi. Evidentimi i këtij fakti shqetësues është bërë gjatë ditës së djeshme nga kreu i Universitetit të Tiranës, rektori Dhori Kule. Sipas tij, dhënia e lejeve të ndërtimit mund të përbëjë një problem madhor për jetën e banorëve, për të cilën duhet kërkuar një vëmendje më e madhe, duke qenë se përbën një rrezik të madh për qytetin e Tiranës, aq sa mund të krahasohet me një Fukushima të vogël në Tiranë.

Rreziku

“Pranë kësaj qendre janë ndërtuar ndërtesa banimi në mënyre abuzive, duke shkelur edhe ligjet në fuqi. Këtu është për tu përmendur dhe vendimi i Këshillit të Ministrave datë 27.05.1971, i cili kërkon që në një rreze prej 150 metrash të mos ketë asnjë ndërtim banimi. Realisht kjo qendër e Fizikës Bërthamore përbën një rrezik shumë të lartë dhe kërkon vëmendje të menjëhershme, pasi ajo përbën një rrezik të madh, aq sa mund të krahasohet me një Fukushima të vogël në Tiranë”, - ka pohuar rektori. Konkretisht rregullorja mbi përdorimin, ruajtjen dhe transportimin e lëndëve radioaktive dhe burimeve të rrezatimeve jonizuese saktëson se “për institucionet, laboratorët ose njësitë që përdorin lëndë radioaktive në trajtë të hapur për shkak të lëshimit në atmosferë të lëndëve radioaktive nga sistemi ajrim, thithje, vendoset zona sanitare mbrojtëse, rrezja e të cilës përcaktohet sipas kategorisë së tyre. Në këto kushte, në zonat sanitare mbrojtëse ndalohet kategorikisht ndërtimi i shtëpive të banimit, mbjellja e bimëve bujqësore, mbajtja e bagëtive, mbjellja e pemëve frutore, si dhe ndërtime të tjera që nuk i përkasin laboratorit ose njësisë bërthamore”.

Zaptimet e ambienteve

Sipas rektorit, probleme të theksuara me ndërtimet pa asnjë kriter konstatohen pranë Fakultetit të Shkencave të Natyrës, ku laboratorët janë nxjerrë jashtë përdorimit, pasi dritare nuk mund të hapen për shkak të ndërtesave që ndodhen pranë. Në këtë fakultet është për tu përmendur edhe fakti që investimet për këtë fakultet brenda territorit të tij janë pezulluar për shkak të mosdhënies së lejeve të ndërtimit, ndërkohë që përreth ndërtohen pallate shumëkatëshe. E njëjta situatë konstatohet edhe në Fakultetin e Shkencave Sociale, Fakultetin Ekonomik, Fakultetin e Drejtësisë si dhe në Fakultetin e Histori-Filologjisë brenda territorit të këtij fakulteti janë ndërtuar objekte. Ndërkohë që lidhur me problemin për shkatërrimin e Kopshtit Botanik rektori ka pohuar se universitetit duhet ti kompensohet e gjithë sipërfaqja që duhet ti merret nga Kopshti Botanik për ndërtimin e unazës së madhe. “Në kalimin që do të ketë unaza e madhe te Kopshti Botanik do të kërkojmë që në ristrukturimin e brendshëm bimësia të vendoset sërish ose hapësira të vendoset në një hapësirë tjetër”, - ka deklaruar Kule.

Mjeku endokrinolog Dashamir Gjergji detajon këshillat për tu mbrojtur nga lëndët radioaktive

Tiroidet, sa rrezikojnë shqiptarët

nga lëndët bërthamore

Paniku që ka përfshirë këto ditë Japoninë pas tërmeteve të rënda ka sjell jo pak ankth dhe shqetësime në mbarë botën për sa i përket dëmtimeve që ndodhin më vonë në organizmin e çdo njeriu, të lidhura drejtpërdrejt me thithjen e substancave radioaktive të çliruara në ajër dhe të përhapura ngado në natyrë. Tiroidja është gjendura dhe organi më e rrezikuar nga përhapjet e substancave radioaktive për shkak të përmbajtjes së lartë të jodit radioaktiv që kanë reaktorët bërthamorë. Dihet nga të gjithë se gjendura tiroide përdor si lëndë të parë jodin për të sintetizuar dhe prodhuar hormonet e saj, por në kushtet e ndotjes së natyrës, veçanërisht të ajrit, me jod radioaktiv tiroidja dëmtohet shumë rëndë, sepse nuk është në gjendje të dallojë jodin e pastër nga ai radioaktiv. Kapja e jodit radioaktiv dhe depozitimi i tij në brendësi të kësaj gjëndre me kalimin e muajve dhe viteve shkakton dëmtime të rënda të kësaj gjëndre dhe në shumicën e rasteve kancer të saj.

