E Diel, 1 Nëntor 2026

Dështimi i bisedimeve mund të margjinalizojë të dyja vendet

Shtypi amerikan dhe Washingtoni zyrtar kanë shkruar dhe komentuar raundin e tetë të bisedimeve të së martës në Bruksel për të nënvizuar se dështimi i tyre do të jetë i kushtueshëm për dy vendet. The New York Times shkruan se bisedimet maratonike përfunduan pa një marrëveshje, duke i dhënë një goditje potenciale aspiratave të Serbisë kah BE dhe duke minuar shpresat për një stabilitetit më të mirë në Ballkan, transmeton RTK-ja.

Gazeta sjellë deklaratën e shefes së politikës së jashtme të BE-së Baroneshës Ashton, se hendeku midis zyrtarëve të Serbisë dhe Kosovës ishte ”shumë e ngushtë, por i thellë”.

Ngjashëm e përcolli deklaratën e zonjës Ashton edhe zëdhënësja e Departamentit të Shtetit, Victoria Nuland, për të shtuar se SHBA ‘kanë mbështetur që nga fillimi përpjekjet diplomatike të saj dhe ka aplauduar të dyja palët për ngazhimin serioz’.

Nuland shtoi se Washingtoni ‘inkurajon të dyja palët të shfrytëzojnë këtë rast që të studiojnë propozimet në tavolinë dhe të kthehen tek BE-ja të gatshëm për ta bërë marrëveshjen’.

The New York Times thekson më tej se Ashton duhet të nxjerrë një raport më 16 prill që do të përcaktojë nëse Serbisë do t’i jepet data e fillimit të bisedimeve për anëtarësim në BE. Normalizimi i marrëdhënieve konsiderohet si një parakusht për Serbinë dhe Kosovën që përfundimisht t’i bashkohen unionit.

Dështimi i bisedimeve mund të margjinalizojë të dyja vendet, do të minojë progresin ekonomik dhe thellojë nacionalizmin etnik përballë stabilitetit të brishtë. Gazeta amerikane thotë se ‘Prishtina fuqishëm është kundër çdo marrëveshje që do të krijonte një organ rival ekzekutiv (në veri) që do të minonte sovranitetin e saj’.

“Bisedimet janë parë edhe si një test i fuqisë së butë të BE-së, aftësisë për t’i bindur vendet për të bërë ndryshime të vështira politike dhe ekonomike si një nxitje për t’u bashkuar me bllokun më të madh tregtar në botë,” thekson gazeta amerikane. /Indeksonline/
 

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›