Reforma Zgjedhore, Bylykbashi: Kërkojmë konsensualitet bipartizan. Mediu: Deputetë e opozitës mos bashkohen me farsën

Deputeti demokrat, Oerd Bylykbashi ka akuzuar kryeministrin Edi Rama se po tenton të blejë votat në Parlament për miratuar një Reformë Zgjedhore “me rregullat si i do ai”. Në një deklaratë për mediat, Bylykbashi tha se ata kërkojnë respektimin e një konsensualiteti bipartizan mazhorancë-opozitë.
“Reforma Zgjedhore është një nga më të rëndësishmet që do të prodhojë stabilitet, ose destabilitet. Kërkojmë që Parlamenti të marrë në konsideratë kërkesën tonë që Komisioni t’i rikthehet funksionalitetit. Kërkesa e pothuaj 50 deputetëve të opozitës, shumica dërrmuese e opozitës në parlament që përfaqëson të gjitha partitë politike të opozitës duhet të jetë në themel të një zgjidhej sa më të shpejtë të kësaj krize politike që Edi Rama ka futur parlamentin. Edi Rama po kërkon shitblerjen e votave në Parlament për të rritur objektivin e tij për të miratuar rregullat si i do ai. Opozita këtë nuk do e pranojë dhe normalitet në Parlament nuk do të ketë sa kohë që rregulla të rëndësishme do vazhdojnë të ndryshohen në këtë formë. Oferta jonë është e qartë, kërkojmë respektimin e një tradite 20-vjeçare konsensualiteti bipartizan mazhorancë-opozitë e cila ka garantuar sukses”, u shpreh Bylykbashi.
Ndërkohë, kreu i PR-së, Fatmir Mediu i bëri thirrje opozitës që të mos bashkohen me “farsën” për të shkatërruar zgjedhjet e lira.
“I bëj thirrje çdo deputeti të opozitës të mos bashkohen me në një farsë për të shkatërruar zgjedhjet e lira dhe të ndershme. Çdo lloj marrëveshje e njëanshme me pushtetin nuk synon zgjedhje të lira dhe të ndershme”, tha Mediu.
/rtsh.al/