Të rriskuarit

Më të rrezikuarit për tu prekur nga kanceri i tiroides në këto rrethana janë fëmijët e vegjël, adoleshentët, të rriturit deri në 40 vjeç. Pas kësaj moshe rreziku është më i vogël.

Rritja e tmerrshme e numrit të prekurit nga kanceri i tiroides në zonat e infektuara më radioaktivitet është e dokumentuar shkencërisht. Veçanërisht bota shkencore sfidën më të madhe në këtë drejtim e pati pas shpërthimit të centralit bërthamor të Cernobilit në Ukrainë më 1986. Shpërthimi i këtij reaktori pati ndikimin e vet kryesisht në vendet afër tij, si Ukrainë, Bjellorusi, Poloni, por nuk mbeten pa u prekur dhe vende të tilla si Bullgaria, Turqia, Greqia dhe vendi ynë. Kjo vërteton se ndotja bërthamore ka një përhapje të gjerë, ku rol luan largësia, por dhe fenomene gjeofizike, si era, malet, lumenjtë e tjerë. Le të kthehemi në katastrofën e fundit që ndodhi para një jave në Japoni pas tërmetit apokaliptik. Situata është vërtet e rëndë dhe autoritet shëndetësore vendase, të ndihmuara nga OBSH-ja etj., janë vënë në ndihmë të popullatës si në evakuimin, gjetjen dhe ndihmën për viktimat, por dhe në asistimin mjekësor, duke shpërndarë dhe përdorur gjerësisht jod natyral të pastër në formën e potasium-jodit (ki).

Si duhet të veprohet

Është e domosdoshme që direkt pas shpërthimit të reaktorëve çdo njeri, sidomos fëmijët dhe të rinjtë, të marrin çdo ditë potasium-jod, në mënyrë që të ngopet tiroidja e tyre me jod normal dhe të mos ketë uri dhe të përdorë jodin e ndotur radioaktiv.

Përdorimi masiv i jodit natyral në më shumë se 90 për qind të popullsisë në vendet e prekura pas shpërthimit të Cernobilit rezultoi i suksesshëm në parandalimin e rritjes së kancerit të tiroides. Në përdorimin e jodit natyral rëndësi ka që ky produkt të ofrohet në kohë dhe të mos vonohet marrja, për shkak se, nëse tiroidja e ka akumuluar sasinë e jodit radioaktiv, ajo e ka të pamundur të absorbojë jodin natyral, si rezultat parandalimi nuk është efikas.

Parakushtet e marrjes së jodit natyral kërkojnë:

- Jodi natyral të ofrohet si suplement në formë tablete në doza 35 mg nga 1-3 vjeç, 65 mg nga 3-12 vjeç, si dhe 130 mg mbi 12 vjeç dhe adutë.

- Të jetë i freskët, të mos harrohet as një ditë, si dhe të merret në orar fiks.

- Të mos ndërpritet asnjëherë për sa kohë ajri është i ndotur dhe me rrezik radioaktiv.

Rastet kur nuk duhet përdorur

Duhet të kemi parasysh disa rrethana kur nuk mund ta përdorim jodin e pastër apo normal. Dhe konkretisht:

- Kur nuk ka ndodhur ndonjë shpërthim radioaktiv.

- Kur ka kaluar koha e prekjes së zonës së banimit nga reja ndotëse radioaktive.

- Kur vuajmë nga sëmundje të tiroides që nuk e përdorim dot jodin.

- Kur e kemi operuar dhe hequr komplet këtë gjëndër, nuk është nevoja ta mbrojmë, sepse nuk ka qeliza që e përdorin jodin.

- Kur kemi marrë trajtim me jod radioaktiv në doza të vogla për qëllime terapeutike.

- Kur jemi shumë larg nga epiqendra e shpërthimit më shumë se 500-1000 km.

Situata

Duke u nisur nga largësia, mund të themi se vendi ynë ndodhet shumë larg këtij shpërthimi dhe mundësia e ardhjes së ndotjes radioaktive te ne është shumë e vogël, e papërfillshme, ndaj nuk ka vend për panik të shqiptarët se do të kemi rritje të frekuencës së kancerit të tiroides. Duke e mbyllur këtë trajtesë, uroj që plagët e kësaj katastrofe të mbyllen dhe të zbuten sa më shumë dhe gjej rastin që të qetësojmë pacientët tanë, që kanë qenë të alarmuar këto ditë, që nuk do të kemi rreziqe, por duhet ti rikujtoj se Shqipëria mbetet një zonë me deficite të jodit natyral, sidomos në zonat malore, ndaj dhe sëmundjet e gjëndrës tiroide te ne janë më të shprehura, përfshirë këtu dhe kancerin e kësaj gjëndre, ndaj bëni kujdes me tiroidet, kontrollojini në kohë përdorni jod natyral me ushqime dhe suplemente sipas porosisë së mjekut. Kontrollohuni rregullisht, që nesër të mos keni pasoja nga kjo gjëndër e vogël me mision dhe funksione të mëdha për trupin tonë.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›